Vokshi: PS, politikë bllokuese edhe për të drejtat e grave
Lidhja Demokratike e Gruas zgjedh strukturat e reja drejtuese në Bulqizë
Lidhja Demokratike e Gruas mbajti dje Kuvendin e degës Bulqizë, nga ku u zgjodhën strukturat drejtuese të këtij forumi. Kryetarja e LDGSH-së, deputetja Albana Vokshi deklaroi se mazhoranca qeverisëse e drejtuar nga demokratët ka avancuar në politikat për më shumë të drejta për gratë dhe vajzat dhe rritjen e prezencës së tyre në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Ndërsa kritikoi qëndrimet bllokuese të Partisë Socialiste në reformat që kushtëzojnë integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe në promovimin e të drejtave të grave.
Vokshi tha se socialistët nuk kanë hartuar asnjë strategji dhe politikë për fuqizimin e rolit të gruas, ndërsa theksoi se në dy mandatet e qeverisë “Berisha”, është plotësuar kuadri ligjor dhe nënligjor që i njeh më shumë të drejta grave dhe vajzave, duke promovuar barazinë gjinore në shoqëri.
Punimet e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Gruas i ndoqën nga afër edhe deputete dhe drejtues lokalë të Partisë Demokratike në Bulqizë; Selami Xhepa dhe Roland Keta, të cilët vlerësuan angazhimin e këtij forumi në proceset politike të vendit.
Pas procesit të votimit, Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas, dega Bulqizë u zgjodh, Shyqyrie Hoxha si dhe u votua për kryesinë e re drejtuese.