Bylisi i bën një nder Partizanit
Bylisi arriti një fitore bindëse kundër Lushnjës dhe siguroi matematikisht ngjitjen në Kategorinë Superiore pas vetëm një viti mungesë në elitën e futbollit shqiptar. Elbasani zhgënjeu me barazimin pa gola në Skrapar. Kamza rrëmbeu tri pikë të arta në Librazhd, duke kapur me pikë Elbasanin, ndërkohë që Partizani bëri detyrën me Memaliajn në kryeqytet. Kjo ishte panorama e rezultateve të pesë skuadrave të kreut të Kategorisë së Parë në javën e 37-të.
BYLIS-LUSHNJA 2-1
Bylisi nuk bëri asnjë kompromis me Lushnjën, duke fituar ndeshjen 2-1, siguruar Superioren dhe titullin kampion në Kategorinë e Parë, pasi kur kanë mbetur edhe tri javë përpara përfundimit, ballshiotët janë në kuotën e 66 pikëve, 13 më shumë se Kamza dhe Elbasani, të dyja nga 53 pikë. Edhe një statistikë e bukur: në 14 ndeshje të zhvilluara në Ballsh, Bylisi ka regjistruar 14 fitore. Kapiteni i ballshiotëve, Amralido Dimo, shënoi dy golat për kampionët e rinj në minutat e 47’ dhe 59’, ndërkohë që golin e vetëm për Lushnjën, e shënoi kapiteni i saj, Gentian çela, në minutën e 65-të. Një fitore me vlerë kampioni për Bylisin, ndërkohë që Lushnja rrëshqiti në vendin e katërt, me 51 pikë, po aq sa Partizani.
SOPOTI-KAMZA 0-3
Kamza regjistroi një fitore të çmuar 3-0 në transfertën e Librazhdit kundër Sopotit, duke kapur vendin e tretë, me 53 pikë, po aq Elbasani. Takimi në Librazhd u dominua i gjithë nga formacioni i Perlat Mustës, por me protagonist Radën (32’ dhe 92’) dhe Renxën (50’). Sopoti i dha fund aventurës në Kategorinë e Parë dhe sezonin e ardhshëm luan në të Dytën.
SKRAPARI-ELBASANI 0-0
Edhe pse nuk pritej, Skrapari i bëri një bllokadë të madhe Elbasanit në shtëpi, duke e mbyllur takimin me shifrat e bardha 0-0. Elbasani luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 40-të, kur u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Bardhyl Pashaj portieri i Elbasanit, Mançesvki, për një prekje me dorë të topit jashtë zone. Elbasani, tashmë e sheh veten me pikë të barabarta me Kamzën, me të cilën ndan vendet 2 dhe 3.
PARTIZANI-MEMALIAJ 2-0
Partizani rivendosi nderin në vend pas humbjes me Lushnjën, duke fituar 2-0 me Memaliajn. Kapiteni Luan Pinari shënoi nga pika e bardhë në minutën e 17-të, ndërkohë që Erjon Rizvanolli goditi shtyllën horizontale të Memaliajt. Sulmuesi Rizvanolli gjeti golin e dytë të Partizanit në minutën e 78-të pas asistit të Sulçes. Partizani u ngjit në kuotën e 51 pikëve, po aq sa Lushnja, por të kuqtë kanë golavarazh më të dobët.