E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja për institucionet

TIRANE- Prej një muaji Tirana është bërë stacion vizitash për dërgata të shumta diplomatike e politike nga SHBA-ja e BE-ja, objekt deklarimesh,rezolutash, qëndrimesh të të gjitha institucioneve politike europiane. Sepse ngjarjet e fundit në politikën shqiptare kanë ndryshuar axhendën perëndimore ndaj Shqipërisë, vendi anëtar në NATO e aspirant për në BE, i cili brenda pak ditësh dhe orësh e tregoi veten të aftë të përmbysë të gjithë imazhin pozitiv të viteve të fundit. Një debat irracional mbi legjitimitetin e zgjedhjeve, një klimë mosbesimi midis palëve që ia lejoi vetes të shndërrohet në klimë përçmimi, përbuzje dhe gati përjashtuese e urrejtjeje, solli ngjarjet tragjike me 4 të vrarë dhe me aktet e dhunës së patolerueshme të 21 janarit. Atë mbrëmje kushdo e kishte të qartë se kjo tragjedi nuk mund të kishte të fituar. Të gjithë humbëm, qytetarët, politika, shoqëria, institucionet dhe vetë Shqipëria.

Tri javë nga 21 janari, Tirana politike ende mbetet e paaftë të kuptojë momentin kur i duhet thënë fund politikave aventuriere, ende nuk ka dialog, nuk ka ulje tonesh, nuk ka shenja reflektimi dhe as dritë shpresë në tunelin tradicional të interesave politike bipartizane. Palët nuk pranojnë asnjë prej gabimeve të tyre të shumta, ato vetëm sa akuzojnë e anatemojnë palën tjetër, si e keqja e Shqipërisë. Në fakt, është një popull votues i ndarë në dy pjesë dhe në një demokraci askush nuk ka të drejtë morale që në emër të gjysmës së votuesve të etiketojë dhe anatemojë gjysmën tjetër. Politikanët tanë vendimmarrës, siç shkruante Konica, të aftë të krijojnë kriza në 5 minuta dhe të paaftë të zgjidhin kriza në 5 vjet, edhe pas gati 90 vitesh nga ky citim, nuk kanë ofruar ende një model të ndryshëm. Ndaj misionet ndërkombëtare në Tiranë ngjajnë misione të pamundura, misione të lodhshme, pa asnjë garanci serioze se palët kanë vullnet politik të pamundësojnë kriza e ngjarje të tjera të ngjashme me ato të vitit apo javëve të fundit. Nismat e tyre parciale për dialog indirekt, negocime e marrëveshje për shtyrje mitingjesh apo hetim të gardistëve, asistim të organeve të hetimit apo nxitje për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, mbeten ende pa efekt thelbësor në Tiranën politike, ku konfliktualiteti dypalësh po arrin në formën e tij më të lartë, në incidente fizike parlamentare dhe pamundësi e paaftësi funksionimi të institucionit themelor të një republike parlamentare.

Në lumin e akuzave dhe kundërakuzave, provokimeve apo keqpërdorimit të institucioneve politike për interesa partiake ditore, të skenarëve imagjinarë egjiptianë apo atyre për grushte shteti, dërgatat perëndimore në Tiranë ia kanë arritur të shënojnë balance modeste pozitive. Suksesi i tyre më i madh është detyrimi i palëve politike për trajtim ligjor e kushtetues të krizës politike dhe pasojave të saj. Në çdo deklaratë, takim zyrtar apo dalje publike ata evidentuan mbështetjen e qartë dhe themelore për disa institucione kushtetuese, institucionin e Presidentit, të prokurorisë, të shërbimit sekret, si dhe për median e lirë. Diplomatët perëndimorë ia arritën të ndalin fushatën partiake të linçimit nominal e institucional të këtyre institucioneve, si dhe të detyrojnë palët, të dorëzojnë mbështetësit e tyre në dyert e drejtësisë. Suksesi është më shumë se modest nëse merret parasysh fakti se ishin këto institucione, të cilat me maturinë e tyre bënë dallimin e krizës shqiptare 2011 nga çdo krizë e ngjashme në të shkuarën, kur partia në pushtet njësohej me institucionet kushtetuese, gjyqësorin dhe çdo pushtet tjetër kushtetues e civil. Ato mund të kenë mangësi, mund të kenë nevojë për përmirësime, por në çdo rast janë e mbeten shumë më demokratike, qytetare dhe të përgjegjshme sesa turmat e partive.

Suksesi i dytë i presionit ndërkombëtar është kalimi nga faza kërcënuese e mitingjeve e anti-mitingjeve tek vetëpërmbajtja, protestat paqësore dhe pjesëmarrjes politike në institucione. Tashmë ne kemi persona nën hetim e gjykim gjyqësor për aktet e dhunës dhe të vrasjeve, kemi politikanë e zyrtarë që paraqiten çdo ditë në prokurori; kemi dështim spektakolar të mekanizmave ekstra-kushtetues siç ishte komisioni partizan parlamentar; kemi ndërgjegjësim të madh publik kundër politikave konfliktuale e penguese për vendin; kemi rritje të zërave kritikë civilë në kërkesën e arsyeshme për ndërhyrje përmirësuese në sistemin politik në vend; kemi rol aktiv informues të medias dhe një publik refuzues ndaj propagandave bardh e zi që tradicionalisht burojnë prej paradhomave të partive politike. Pra, kemi shenja të para të funksionimit të institucioneve të shtetit mbi traditën negative të deritanishme, të dominimit partiak mbi institucionet dhe shtetin. Palët politike po detyrohen dita-ditës të bëjnë lëshime para presionit të qartë ndërkombëtar, një tregues pozitiv se burrat tanë të shtetit e të partive nuk janë aq sovran sa imponohen në fjalime kërcënuese e acaruese.

Bilanci pozitiv i ndërhyrjes ndërkombëtare pritet të marrë përmasa të reja me vizitën e përfaqësueses së lartë të BE-së, Ashton, javën e ardhshme. Vizitat dhe negociatat do të kenë dhe duhet të kenë një rezultat të qartë e të shpejtë. SHBA e BE nuk mund t’ia lejojnë vetes të tërhiqen në një mision demokratik në një vend me ndjenja të thella perëndimore dhe me kontrast të thellë midis axhendës personale politike dhe asaj qytetare. Skenarët e të ardhshmes janë të limituar. Me investimin direkt të BE-së dhe të SHBA-së Tirana politike do të jetë përsëri në sprova të mëdha për të ofruar, negociuar dhe gjetur një zgjidhje optimale, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Zgjidhja mund të jetë në shumë forma, me dallime në modalitetet e saj, por me disa elementë tashmë të pranuar: dominimin e logjikës institucionale, respektimi më i madh i institucioneve kushtetuese dhe dobësimi më i madh i pushtetit ekstra-kushtetues të partive politike. Ky opsion nuk ka opozitë në dërgatat perëndimore në Tiranë. Kjo është rruga e vetme e zgjidhjes, për të cilën, fatkeqësisht, politikanët në Tiranë ende janë të papërgatitur.

Për ne shqiptarët, të mësuar me të njëjtit liderë politikë, me kriza që prodhohen periodikisht prej tyre, me marrëveshje të minutës së fundit të imponohen nga të huajt e pranohen prej tyre, kriza e fundit mund të ketë një rezultat historik: të ndajë përfundimisht axhendën shtetërore nga ajo militante pushtetore, t’i japë prioritet institucioneve të pavarura kushtetuese mbi ato militante të partive, dhe kështu, të krijojë një terren institucional me siguri, - parandalues për çdo krizë tjetër të njëjtë. Sepse Shqipëria ka pasur e ka nevojë për institucione të forta, jo për liderë të fortë. Nëse dërgatat perëndimore e arrijnë këtë, ky do të ishte realisht momenti ndarës përfundimtar me tranzicionin dhe njëherësh, kontributi thelbësor i perëndimit për qytetarët e shoqërinë shqiptare dy dekada pas ndarjes me sistemin komunist.
(G.SH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›