E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me bllokimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, opozita kërkon të ruajë staturën e emërimeve klienteliste

24-09-2012 / Gazeta 55

Deputeti i PD-së Dash Sula, thotë për mediat se miratimi i projektligjit do vendosë një standard të ri në sistemin gjyqësor, duke ndaluar përfundimisht emërimet jocilësore

Anëtari i komisionit parlamentar të ligjeve, deputeti i Partisë Demokratike Dash Sula akuzon opozitën se po e zvarrit qëllimisht ligjin për Gjykatën e Lartë si përpjekje për të ruajtur modelin klientelist të emërimeve joprofesionale në gjyqësor.
Deputeti Sula thotë se ligji për Gjykatën e Lartë u japë fund emërimeve jocilësore në gjykata si dhe vendos një standard të ri në sistem. Sipas tij, ky ligj synon përzgjedhjen në bazë të sistemit të karrierës dhe u jep fund emërimeve me performancë të dobët profesionale e morale, që kanë qenë ekskluzivitet i Presidentit të Republikës.
“Rekrutimi nuk është se është në standardet maksimale që bëjnë të mundur që kandidatët, anëtarët e Gjykatës së Lartë të jenë personat të cilët janë më të mirët. Prandaj në ligjin për Gjykatën e Lartë kuptohet që janë të përcaktuara shumë qartë kriteret se si do të ndiqet mënyra e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ne po synojmë si mazhorancë, që në Gjykatën e Lartë, në sistemin e drejtësisë të vazhdohet sistemi i karrierës. Kemi parasysh pastaj që edhe Presidenti i Republikës sot ka një dorë do të thoja totalisht të lirë dhe do të thoja pa kufi sa i përket mënyrës se si nxjerr dekretin për një anëtar të Gjykatës së Lartë apo një anëtar të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh deputeti demokrat, Dash Sula.
Ai deklaroi se, gjithashtu ligji për Gjykatën e Lartë po mban të bllokuar edhe funksionimin e Gjykatës Administrative.
“Ligji për Gjykatën e Lartë është akoma shumë herë më i rëndësishëm duke patur parasysh që Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar edhe projektligjin për funksionimin e Gjykatës Administrative që hyn në fuqi në datën 1 janar të vitit 2013, që do të thotë se është i lidhur ngushtësisht me miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë”, theksoi ai.
Për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, deputeti i Partisë Demokratike, ka pohuar se ai duhet të vijë pas një procesi të gjatë konsultimesh dhe mbi të gjitha duhet të ketë integritet të lartë moral dhe profesional.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›