Nuk lirohet buka

Edhe pse tash është koha e korrje-shirjeve dhe në gjithë botën bien çmimet e grurit dhe miellit, në Kosovë çmimet e bukës nuk pritet të lirohen. Drejtuesit e Shoqatës se Mullisëve të Kosovës thonë se buka mund të lirohet deri në 3 centë, por kjo do të zgjasë për një periudhë dy mujore dhe serish do të rritet.
Tashmë disa furra në Prizren kanë liruar çmimet e bukës për 10 centë, për shkak se ky çmim më herët ka qenë 50 centë. Por, këtë hap të tyre nuk pritet ta ndjekin furrat tjera në Kosovë, ku çmimi i bukës varion nga 35 deri në 40 centë.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muhamet Farizi ka thënë për Kosovapress se furrtarët kanë punuar me humbje dhe tash atyre tash u nevojitet të përmirësojnë rentabilitetin financiar të tyre.
Sipas tij, lirimi i çmimit të miellit dhe bukës do të fillojë në mënyrë graduale, por nuk do të ketë një rënie të madhe të çmimit.
“Nëse ajo ulet mundet me qenë sipas kalkulimeve të mia për dy-tre centë e cila pak reflektohet. Por edhe tek mielli do të vërehet, por ende nuk fillojnë me punuar me grurin e ri, grurin të cilin e kanë blerë e kanë blerë me çmim të lartë dhe edhe aty do të vërehet. Kjo është në mënyrë zingjirore edhe mielli edhe buka dhe nuk pritet shpejt para 20 ditëve nuk pritet lirimi”, ka theksuar Farizi.
Ai ka shtuar se çmimi aktual i miellit është 43 deri 44 centë, ndërsa pas dy javësh ky çmim mund të zbresë deri në 38 centë, por pas dy muajve çmimi serish do të ngritet.
Drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate thotë se përkundër rritjes së rendimenteve të grurit për këtë vit, Kosova nuk mund t’i mbulojë nevojat e veta.
“Te ne pritet një prodhimtari e grurit 265 mijë tonelata këtë vit krahasuar me vitin e kaluar edhe rendimentet janë më të mira dhe cilësia është më e mirë, gruri është më i pastër dhe përveç asaj mbetet që krahasuar me vitin e kaluar një sasi 20 për qind më tepër. Gjithashtu edhe pritet që prej importit të furnizohemi edhe me nja 100 mijë tonelata grurë edhe 30 mijë tonelata miell”, ka thënë Farizi.
Kosova pritet që sivjet t’i përmbushë nevojat prej 60 deri në 63 për qind dhe pjesa tjetër pritet të mbulohet nga importi me 100 mijë tonë grurë të importuar dhe 31 mijë tonë miell.
Gjithashtu Farizi ka theksuar se është bërë kërkesë tek institucionet që të sigurojnë rezervat shtetërore në rast krizash të ndryshme dhe të intervenohet në rast të ngritjes së çmimeve prej rezervave shtetërore, por deri më tash nuk ka asgjë konkrete.
Ndërsa, furrtarët nuk dëshirojnë të komentojnë uljen apo ngritjen e çmimeve të bukës. Ndërsa për disa kolegët e tyre që kanë zbritur bukën për 10 cent ata thonë që në këtë qytet ka qenë më shtrenjtë dhe tash është nivelizuar çmimi.
Deri më tash buka është shtrenjtuar disa herë për shkak të krizës me grurë në tregun botëror.
Kosova brenda vitit importon rreth 122 mijë tonë grurë, prej tyre rreth 80 për qind nga Serbia, kurse pjesën tjetër nga Hungaria, Austria dhe Bullgaria. Ngritja e çmimit të grurit në tregjet e rajonit është reflektuar direkt në ngritjen e çmimit të bukës në Kosovë për rreth 50 për qind.