Betimi fajtor
Një gjykatë federale në New York e ka shpallur fajtor shqiptarin Betim Kaziu në të gjitha pikat me të cilat akuzohet për terrorizëm dhe lidhje me organizata terroriste në përpjekje për të vrarë ushtarë amerikanë në Irak, Afganistan dhe Kosovë.
Pas 5 orësh shqyrtimi, ai është shpallur fajtor dhe mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Kaziu u arrestua në gusht të vitit 2009 në Kosovë, dhe sipas prokurorisë amerikane nga Kajroja provoi të bëhej pjesë e grupit al Shabbab, një grup i lidhur me al Qaedan dhe i shpallur si terrorist nga ana e Departamentit të Shtetit.
Shpallja fajtor vjen në bazë të dëshmisë së shokut të fëmijërisë së tij me prejardhje boshnjake, Sulejmah Hadzovic. Kaziut i ishin gjetur video të komunikimit me krerë të organizatave terroriste, duke përfshirë Osama bin Ladenin.
“Ai donte të bëhej pjesë e Al-Shabaabit, për të rrëzuar qeverinë e Somalisë, provoi të shkonte në Afganistan, Irak dhe në Pakistan dhe kërkoi të blejë një AK 47 në tregun e zi. Ai gjithashtu dëshironte të sulmonte trupat e NATO-s në Kosovë, ku ka trupa amerikane”, tha avokati Ali Kazemi në gjyq.
Një video e xhiruar në Shqipëri rrugës për në Kosovë, ku Betimi thoshte se ka ardhur për t’u përshëndetur me vëllezërit e tij, u mor si dëshmi në gjykatë dhe u vlerësua si video martire, në përgatitje të sulmeve. Masa e dënimit do t’i shqiptohet në nëntor
Betim Kaziu posedon nënshtetësinë amerikane dhe atë kosovare, por që në SHBA ka adresën kryesore të tij.
Hulumtime e FBI-së, kanë konstatuar se Betim Kaziu i kishte mbështetur sulmet e Osama Bin Ladenit, njëkohësisht ai kishte vizituar një kamp luftarak në Afganistan. Trajnimi i Kaziut në Afganistan vetëm sa kishte shtuar ideologjinë terroriste si dhe urrejtjen ndaj forcave amerikane dhe popullit të besimit katolik.
FBI-ja ka sjellë fakte se Betimi kishte bërë disa herë përpjekje për të blerë armë në tregun e zi të Egjiptit, duke mundësuar kështu furnizimin me armë të organizatave terroriste. Gjatë qëndrimit të tij në Egjipt, Betimi kishte njohur boshnjakun nga SHBA-ja, Sulejmah Hadzovic, i cili po ashtu vinte nga Brooklyni. Duke përgjuar këtë person, FBI-ja ka konstatuar se Hadzovic kishte kryer po të njëjtën shkollë sikur edhe Betimi dhe se takimi i tyre në Egjipt nuk ishte një takim i rastit, por ishte një takim i paraprogramuar muaj më parë në USA. Deri më tani, Betim Kaziu është akuzuar se ai vetëm ka mbështetur terrorizmin, ku dënimi maksimal për mbështetje ishte deri në 15 vjet, mirëpo duke u bazuar në faktet e reja, ky person rrezikon burg të përjetshëm.