E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brozi: Populli tëluftojë për rrëzimine Berishës

TIRANE- Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, sot Gjykata e Lartë, Zef Brozi, në një intervistë të dhënë dje për “Zëri i Amerikës” i bëri thirrje popullit shqiptar të rrëzojë qeverinë e Berishës. Brozi bëri përgjegjës kryeministrin për 4 viktimat e demonstratës së dhunshme anti-qeveritare të 21 janarit.
Në këtë situatë kaq të tensionuar në Shqipëri, a mundet që prokuroria të kryejë hetime të paanshme?
21 janari ishte një ditë e madhe në historinë e drejtësisë shqiptare, po aq sa tragjike, unë mendoj se është shpresëdhënëse në kuptimin e drejtësisë. Kur shteti vret qytetarin e vet, ajo qeveri nuk meriton të jetë dhe të qëndrojë më as edhe një ditë. Është një kontratë, që qeveria duhet t’i shërbejë popullit. Në momentin që qeveria kthen armët kundër popullit, ajo qeveri duhet të bjerë. Kush duhet ta zgjidh këtë konflikt kaq të madh institucional. Janë organet e drejtësisë dhe për atë janë krijuar tre degë të pushtetit. Për fatin e keq, në Shqipëri ka 20 vjet që menduam se shembëm një diktaturë, por ndërtuam dhe ngritëm një neodiktaturë tjetër, madje shumë të egër. Unë nuk do të isha këtu nëse në Shqipëri do të ishte respektuar pavarësia e pushtetit gjyqësor. Unë nuk do të isha emigrant. Nuk do ishin hequr që nga viti 1992 e deri më sot, të gjithë prokurorët e Përgjithshëm nuk do të ishin hequr. Janë hequr të gjithë përveç njërit që ka firmosur urdhrat që vinin në vitet ‘92-’97 nga Presidenti. Pra, është e domosdoshme që të bëhet një kirurgji e thellë në mentalitetin e pushtetarëve dhe politikanëve në Shqipëri.
Portretizimi juaj i Shqipërisë si një “neodiktaturë” nuk mendoni se është paksa i ekzagjeruar po të kemi parasysh, që Shqipëria sot është një vend anëtar i NAtO-s dhe se Shqipëria është një sistem demokratik, të paktën i pranuar nga komuniteti ndërkombëtar. Ka gjëra që nuk funksionojnë? Padyshim që po por...
E kuptoj pyetjen por unë flas si qytetar. Nuk flas si politikan, as si diplomat dhe as si gazetar, por si jurist. Dhe juristi duhet t’i thotë gjërat ashtu siç i sheh. Unë mendoj se më 21 janar në qoftë se do ishte realizuar plani i pushtetit ekzekutiv, për të nënshtruar prokurorinë dhe institucionet e pavarura atëherë unë sot jam i bindur që nuk do kishim një diktaturë në Shqipëri por një tirani.
Pse sipas jush prokuroria, organet e drejtësisë prej 20 vjetësh, siç u shprehët ju në një farë mënyre synohet që të vihen nën kontroll nga qeveria, kushdo qoftë në pushtet?
Organet e drejtësisë në Shqipëri kanë një mision të vështirë. Pavarësia e gjykatave dhe prokurorisë nuk është privilegj për vetë prokurorët dhe gjyqtarët. Përkundrazi, është një barrë më e rëndë për ta. Pavarësia është vullnet politik është vullneti i të gjithë shoqërisë, për të krijuar institucione të besueshme, ku unë si qytetar por edhe pushtetari më i lartë, në rast se ballafaqohet me drejtësinë, të shkojnë me besim që prokuroria dhe gjykatat do të zbatojnë ligjin mbi bazën e provave dhe fakteve, pavarësisht nga bindjet politike të personit që vjen para trupit gjykues.
A keni ju sot besim te prokuroria, pra tek organet e drejtësisë në Shqipëri, që ato të kryejnë hetime të paanshme?
Unë dua të them se pas 21 janarit besimi i qytetarëve, por edhe i imi është rritur. Përshëndes në mënyrë të veçantë, Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, e cila po bën atë që duhet, pikërisht atë detyrë për të cilën është emëruar. Pra për të bërë hetime korrekte, të gjithanshme, gjithëpërfshirëse pa u sugjestionuar nga tentativa absurde e kryeministrit, që na hiqet si ekspert mjeko-ligjor, kriminalistik, i cili tani po na sugjestionon me plumbat rikoshet, aq sa na duket sikur Berisha kishte hipur mbi plumb dhe e di trajektoret e plumbit deri në zemrën e qytetarëve të pafajshëm. Prokuroria nuk duhet të ndikohet nga këto devijime të qëllimshme të kreut të ekzekutivit shqiptar.
A mundet prokuroria që një ditë të bukur të ndryshojë si me thikë brenda një dite? Pasi prokuroria në Shqipëri pak kohë më parë nuk është ndjerë kaq shumë, ka qenë e “mefshtë”..
Kur thashë se ka lind besimi, doja të thosha se po ka filluar një besim, por jo se ne mendojmë që prokuroria apo gjykata janë në nivelin që kërkohet. Kur shqiptarët do kishin besim? Le ta fillojmë nga tragjedia e Gërdecit. Kur Berisha dhe zyrtari, që shkaktuan Gërdecin sot të ishin në bankën e të akuzuarve. Drejtësi nuk është të vesh para përgjegjësisë ligjore, me rreptësinë më të madhe të ligjit, fukarenjtë që mbledhin hekura për bukën e gojës. Ndërkohë që pushtetarët, miliarderët që vjedhin, shtypin e vrasin popullin sot mbështeten nga Berisha, i ka në qeveri, i ka në poste të larta. Dhe publikisht ndërsa çështja e Gërdecit ishte në gjykatë Berisha doli në televizor dhe mbrojti të pandehurit. Kjo është e paimagjinueshme në një shtet demokratik. Unë kam bindje se para Berisha mund ta kthejë NATO-n në thundrën e vet se para NATO të bëjë Shqipërinë demokratike. Ndoshta është e ekzagjeruar kjo që them, por këtu kam parasysh këtë drejtues tragjik, që i ka derdhur gjak Shqipërisë, që ka veshur shumë nëna dhe motra me të zeza, një kryeministër që më del në televizor dhe flet për katër të vrarë, katër dëshmorë të demokracisë duke buzëqeshur dhe duke premtuar se do të vrasë jo 3 por 30, 300, 3 mijë të tjerë. Kulla e ngujimit të Berishës nuk është kullë, së pari por është shtëpi e hapur e popullit për drejtësi. I uroj popullit shqiptar që të luftojë fuqimisht për të drejtën e vet.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›