E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Betejë" për pavarësim

24-09-2012 / Gazeta 55

Përkundër faktit se dy qendrat e mesme arsimore në gjuhën shqipe, tekniku dhe ekonomiku, veprojnë ndaras nga qendrat amë si dhe i plotësojnë të gjitha kushtet për t`u pavarësuar, megjithatë nuk ekziston disponim politik për themelimin e subjekteve të reja shkollore

Si pasojë e disa incidenteve mes nxënësve të shkollave të mesme të Kumanovës, pas 2001-shit paralelet në gjuhën shqipe në të gjitha shkollat, mësimin e zhvillojnë në objekte të ndara nga ato ekzistueset. Ndonëse mësimi zhvillohet ndaras, këto paralele ende mbeten në kuadër të shkollave amë, përpos dy gjimnazeve, "Sami Frashëri" në Kumanovë dhe "Ismet Jashari" në Likovë, të cilat para dy vitesh u themeluan si subjekte të reja shkollore. Kërkesa për pavarësimin e paraleleve të teknikës dhe ekonomikut, janë paraqitur qysh para dy viteve, si nga këshilli i nxënësve, prindërve e profesorëve, poashtu edhe nga grupi i këshilltarëve të pavarur shqiptarë që janë pjesë e pushtetit lokal. Kërkesa për pavarësimi e paraleleve në gjuhën shqipe të shkollës së mesme teknike "Nace Bugjoni" në shkollë më vete, daton qysh para dy vitesh. "Aso kohe, kërkesa ishte dërguar në Komunë, nga nxënësit, prindërit e nxënësve, profesorët dhe nga unë," thotë Nexhmedin Saliu përgjegjës i paraleleve në gjuhën shqipe pranë shkollës së mesme teknike"Nace Bugjoni" në Kumanovë. "Bashkangjitur me kërkesën u dërgua edhe elaborati i përgatitur për subjekt të ri shkollor, duke u respektuar të gjitha procedurat konform ligjit për themelim të subjektit të ri shkollor. Gjithashtu, kemi biseduar edhe me kryetarin Zoran Damjanovski, tek i cili duhet pranuar kemi hasur në mirëkuptim për një hap të këtillë. Mirëpo, kjo iniciativë e jona ende nuk është realizuar mbase për arsye politike, sepse si duket do të ishte tepër për një kohë shkurtër të mëvetësohen të gjitha paralelet shqipe nga të gjitha shkollat në shkolla më vete,sqaron Saliu. Ndryshe, në këtë qendër të mesme arsimore, numerikisht nxënësit shqiptar janë më shumë për dy paralele se ato maqedonase. "Paralelet tona i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore për t`u themeluar si shkollë më vete. Kemi 1.170 nxënës të shpërndarë në 39 paralele. Procesi mësimor zhvillohet në tre drejtime edhe atë në drejtimet të elektros, makinerisë dhe mjekësisë. Për shkak të drejtimeve atraktive profesionale, numri i nxënësve rritet për çdo vit. Tani edhe kushtet i kemi shumë më të volitshme se para dy vitesh, kurse mësimi mbahet në dy ndërrime",thotë Nexhmedin Saliu. Ngjashëm shprehen edhe në shkollën e mesme ekonomike, paralelet në gjuhën shqipe. Me dislokimin në ambientet e Kazermës, u plotësuan edhe kushtet hapësinore, ndërsa edhe ato kadrovike tanimë janë në nivelin e duhur, thotë Skender Saiti përgjegjës i paraleleve në gjuhën shqipe, pranë shkollës së mesme ekonomike "Pero Nakov". "Në aspektin e numrit të nxënësve, në 31 paralele mësojnë mbi 820 nxënës, diç më tepër se nxënësit maqedonas. Evidente është se ende nuk ekziston disponimi për themelimin e një subjekti të ri shkollor nga pala maqedonase, pasi që vendimi duhet të sillet në këshillin komunal të Kumanovës, e pastaj vendimi duhet të kalojë edhe në Qeveri", konkludon Saiti.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›