E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forca e krahut, “pasuri” e vetme

Nga Express më 11 shtator 2011 në ora 11:37

Shkalla e lartë e papunësisë ka detyruar shumë punëtorë që të sigurojnë kafshatën e tyre të gojës duke u shitur si punëtorë të krahut. Në sheshin “Hazhi Zeka” në Pejë çdo ditë presin qindra punëtorët krahu që të gjejnë punë. Pushtrik Gaxha nga Tirana, është njëri prej tyre që Pejën e sheh si “treg të sigurt”, ku mund ta plasojë forcën e tij të krahut.

Ai tash e një vit është myshteri i rregullt i parkut të gjelbëruar në Sheshin e patriotit pejan “Haxhi Zeka”. Aty takon punëdhënës eventual, negocion dhe diskuton për kushtet e punës, duke i treguar cilësitë e veta të “specialistit” për shumë punë fizike. Ai, ngutet për të qenë i pari në marrëveshje me qytetarët që u duhet një mëditës për të hapur ndonjë kanal, për të mihur ndonjë lehë qepë, për të pastruar e krasitur pemë si dhe për punë me muratorë, të cilën e veçon si më të preferuarën.

“Më merr mua zotëri, di të kryej çdo lloj pune që keni nevojë. Kam ardhur nga Tirana me shpresën se do të fitoj ndonjë lekë. Më presin tre fëmijë, nxënës të fillores dhe bashkëshortja e pa punë por që ka kualifikime për rrobaqepëse. Edhe unë kam të kryer shkollën e mesme, por nuk mund u punësova. Ka shumë raste sikur imi”, i drejtohet Gaxha një burri që kishte ndaluar makinën e tij për të angazhuar një punëtor për mihje të kanalit për ujësjellës në oborrin e shtëpisë së tij.

Njëjtë sikur Gaxha, në sheshin e gjerë përballë Shtëpisë së Mallrave, çdo ditë presin me qindra nevojtarë të tjerë, të cilët kishin mbështetur mjetet e punës mbi rrethojën e metaltë të parkut. Shumica e punëkërkuesve, që të vetmen “pasuri” e kanë forcën e krahut të tyre, vijnë nga Shqipëria dhe Drenica. Ata bëjnë një jetë të rëndë, shpeshherë duke qëndruar tërë ditën në pritje të myshteriut, i cili nuk vjen dot. Në mbrëmje, shumë prej tyre, të uritur ia mësyjnë “shtëpisë” ku e bëjnë gjumin.

Në një objekt të shkatërruar, afër Urës së Gurit mbi Lumin Bardhë, e kanë konakun, në bodrumin e errët e të pajisur me krevate të hekurt, dyshekë të mykur nga lagështia dhe me dritare pa xhama, vendin e të cilëve e zënë najlonit e shqyer. Në tregun e krahut në qendër të Pejës, punëkërkuesit jo rrallë janë përballë me inspektorët, të cilët u kishin caktuar lokacion tjetër. Ata pas çdo largimi janë rikthyer në këtë shesh, të bindur se këtu janë më afër myshterinjve.

“Disa herë na kanë larguar nga këtu, por ne prapë jemi kthyer. Këtu e kemi më afër qytetin dhe më lehtë kontaktojmë punëdhënësit. Atje ku na patën dërguar afër Stadiumit të futbollit, në një hapësirë të gjerë, nuk kishim as një pikë ujë për të lagur gojën. Duket se edhe inspektorëve dhe policisë ju vjen keq për gjendjen tonë të mjeruar materiale. Po i mbyllin sytë, kinse nuk po na shohin”, ka thënë Ajet Berisha nga Drenica, tek po rropatej me disa mjete për punë që i duhen për zejen e tij.

Një inspektor komunal, pa dashur të identifikohet, ka thënë se
edhe pas 12 vjetëve të përfundimit të luftës, dislokimi i punëtorëve të krahut në lokacion jashtë qytetit, nuk ka dhënë rezultate.

“Zemra me therë kur i shoh ashtu, duke lutur qytetarët, madje edhe kalimtarët e rastit, për tu dhënë ndonjë punë. Të gjithë vijnë nga jashtë komunës së Pejës dhe janë të varfër. S’po mund bëjmë ballë për t’i larguar”, ndonëse kishim urdhrin nga Komuna. Mirëpo, ne jemi të detyruar ta kryejmë punën tonë”, ka thënë inspektori i cili kërkon anonimitet. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›