E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lobimi të përqendrohet në qendrat e vendosjes!

Nga Express më 09 korrik 2011 në ora 12:45

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, jep konstruksione lobimi për bartësit aktualë të politikës së jashtme. Në një intervistë për Kosovapress, ai thotë se lobimi duhet të përqendrohet në Uashington, Londër, Paris, Nju Jork, Berlin, Romë e qendra tjera të mëdha, ngase sipas tij, vetëm nga aty arrihen efektet më të mëdha në aspektin e njohjeve. Ndërkohë, Hyseni, i cili tani është pjesë e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, drejton kritika të shumta për diplomacinë e Kosovës, duke thënë se shumë ekzekutues të politikës së jashtme kanë bërë që Kosova të mbetet pa adresë të diplomacisë.

Duke folur për lobimin e fundit të zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli në Marok, Hyseni ka thënë se Pacollit i është dashur të shkojë në Marok për të kuptuar se ekziston problemi i Saharasë Perëndimore dhe në këtë drejtim ai shpreh dyshimin nëse Maroku ndonjëherë do ta njeh Kosovën, pikërisht për shkak të këtij problemi.

Andaj ish ministri i Jashtëm thekson se lobimi duhet të përqendrohet në qendrat e mëdha të vendosjes dhe shpreh bindjen e thellë se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihen njohjet edhe nga shtetet afrikane.

“Absolutisht. Dhe vetëm përmes vendeve të mëdha. Assesi drejtpërdrejt, sepse është një numër shumë i vogël i vendeve afrikane që bëjnë politikë të jashtme krejtësisht të pavarur. Të gjitha janë të varura nga qendrat e mëdha të vendimmarrjes dhe të gjitha i përshtatin nacionale me interesat globale, patjetër ku ndërthuren dhe ku vihen në lojë fuqitë e mëdha”, ka thënë ai.

Hyseni thotë se Qeveria e Kosovës nuk guxon ta thotë qartë pse nuk ka njohje. Sipas tij, njohjet kanë ngecur për shkak të dialogut me Serbinë dhe për shkak të ngecjeve të brendshme në fusha të ndryshme.

“Duhet të thuhet qartë dhe me guxim arsyet pse s’ka njohje. Kjo qeveri nuk po ka guxim ta thotë qartë se njohjet aktualisht nuk po vijnë për shkak të dialogut me Serbinë, e jo për shkaqe tjera. Njohjet nuk po vijnë për shkak të stagnimeve në planin e brendshëm në fusha të ndryshme, njohjet nuk po vijnë për shkak të raporteve të shumta që po e diskreditojnë Kosovën. Duhet të merret guximi dhe të thuhet qartë pse nuk ka njohje dhe jo të bëhen përpjekje që të mashtrohet opinioni me do farë strategjish apo me do farë gjysmëveprimesh në planin e lobimit të cilat siç po shihet nuk po sjellin asnjë të mirë”, është shprehur ai.

I pyetur nëse ka përzierje kompetencash për faktin se janë disa aktorë të përfshirë në politikën e jashtme, Hyseni thotë se nuk sheh kompetenca fare.

“Nuk janë përzierje kompetencash, sepse ato nuk po shihen askund. Domethënë nuk ka politikë të jashtme në shumë pika fatkeqësisht po e them me keqardhje, po e them se nuk ka adresë në politikën e jashtme. Aq shumë ekzekutues në politikën e jashtme kanë bërë që Kosova të mbetet pa adresë. Jo që janë përzier kompetencat, por nuk dihet fare, cilat janë ato kompetenca”, theksoi Hyseni.

Sa i përket kontributit të tij si ish-ministër i Jashtëm në fushën e lobimit për njohje, Hyseni thotë mundësitë e tij janë të pakta. Por, sidoqoftë, Hyseni thekson se ai i shfrytëzon lidhjet e tij të krijuar gjatë viteve, mirëpo këtë dëshiron ta bëjë larg opinionit, ngase konsideron se nuk i ndihmohet Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke i ndërhyrë dhe duke bërë paralelizma.

Ai thotë se gjatë kohës sa ishte ministër i Punëve të Jashtme kishte ndërhyrje të egra të cilat shpeshherë kanë dëmtuar rëndë aktivitetin e kësaj ministrie.

“Absolutisht ka pasur ndërhyrje nga shumë anë, jo vetëm nga zoti Pacolli. Gjithsesi nga zoti Pacolli ka pasur ndërhyrje në momente shumë vendimtare që i kanë shkaktuar dëme shumë të mëdha në disa faza politikës së jashtme të Republikës së Kosovës”, është shprehur Hyseni.

Veç tjerash, Hyseni në intervistën për Kosovapress ka kritikuar bartësit e politikës së jashtme, duke filluar nga presidentja Jahjaga, kryeministri Thaçi, zëvendëskryeministri Pacolli, ministri i Jashtëm Hoxhaj, duke thënë se në vizitat jashtë vendit duhet ta përfaqësojnë dinjitetshëm shtetin e Kosovës, e jo ta diskreditojnë me takime të rendit të dytë apo të tretë, të cilat nuk i bëjnë nderë Kosovës, e gjithsesi nuk i sjellin asnjë dobi në planin e njohjeve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›