E Diel, 1 Nëntor 2026

Noterët: Ligji "Alibeaj" synon të centralizojë shërbimin

Sadushi: Ndryshimet krijojnë kushte të favorshme për rritjen e nivelit të korrupsionit në këtë shërbimTIRANË- “Noterët mund të mbeten të pakënaqur nga ndryshimi i ligjit. Ata kanë pakënaqësi, sepse duan të jenë vetëm 500 në të gjithë Shqipërinë dhe nuk kam gjetur asnjë argument përse të mos jenë 1000 apo 1500, kështu që protesta e tyre nuk më është dukur bindëse”. Kjo ishte ndër të tjera deklarata e kryeministrit Sali Berisha në lidhje me projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për Noterët”, ku sipas këtyre të fundit ankesat dhe argumentet e bëra në 26 faqe format nuk janë marrë parasysh nga Ministri i Drejtësisë. Por kjo deklaratë është kundërshtuar fuqishëm nga vetë noterët. “Në mesin e muajt korrik, me anë të një shkrese zyrtare është njoftuar Dhoma Kombëtare e Noterisë, për këtë draft ligjor duke kërkuar që brenda afatit 10- ditor të bëhet relacioni i noterëve për këtë draft ligjor. Edhe pse në një afat shumë të shkurtër, kemi arritur që në 26 faqe format dhe në 35 pika të argumentojmë kundërshtimet e këtyre ndryshimeve në ligjin “për Noterinë”. Por, asnjë nga këto pika që ne kemi kërkuar nuk është ndryshuar, përkundrazi ata ndryshime të përpiluara nga zyra e Kodifikimit janë përforcuar. Kjo pasi ligji për noterinë ka nevojë për ndërhyrje e rregullime, por këto që ka paraqitur Ministria jo vetëm që nuk zgjidhin situata të parregulluara por krijojnë probleme të reja edhe më të rënda”,- pohoi dje për “Shekullin”, kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushi. Sipas saj, nuk është vetëm Dhoma Kombëtare e Noterëve që ka kundërshtuar këtë ligj, por edhe misionet e huaja që ndodhen në Shqipëri, si OSBE-ja, EURALIUS-si dhe Unioni Ndërkombëtar i Noterëve. Sadushi pohoi se pikat më të kundërshtueshme të këtij drafti ligjor janë liberalizimi i licencës së noterit, heqjen e disa nga detyrave të noterëve, heqja e asistentit të noterit, përmbledhja e të dhënave në regjistër elektronik, ndryshimi i kritereve të moshës për konkurrimin për një vend në noteri, rritjen e sanksioneve dhe detyrimeve në rast shkelje, mungesën e transparencës së provimeve për noterë dhe heqja e lejes së noterit.

“Lidhur me liberalizimin e këtij profesioni, konkretisht ndërhyrjet që projekti bën në ligj, ndryshimet e nenit 2, 16 dhe 30 janë premisa të sigurta për rritjen e nivelit të abuzimit në ushtrimin e autoritetit publik nga noterët. E thënë shkurt krijohen kushte të favorshme për rritjen e nivelit të korrupsionit në këtë shërbim. Ndërsa, shfuqizimi i rregullave që garantojnë transparencë të procesit të provimit të kualifikimit të noterëve dhe transferimit të tyre si dhe kalimi e përqendrimi i të gjithë procesit vetëm në dorën dhe autoritetin e Ministrit të Drejtësisë është një kapërcim autoriteti nga ana e ekzekutivit”,- pohoi Sadushi. Sipas saj, sistemi i noterisë si organizim, administrim dhe si nivel profesional e praktik ka probleme, por është krejt e qartë se ulja e kritereve profesionale për pranimet e licencimin e noterëve të rinj, ulja e nivelit të transparencës dhe heqja e kufizimit të numrit do të sjelle ashtu si edhe në të ardhmen vetëm probleme të natyrës korruptive. “Zbutja e kritereve profesionale për licencimin e noterëve është një regres dhe nuk duhet lejuar me centralizimin e plotë të të gjitha kompetencave në autoritetin absolut të Ministrit të Drejtësisë, pasi krijojnë premisat ideale për veprime abuzive me pushtetin”,- nënvizoi Sadushi.

SADUSHI

”Një noter i licencuar në mënyrë korruptive do të punojë në mënyrë korruptive”.

GJOBA

”Rritja e gjobës sipas këtij nenit të ndryshuar në një nivel deri 60 herë më shumë se niveli maksimal i parashikuar në ligjin aktual që është 50 mije lekë dhe bëhet 3 milionë lek, që kjo rritje është alogjike”.

REGJISTRI ELEKTRONIK

“Sistemi elektronik i regjistrit është më i ekspozuar ndaj ndërhyrjeve dhe manipulimit të të dhënave me qëllim abuzimi dhe duke ekzistuar krahas atij manual, krijon mundësi për alibi e justifikime në rast mos përputhje të të dhënave

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›