“Betejë” mes BE dhe kompanive ajrore
Pas kaosit ajror nga hiri i vullkanit në Islandës dhe pasojave të tij, ka nisur një “betejë” mes kompanive ajrore dhe autoriteteve evropiane. Komisari Evropian për Transportet, Sim Kallas ka deklaruar me forcë se Unioni duhet “të dyfishojë përpjekjet për respektimin e të drejtave të pasagjerëve” duke kërkuar nga kompanitë t’u përmbahen rregullave. Sepse, ndërsa situata në qiell po i rikthehet normalitetit, lista e pasagjerëve që denoncojnë se janë braktisur nëpër aeroporte dhe kanë marrë refuzime kategorike për rimbursimin e biletës së tyre është shtuar dhe kjo shkel Kartën e të drejtave të pasagjerit. Për të mos përmendur pritjet e pafundme e të shtrenjta nga “call center” me pagesë, për të gjetur fluturime “loë cost”. Karta e të drejtave të pasagjerit thotë se “në rast të anulimit të fluturimit, pasagjeri ka të drejtë rimbursimi të biletës apo si alternativë, udhëtimin e ardhshëm më të leverdisshëm për të”. Pasagjeri ka dhe të drejtë asistence në tokë, “ushqimi, pijet, transferimet nga dhe për në aeroport, dy telefonata apo teleks, faks apo e-mail, sistemimin në hotel, në rast se ka ende nevojë për shtyrje udhëtimi”. Kjo është pika më e kontestueshme e kompanive.