E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshen-Kalimash, hetimi peng i ekspertëve kontabël

Rrezikohen afatet e hetimit, për shkak të mungesës së një raporti përfundimtar për dëminTIRANËEkspertët kontabël, të “punësuar” nga Prokuroria e Përgjithshme për llogaritjen e dëmit të ardhur nga abuzimi me tenderin e segmentit rrugor Rrëshen – Kalimash vazhdojnë të shtyjnë nxjerrjen e raportit përfundimtar. Sipas burimeve të rezervuara pranë organit qendror të akuzës, grupi hetimor i ngritur pranë Prokurorisë së Përgjithshëm për hetimin e këtij skandali ndodhet në pritje të raportit përfundimtar të ekspertëve kontabël, për t’i dhënë më pas drejtim dosjes që për 18 muaj ndodhet nën hetim. “Ekspertët kontabël Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana, të cilët janë betuar para ligjit për llogari të Prokurorisë së Përgjithshme për të kryer akt-ekspertimin kontabël të vlerësimit të dëmit të shkaktuar me dhënien e tenderit për kryerjen e punimeve të firmës “Bechtel-Enka”, po vonojnë nxjerrjen e raportit pa dhënë ndonjë shkak të arsyeshëm. Fillimisht dy ekspertët kishin kërkuar afatin kohor deri në fillim të shtatorit, më pas kanë kërkuar që të shtyhet ky afat deri më 15 shtator. Edhe pse e kanë caktuar vetë këtë datë, ata nuk e kanë përfunduar raportin për vlerësimin e dëmit”,-thuhet nga prokuroria. Sipas këtyre burimeve, arsyeja e zgjatjes së afatit për 15 ditë ka qenë mungesa e analizës së të gjitha të dhënave që janë parashikuar në kontratë dhe detyrimet që shteti shqiptar duhet t’i paguajë firmës kontraktuese. Mësohet se me përfundimin e këtij akt-ekspertimi, ku dy ekspertët Ahmetaj dhe Katani do t’i përgjigjen pyetjeve të përpiluara nga prokurorët do të nxirret edhe konkluzioni përfundimtar për drejtimin që ky hetim pritet të marrë. “Nëse ekspertët kontabël nxjerrin përfundimin se në këtë tender ekziston një dëm i madh shkaktuar shtetit shqiptar, atëherë prokuroria do të marrë në cilësinë e të pandehurit ish-ministrin e Transporteve, tashmë ministër i Jashtëm, Lulëzim Bashën dhe dy ish-vartësit e tij, Armand Teliti e Andi Toma, të cilët janë marrë të pandehur për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim”-thuhet nga akuza. Ndërkohë, po këto burime bëjnë të ditur se me datë 6 tetor përfundon edhe zgjatja e afatit hetimor prej tre muajsh që kryeprokurorja Rama ka zgjatur me firmën e saj. Pritet që para kësaj date prokurori i çështjes, Arben Kraja, të kërkojë sërish zgjatjen e afateve hetimore, në pritje të përfundimit të akt-ekspertimit kontabël të vlerësimit të dëmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›