E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betejat e medha fushatat ne Vlore e Kukes

Brenda 18 muajve të ardhshëm Vlora do të kthehet në një kantier ndërtimi për të bërë të mundur kthimin e identitetit të saj. Ky është premtimi që kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për bashkinë e Vlorës, Ardi  Kollozi u ka bërë banorëve të lagjeve “Lirim” dhe “Osman Haxhiu”.

“Kryetari i bashkisë në ikje premtoi në fillim të mandateve të tij se do të vishte çizmet për të ndryshuar Vlorën, për të bërë mirë për të. Fakti është që u veshi të gjithë vlonjatëve çizmet. E lënë në spontanitetin e një njeriu dhe të klaneve të tij, kemi një Vlorë të deformuar”- tha Kollozi.

Ndërsa kandidati i “Aleancës për të Ardhmen”, Shpëtim Gjika ka ftuar të gjithë banorët e rajonit nr 1 të Vlorës të marrin pjesë masivisht në votime për të bërë të mundur vazhdimin e projekteve të nisura në këtë zonë.

“Të dalim masivisht në votim. Të votojmë të qetë për të ardhmen tonë. Vetëm “Aleanca për të Ardhmen” është e vetmja rrugë për ne, për Vlorën metropol, Vlorën evropiane”- tha Gjika.

*******

Zvarritja e punimeve për përfundimin e një shkolle 9-vjeçare të nisura që në vitin 2004 ka bërë që kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” për bashkinë e Kukësit të akuzojë kreun aktual të bashkisë për abuzime.

“I bëj thirrje kryetarit në ikje të bëjë transparente se ku kanë përfunduar paratë e këtij investimi. Sigurisht në prioritetet për arsimin kemi parashikuar të ulim numrin e nxënësve nëpër shkolla, pas përfundimit të ndërtimit të kësaj shkolle”- tha Cengu..

Ndërsa ka reaguar kandidati Hasan Halili duke theksuar se godina është ndërtuar në një parcelë me probleme gjeologjike e pronësie dhe çështja e saj prej kohësh është në dorën e organeve të drejtësisë.

“Kemi bërë kërkesë dhe kanë ardhur për të verifikuar gjëndjen. Çështja është në ndjekje penale. Nuk mund të ndërhyjmë derisa drejtësia tëjapë fjalën  e saj”- tha Halilaj.
 

Olgera Muka    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›