E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja për salsiçet

Autoritetet kroate kanë paraqitur një ankesë pranë Komisionit Evropian, për shkak të propozimit të Sllovenisë për t'u quajtur si vendi i origjinës i një salsiçe të njohur që prodhohet në të dy vendet.

Sllovenia e Kroacia kundërshtojnë njëra-tjetrën mbi të drejtat e origjinës së salsiçes së njohur, Kranjska Klobasa, pasi Sllovenia paraqiti një kërkesë për statusin e Përcaktimit të Mbrojtur të Origjinës në BE për prodhimin e mishit.

Zyrtarët kroatë paraqitën një kundërshtim javën e kaluar pranë Komisionit Evropian në lidhje me pretendimin e Sllovenisë, duke e lënë në dorë të Brukselit zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

"Dhoma kroate e biznesit dhe prodhuesit e salsiçes Kranjska kanë mbledhur të gjitha provat përkatëse historike, mbi të cilat do të mbështetet ankesa, ndërsa ministria e Bujqësisë do të kontribuojë për të ndihmuar në forcimin e palës kroate në këtë proces," tha Miroslav Kuskunovic, zëdhënës i ministrisë kroate të Bujqësisë.

Në lojë është më shumë sesa krenaria kombëtare. Sipas qeverisë, prodhimi vjetor i salsiçes Kranjska ka vlerë 13 milionë euro. Sllovenia argumenton se salsiçja Kranjska u shpik në Slloveninë e veriut në shekullin e 19-të. Në atë kohë Sllovenia e Kroacia ishin pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze. Megjithatë, Kroacia nuk është dakord.

Daska Domlijan, drejtor i burimeve njerëzore në ndërmarrjen kroate të mishit Gavrilovic, tha se ka prova se kjo kompani ka prodhuar salsiçe Kranjska që nga viti 1921.

"Ky është një produkt që e kemi prodhuar prej rreth një shekulli. Çdo vit prodhojmë 400 deri 500 ton nga kjo salsiçe", tha Domlijani.

Statusi i Përcaktimit të Mbrojtur të Origjinës në BE, ashtu si Treguesi Gjeografik i Mbrojtur në BE, siguron se vetëm prodhime që e kanë origjinën nga ai rajon lejohen të mbajnë atë emër. Rregullat ligjore të zbatueshme mbrojnë shumë specialitete kombëtare, si p.sh djathin Roquefort, gorgonzola e shampanja.

Kjo është mosmarrëveshja e dytë për një salsiçe të njohur. Sllovenia protestoi gjithashtu për prodhimin nga Austria të kësaj salsiçe në fillim të prillit. Vendet kanë arritur një marrëveshje "paraprake", sipas së cilës salsiçja mund të vazhdojë të prodhohet në Austri me disa kushte.

Ndërmarrja më e madhe ushqimore në Kroaci, Podravka, ka prodhuar salsiçen Kranjska prej 30 vjetësh. Sipas një zyrtari të ndërmarrjes, salsiçja është e regjistruar me emrin Kranjska në rregulloren që mbikëqyr cilësinë e produkteve të mishit, e cila u miratua në ish-Jugosllavi në vitin 1974.

"Është një emër i përgjithshëm, siç është ai i salsiçes pariziene, alpine, vjeneze, milaneze, bavareze. Kërkesa e Sllovenisë dështoi me Austrinë, me të cilët sllovenët arritën një marrëveshje që pohoi se nuk është një prodhim i vërtetë slloven", tha Marinka Akrap, drejtoreshë e komunikimeve të korporatës së Podravkës.

Shtetasit kroatë e sllovenë janë gjithashtu të ndarë mbi këtë çështje. Janez Zduhac, 28 vjeç nga Lubjana, thotë se është e qartë se salsiçja u quajt sipas vendit ku u prodhua.

"Kranji është qyteti i katërt më i madh në Slloveni. Gjendja është e qartë, Kroacia nuk ka asnjë lidhje me qytetin dhe prandaj nuk kanë të bëjnë fare këtë një salsiçe. Të afërmit e mi në Kroaci më thanë se kjo histori është e pakuptimtë dhe se politikanët kroatë e shpikën atë, sepse nuk kanë gjë tjetër më të mirë për të bërë", tha Zduhac.

Nga ana tjetër, kroatët mendojnë se emri i salsiçes nuk vërteton asgjë.

"Kam provuar edhe salsiçen kroate, edhe atë sllovene. Ajo e Kroacisë është pesë herë më i mirë dhe do të ishte me të vërtetë turp nëse sllovenët imponojnë recetën e tyre te të gjithë që prodhojnë Kranjska", tha Tomas Pilipovic nga Osijeku.

(SETimes)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›