E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po diskriminohen në master

Nga Express më 09 korrik 2011 në ora 13:16

Universiteti i Prishtinës ka paraparë që këtë vit akademik masterin do të mund ta regjistrojnë rreth 2500 studentë që priten të jenë kryesisht nga ky universitet, por jo edhe nga kolegjet private.

Përfaqësuesit e kolegjeve kërkojnë që të trajtohen njëjtë, kurse ata të UP-së thonë se kërkesa e kolegjeve janë të mëdha dhe kryesisht në drejtimet që vetë UP-ja nuk ka vend për studentët e saj.

Tani studimet master kanë fituar një peshë tjetër. Për shumë njerëz ato janë bërë pjesë e shkollimit të rregullt, pasi trevjeçari nuk mjafton që ata të kualifikohen në mënyrë adekuate për profesion dhe tash ata janë të detyruar të vazhdojnë me studime master.

Duke u ndalur te nevoja e regjistrimit të masterit, Lulzim Tafaj nga kolegji Rrinvest-AAB ka thënë për Kosovapress se Universiteti i Prishtinës duhet që edhe studentët e kolegjeve t’i trajtojnë njëjtë në master.

“Për konkurrim nuk duhet të ketë pengesa për askënd dhe të gjithëve duhet t’i mundësohet e drejta e konkurrimit, sepse para ligjit janë të gjithë të barabartë. Ligji për arsimin e lartë në Kosovë ka siguruar barazi njësoj si për student të universiteteve private, si për student të universitetit publik”, ka thënë Tafaj.

Prorektori për çështje akademike në UP, Bajram Berisha ka thënë për Kosovapress se duhet të jetë një marrëveshje në mes UP-së, Ministrisë së Arsimit që të gjendet një zgjidhje që një numër i studentëve të kolegjeve private të ketë mundësi të inkuadrohet në UP.

“Është një çështja që nuk varet krejt nga ne dhe si universitet publik kemi obligime që të sigurojmë vende të mjaftueshme për studentët, të cilët janë në studime të rregullta tek ne, ndërkohë që kërkesat nga kolegjet private kanë qenë të mëdha edhe herëve të kaluara, por ne fatkeqësisht nuk kemi pas mundësi që t’i pranojmë për arsye se kërkesat e tyre janë kryesisht nëpër drejtime të cilat ne nuk mund t’i ofrojmë vende të mjaftueshme as studentëve tanë”, ka thënë Berisha.

Por, eksperti për Arsimin e Lartë në Kosovë, Dukagjin Popovci insiston se Universiteti i Prishtinës duhet t’i trajtojë të gjithë studentët njësoj dhe të mos ketë diskriminim.

“Për mua nuk është arsye të thuhet se UP-ja nuk ka vende as për studentët e vetë. UP-ja në momentin kur hap konkursin për Master duhet të jetë e hapur ndaj të gjithë banorëve të Kosovës dhe të ketë forca edhe për student të cilët vijnë nga vendet tjera dhe mendojë se aty nuk duhet të ketë asnjë lloj diskriminimi”, ka thënë Popovci.

Sipas tij, UP mund të vendosë kritere shtesë siç janë provime pranuese në bazë të së cilës mund t’i selektojë më të mirët.

Ndryshe, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit thonë se studentët e kolegjeve private ndihen të diskriminuar, pasi kanë qenë të privuar nga masteri në UP.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›