E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana e Aleancës për qytetarin – kush tjetër përveç Bashës?

22-04-2011 / Nga Auror Destrani

Parësitë e Aleancës për Qytetarin janë punësimi dhe zhvillimi ekonomik. Me Aleancën për Qytetarin kërkojnë të bashkohen ngadhnjimtar, krahas Shkodrës legjendare të Arben Brocit, Lezhës së Fishtës, Kavajës e Shijakut të demokratëve liridashës, Kuksit e Dibrës patriote, Sarandës së bukur turistike etj. edhe zonat e tjera elektorale. E para,Tirana, kryeqyteti i shqiptarëve, Tirana blu e Azem Hajdarit dhe e studentëve të Dhjetorit; Tirana e qytetarëve europianë me Lulzim Bashën; Elbasani i arsimit dhe i kulturës së njohur në histori, së shpejti pjesë e pandarë e kryeqytetit; Durrësi i porteve, plazheve dhe industrisë; Korça e Germenjit dhe Pogradeci i Lasgushit; Lushnja e Fieri, burime të begatisë; Berati romantik dhe Gjirokastra e lashtë e UNESCO-s; Vlora bregdetare e Flamurit dhe e Pavarësisë 100 vjeçare; Himara e bukur joniane  e shumë të tjera. Të gjitha tok, me bashkëpunim të fuqishëm, ndërmjet pushtetit qendror e vendor, për përparimin e mëtejshëm të demokracisë, zhvillimin e  ngritjen e nivelit ekonomik e kulturor, luftën kundër korrupsionit, në qytet e fshat, mbi bazën e ligjeve demokratike.
E duam Tiranën me Bashën në krye. Kur flitet për Lulzim Bashën na del parasysh lulzimi i ardhshëm i Tiranës, djaloshi i hijshëm tiranas, veprimtari entuziast në fillimet e demokracisë, studenti i shkëlqyer, punonjësi i aftë i UNMIK-ut, deputeti demokrat i Kuvendit me oratori të admirueshme, ministri i suksesshëm i infrastrukturës, sidomos i rrugës së Kombit Durrës- Kukës, me vijim drejt Prishtinës; ministri i jashtëm me arritje historike, siç janë puna e frytshme në shërbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, anëtarësisë në NATO, për pajisjen me kartat elektronike e heqjen e vizave për lëvizjen e lirë të gjithë qytetarëve shqiptarë në Europë; ministri energjik për mbrojtjen e jetës e qetësisë së qytetarëve, në luftë kundër krimit të organizuar, trafikantëve të drogës etj; familjari i nderuar i Tiranës. Kuptimplote është edhe përgjigja retorike e kryeministrit, doktor Berisha, ndaj një gazetari për kandidatin e PD për kryetar Bashkie në Tiranë: “Kush tjetër përveç Bashës?”
Tiranasit më 8 maj, presin Lulzimin, kryetarin e ri të Bashkisë, i cili do të marrë përsipër barrën e rëndë për hartimin e planit rregullues të Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me qendrën dhe qytetarët.  Banorët e Tiranës presin shpëtimtarin nga betonizimi i egër i shesheve romantike e historike të kryeqytetit, nga rrënimi e çrregullimi i mëtejshëm i rrugëve dhe i qarkullimit të automjeteve. Kërkojnë frymëmarrjen nga ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës, rregullimin e lagjeve dhe rrugicave të dëmtuara, strehimin e parkingjet në zona të qeta e të pastra, me ndërtesa sipas tipologjive të njohura europiane, furnizimin e rregullt me ujë, ndriçimin 24-orësh, pastrimin e gjelbërimin; shtimin e shkollave të sigurta. Kanë mall të dëgjojnë tingujt e kullës së Sahatit që hesht prej shumë kohësh. Studentët presin korpusin universitar, parqet, mjediset sportive dhe të argëtimit. Qytetarët presin tramvajin Kombinat-Kinostudio dhe Unazën e Madhe për vijimin e udhëtimit drejt Elbasanit me autostradën e tunelin e Krabës. Nga kush? Sipas Berishës: kush tjetër përveç Bashës?
Po ai vetë ç’thotë: “Tirana evropiane është një ëndërr, një aspiratë, një dëshirë që përkthehet në projekte të vogla të qindra mijëra familjeve që sot jetojnë në Tiranë, të qindra mijëra qytetarëve, të rinjve, studentëve, të moshuarve që i thonë Tiranës shtëpi e tyre. Turizmi është një element i fuqishëm i platformës sime, jo thjesht sepse qyteti ka nevojë për të, por sepse për mua turizmi është një nga drejtimet kryesore të punësimit dhe për mua punësimi dhe mirëqenia e qytetarëve të Tiranës janë prioriteti numër një…Tirana  ka shumë monumente, objekte, shtëpi të vjetra Në mungesë te një harte turistike shume prej tyre po shemben per ndërtim pallatesh,. Në këtë hartë duhet të përfshihet edhe artizanati apo veprimtarite artistike per zhvillimin e fuqishëm të turizmit. Unë kam një platformë konkrete për turizmin që nis në aspektin fiskal, me thjeshtimin dhe uljen e taksave për turizmin”. Pra, sipas Lulzim Bashës objektivat kryesore janë rritja e biznesit nëpërmjet reformës fiskale, investimi në arsim, turizmi dhe infrastruktura. Shqetësim për Tiranën, mbi të gjitha, mbetet trajtimi i një kryeqyteti evropian, sipas një plani urbanistik, me frymëmarrje të gjerë.  Kështu nga Sheshi Skënderbej, bulevardi do të zgjatet përtej stacionit hekurudhor deri në lumin e Tiranës, si kufi verior. Përfshi këtu rindreqjen e parkut dhe liqenit të Tiranës në jug, të ndërlidhur me Parkun Kombëtar në Dajt, liqenet në Farkë e Paskuqan si edhe me Petrelën historike. Në harmoni me këto do të jetë ndërtimi i një infrastukture të menduar mirë në lagjet e Tiranës. Kjo do të thotë ndërtimi i një kompleksi banesash, objektesh ekonomike e kulturore, si dyqane, hotele, restorante, muze, artizanate dhe veprimtari të larmishme artistike, sheshe, parqe e rrugë të reja. Krahas tyre, ndërtimi i shkollave dhe kopshteve të reja, i këndeve sportive dhe hapësirave te gjelbra, asfaltimi i çdo rruge e rrugice, për ndryshimin e Tiranës dhe lagjeve të saj. Parësore në këtë mes janë përmirësimi i kushteve të jetesës, nëpërmjet një punësimi të dukshëm i shoqëruar me ulje taksash. Për arritjen e këtyre objektivave, kush do të veprojë në marrëveshje të plotë me njësitë vendore dhe Qeverinë? Sipas doktor Berishës: “Përveç Bashës, kush tjetër?”
Hidhini një sy gjelbërimit në Bulevardin e madh nga Universiteti në Stacionin e Trenit. Ku janë kuadratet me ligustra të krasitura plot hije nga Sheshi Skënderbej në Maternitet, të cilat gjallëronin edhe para luftës? Po pishat e Unazës? Shihni si janë harlisur e prishur pishat e dikurshme me kurora të një niveli, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit që trajtoheshin nën kujdesin e inxhinierëve të aftë demokratë, si Skënder Dëshnica, Orhan Sakiqi, Tomson Nishani etj., projektues edhe të gjelbërimit të Lanës, pas prerjes së plepave, apo për transformimin e Parkut të Madh, nga plepat në pishat e shëndetshme. Kush do të veprojë me vendosmëri pas 8 majit për ringjalljen e tyre? Kush tjetër përveç Bashës?
Mjaft me një kryetar Bashkie. 1 ndër 11 të korruptuarit e botës, si Edvin Rama, i cili nga një anë njihet vetëm për shembje dyqanesh të përkohshme gjatë një pjese të Lanës e në Parkun e Rinisë dhe nga ana tjetër për betonizimin kaotik, në zonat qendrore të qytetit e në Parkut e madh, me lejet e dhëna miqve të vet, bllokmenëve të rinj, në mungesë të një plani rregullues, duke prishur e bllokuar rrugë e sheshe, mjedise të blerta dhe sportive, për përfitime maksimale e të paligjshme.
A ka në botë një kryebashkiak, si Edvin Rama, që për qëllime pushteti ka harruar zyrën e vet në Bashki dhe tërë kohën e kalon me deklarata antiqeveritare tek porta e ndërtesës së PS? Pastaj nëpër autostradat e ndërtuara nga Qeveria bredh me shpifje kundër saj nëpër Shqipëri, si në një fushatë elektorale që s’ka mbarim? Bëhet qesharak para shkodranëve, kur u thotë. se “do t’i kthej Shkodrës shkëlqimin e dikurshëm”. Së fundi kujtohet e kthehet në Bashki, firmos lejet korruptive të ndërtimit për bllokmenët e rinj e për këtë shërbim merr rogën nga arka e shtetit dhe nën dorë pjesën e luanit nga veprimtaritë mafioze.
Kush kujdeset për Tiranën, për të cilën punohet me ritmin e breshkës?  Një gjendje e tillë pasqyrohet në zhvillimin skandaloz të Tiranës me trafik marramendës, si në asnjë vend të botës, po në atë rrjet  rrugor të trashëguar nga e kaluara, me shitës nëpër trotuare, pothuaj në rrugë apo në rrugica e nënkalime të ngushta, ku duke shkelur rregullat e qarkullimit, kalojnë nëpër këmbët e blerësve motoçikletat, madje edhe autoveturat, me pasoja fatale për jetën e njerëzve.
A ka në botë qytet apo qytezë, ku  me urdhër të kryebashkiakut si Edvin Rama të mbyllen WC publike? Njerëzit nga rrethet me probleme shëndetësore detyrohen të ndyjnë prapa pemëve afër stacionit të autobusëve për në lagjen Ali Demi, apo nën urat e Lanës. Vjen në Tiranë një turist apo kthehet një mërgimtar dhe ndien i habitur, sesi prapa Bashkisë dhe rreth Sahatit kundërmon era urinë!
Mjaft me një kryebashkiak të tillë, si Edvin Rama, i cili shëmtoi para botës Tiranën tonë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me sokëllima, çadra grevash, shpërndarje plehrash, me rebelime, bomba Molotov, zjarre, prishje qetësie të qytetarëve tiranas, orë e pa orë, ditën e natën. Qytetarët patriotë Tiranas me bindje të djathta apo të majta, para se të votojnë, të mendohen mirë, për shpëtimin  e qytetit të tyre dhe jo për vendosjen e një kryetari politik në krye të Bashkisë. Kush mund ta shpëtojë Tiranën? Kush përveç Bashës, djaloshit të mirëkuptimit që do të kujdeset për të gjithë pa përjashtim?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›