E Diel, 1 Nëntor 2026

Terror kambistit, i vjedhin 50 mijë euro

Kambisti 55-vjeçar është sulmuar nga tre persona, sapo ka dalë nga shtëpia e tij. Policia në kërkim të autorëve

Rrëfimi i Fari Fanxhos në polici: Lëshova çantën me para, pasi qëlluan 2 herë me silenciator në ajër

TIRANË- Grabitet me armë kambisti, vetëm pak metra larg banesës, në qendër të kryeqytetit. Sulmi ndaj një tjetër kambistindodhi mëngjesin e djeshëm, në rrugën “Gjergj Fishta” pranë Gjykatës së Tiranës, kur kambisti 55-vjeçar, Fari Fanxho, është përballur me tre persona ende të panjohur, të cilët nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur rreth 50 mijë euro. Sapo ka parë autorët të largohen, kambisti lajmëroi policinë e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes. Forca të shumta të policisë rrethuan zonën përreth ndërsa shoqëruan disa persona, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk kanë bërë të mundur kapjen e autorëve të kësaj grabitjeje. “Policia ka zbuluar emrat e tre personave si autorë të dyshuar të ngjarjes dhe po punon për kapjen e tyre”, –thanë mbrëmë për “Shekullin” burimet nga policia.

Grabitja

Rreth orës 7:00 të mëngjesit të djeshëm, Fari Fanxho doli nga banesa e tij që ndodhet pranë Gjykatës së Tiranës, për të shkuar në qendër të kryeqytetit ku zhvillonte aktivitetin e tij si kambist. Sapo i është afruar automjetit të tij, ndërsa në dorë mbante një çantë, është përballur me tre persona. “Na jep çantën ndryshe të vramë”, -mësohet t’i jetë drejtuar njëri prej personave të panjohur kambistit, i cili fillimisht bëri rezistencë. Por autorët kanë qëlluar dy herë me pistoletë me silenciator në ajër, gjë e cila ka terrorizuar 55-vjeçarin Fanxho. Ky i fundit ka lëshuar më pas çantën, brenda së cilës ndodheshin paratë. Menjëherë pasi kanë marrë në dorë çantën, autorët janë larguar disa metra në këmbë për t’u zhdukur më pas me një automjet. I shokuar nga ngjarja prej së cilës iu rrezikua jeta si dhe i humbi një çantë me para, kambisti lajmëroi policinë e cila mbërriti menjëherë.

Policia

“Kambisti ishte tepër i shqetësuar dhe oficerëve të policisë iu desh ta transportonin në spital për një kontroll mjekësor, pavarësisht se ai nuk ishte plagosur me armë apo dhunuar nga autorët”, -thanë për “Shekullin” burimet policore. Sipas tyre, Fanxho e ka pasur tepër të vështirë të rrëfejë ngjarjen para oficerëve të policisë, duke treguar herë pas herë humbje të kontrollit mendor. “Fanxho tregoi për policinë se ishin tre persona të cilët e kërcënuan atë me pistoletë madje dy herë qëlluan në ajër për të trembur kambistin me qëllim që ai të lëshonte çantën. Madje në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe dy gëzhoja pistolete. Në dëshminë e tij 55-vjeçari tregoi se në çantë kishte 100 mijë euro, por në bazë të deklaratave të familjarëve të tij dhe ripërsëritjes së deklaratës së vetë kambistit dyshohet se autorët kanë marrë çantën, brenda së cilës ndodheshin rreth 50 mijë euro”, -thanë burimet policore. Të njëjtat burime shtuan se ka dyshime që njëri prej autorëve të njihte “shënjestrën” pasi ka ditur mirë lëvizjet e tij si dhe shumën e konsiderueshme të parave që ai mbante me vete. Ndërkohë që fill pas ngjarjes policia shoqëroi disa persona në ambientet e komisariatit nr.2, ku pasi u morën në pyetje ata u lanë të lirë për mungesë provash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›