E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja për akademinë

Akademik Rexhep Qosja ka hedhur një varg akuzash ndaj kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke deklaruar se akademia është shndërruar në një shtëpi partiake e LDK-së. Kryesia e kësaj partie ka reaguar ashpër nda këtyre akuzave, ndërkaq kryesia e ASHAK-së pritet të dalë me një qëndrim zyrtar.

Shkrimtari dhe akademiku Rexhep Qosja është rikthyer me stilin e tij të akuzave. Kësaj radhe në teh të shpatës i ka vënë kolegët e tij në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke i akuzuar për politizim dhe për paaftësi.

Duke marrë si shkas iniciativën e deputetit të PDK-së, Ramë Vataj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ASHAK-në, Qosja i hodhi një varg akuzash kundër kolegëve të tij, duke deklaruar se ASHAK është shndërruar në një shtëpi partiake e LDK-së.

Në një intervistë për Kosovapress, Qosja theksoi se politizimi i skajshëm i akademisë është i papranueshëm dhe i dëmshëm për Kosovën. Madje, disa prej kolegëve të tij, Qosja i konsideroi si të paaftë për të qenë anëtarë të akademisë dhe për të marrë rrogë, siç e quajti ai, kombëtare.

“Shkoni në akademi e shikoni disa emra aty. Shkoni në seksionin e gjuhës dhe letërsisë. Janë aty disa njerëz, e meritojnë t’u japë Kosova rroga kombëtare? Jo, kurrë. S’kanë bërë punë as shkencore, as artistike, as arsimore, as kulturore që të meritojnë të marrin rrogë kombëtare prej Kosovës. Jo”, është shprehur ai, duke mos përmendur ndonjë emër të caktuar.

Anëtarë të rregullt të seksionit të gjuhësisë dhe letërsisë janë: Idriz Ajeti, Ali Aliu, Besim Bokshi, Sabri Hamiti, Rexhep Ismajli, Mehmet Kraja, Ali Podrimja dhe Rexhep Qosja. Se për cilin prej këtyre e ka pasur fjalën Qosja, nuk dihet.

Mehmet Kraja, sekretar i këtij seksioni, e konsideron të panevojshëm, joproduktiv, madje të tepruar dhe pa shumë etikë debatin e këtillë rreth Akademisë. Këtë atmosferë të krijuar, ai e konsideron si antiintelektuale dhe të dëmshme.

“Me ose pa ndihmën tonë, por me nxitje të shëmtuara politike, po krijohet një atmosferë antiintelektuale, më e keqja që kam parë ndonjëherë. Unë nuk dua të jem pjesë e kësaj atmosfere, e këtij ambienti”, theksoi Kraja, duke refuzuar të japë përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me akuzat e Qosjes.

“Unë nuk dua të bëhem argat i askujt që ta fyej Rexhep Qosjen, sikundër që do të doja që as Qosja të mos bëhej argat i kujtdo qoftë dhe të fyej kolegët e tij. Atyre që fërkojnë duart për zënka të këtilla, kësaj radhe nuk do t’ua jap asnjë kënaqësi”, tha Kraja.

Lidhur me akuzat e Qosjes, sipas të cilit disa prej gjuhëtarëve e kanë bërë akademinë prapavijë të fushatës që po bëhet ndaj gjuhës standarde, Kraja theksoi se nga funksioni ku është, ka bërë dhe vazhdon të bëjë përpjekje të vazhdueshme për funksionalizimin e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, i cili, sipas tij, duke mbledhur së bashku gjuhëtarët më të mirë të Shqipërisë dhe të Kosovës, do t’i jipte përgjigjet më kompetente për të gjitha çështjet e hapura rreth standardit, nëse ka të tilla.

“Unë nuk besoj se dikush tjetër do të mund të bënte diçka më mirë se 15, 17, 19 ose 21 gjuhëtarët më të mirë shqiptarë, të mbledhur në një këshill, ku vendimet do të merreshin me konsensus, ose me dy të tretat e votave. Për mendimin tim, nëse këtij Këshilli i krijojmë hapësirë për punë, pa asnjë ndërhyrje, besoj se do t’i bënim shërbimin më të mirë gjuhës sonë, të cilën gjithashtu po e lëndojmë me këto ndërhyrje të shëmtuara”, tha Kraja.

Akuzat e Qosjes, Nexhat Daci, akademik dhe kryetar i LDD-së, i quajti “gafë për një çmim shumë të lartë”.

Në një intervistë për Kosovapress, akademik Daci tha se ka respekt për krijimtarinë e akademik Rexhep Qosjes, por e konsideron si një prej individëve që merr beneficione nga ASHAK-u pa participuar në jetën akademike.

“Individët që nuk participojnë në jetën e akademisë për më shumë se 15 vjet dhe që i marrin të gjitha beneficionet e akademisë nuk do t’i komentoja”, është shprehur Daci.

Prej atyre që reaguan ndaj deklaratave të Qosjes, m të ashprit qenë zyrtarët e LDK-së. Vet kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, i cili është edhe anëtar i akademisë, është shprehur se “Qosjes iu ka vonuar mendimi sikurse revolucioni”.

"Ai ka komplekse nga LDK-ja, një ditë do të çmendet, por nuk është përgjegjësi e jona”, ka thënë Mustafa për Klan Kosova.

Ndërkaq, në një reagim të kryesisë së LDK-së thuhet se prapa Qosjes qëndron partia në pushtet, PDK.

“PDK-ja synon të shtetëzojë ASHAK-në, për të vënë kontroll politik e ideologjik mbi institucionin më të lartë të dijes, shkencës dhe të kulturës në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas kryesisë së kësaj partie, Qosja ëndërron institucione të kontrolluara nga partia të cilës i shërben, institucione në të cilat njerëzit dërgohen siç është dërguar ai në ASHAK në kohën e tij.

“Rexhep Qosja nuk arrin të dallojë veprimtarinë shkencore nga ajo politike, prandaj çuditet se si një njeri i shkencës, duke qenë edhe politikan, zgjidhet anëtar i ASHAK-së. ASHAK-ja zgjedh sipas ligjit pozitiv dhe vullnetit të vet e jo si në kohën e Qosjes, me pusullat apo firmat e Komiteteve të LKJ-së”, thuhet në reagimin e kryesisë së LDK-së.

Aty thuhet po ashtu se edhe pse vijon të marrë rrogë nga ASHAK-ja, Qosja nuk e di nga i bie ASHAK-ja, meqë aty nuk ka shkelur me dekada.

Jozyrtarisht, gazeta mëson se kryesia e ASHAK-së do të mblidhet sot dhe do të dalë me një qëndrim zyrtar të saj ndaj akuzave të Qosjes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›