E Diel, 1 Nëntor 2026

Një britanik, avokati i Kosovës në OKB

Juristi britanik, Majkëll Uud, do t‘i prijë ekipit ligjor të Kosovës, për të mbrojtur ligjshmërinë e pavarësisë së saj para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këtë vendim e mori qeveria e Kosovës, pas konsultimeve me Presidentin, Kryetarin e Kuvendit dhe partnerët ndërkombëtarë. Sipas një deklarate të qeverisë së Kosovës, Majkëll Uud ka shërbyer si këshilltar ligjor në Zyrën e Jashtme dhe të Commonwealthit të Mbretërisë së Bashkuar prej vitit 1999 deri më 2006. Në emër të Mbretërisë së Bashkuar, ai mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Dejtonit dhe në Konferencën e Rambujesë, në vitin 1999. Z.Uud është paraqitur para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë shumë herë dhe ka punuar në shumë raste të njohura të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Mendimin Këshillëdhënës të GJND-së për Pasojat Ligjore të Ndërtimit të Murit në Territorin e Okupuar Palestinez.

Në një konferencë të përbashkët shtypi të tre liderëve kosovarë, Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova ka një rast të fortë dhe synon ta demonstrojë para gjykatës se nuk ka asgjë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës që shkel të drejtën ndërkombëtare. "51 shtete nga e tërë bota tashmë kanë njohur se Kosova është shtet i pavarur me qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe Kushtetutë moderne, që ofron garanci të bollshme për të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, dhe posaçërisht komunitetet e saj pakicë", thuhet në deklaratën e përbashkët të Presidentit Sejdiu, Kryeministrit Thaçi dhe Kryeparlamentarit Krasniqi. Presidenti Sejdiu tha se Kosova ka zgjedhur një personalitet të shquar ndërkombëtar për të arsyetuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe shfaqi bindjen se Gjykata do t‘i mundësojë Kosovës ta thotë fjalën e saj. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me kërkesën e Serbisë, të miratuar edhe nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pritet të deklarohet nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të këtij viti, ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Gjykatës do t‘i duhet gjashtë muaj deri në dy vjet për të dhënë një mendim këshillëdhënës për këtë çështje. Autoritetet në Prishtinë besojnë se mendimi i Gjykatës do të jetë pozitiv për Kosovën, ndërsa Beogradi thotë të kundërtën.

Pasaportat

Zyra e Belgjikës në Prishtinë theksoi se vendet e Beneluksit e kanë njohur pasaportën e Republikës së Kosovës. Në njoftim thuhet se Komiteti i Beneluksit, në të cilin marrin pjesë Mbretëria e Belgjikës, Mbretëria e Holandës dhe Principata e Luksemburgut, ka marrë vendim për njohjen e pasaportës së Republikës së Kosovës. Vendimi për njohje është marrë në bazë të Traktatit të Beneluksit. Ky vendim hyn në fuqi më 15 tetor 2008. Ai vlen për të tri llojet e pasaportave që janë në përdorim në Republikën e Kosovës: pasaportat e rëndomta, pasaportat zyrtare dhe pasaportat diplomatike. Zyra e Belgjikës në Prishtinë, e cila e përfaqëson Luksemburgun, do të vë viza për udhëtime në të dyja vendet në pasaportat e Republikës së Kosovës, por edhe në pasaportat e UNMIK-ut që janë ende valide. Ndërkaq, aplikacionet për pajisje me viza për udhëtim në Holandë do të dorëzohen në ambasadën e Mbretërisë së Holandës, në Shkup. Zyra e Belgjikës në Prishtinë dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës janë marrë vesh që zyrtarët, që udhëtojnë në Bruksel me pasaporta diplomatike, për qëllime afariste ose me ftesë të institucioneve të Bashkimit Evropian apo të NATO s, të pajisen me viza me procedura të shpejtuara.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›