Frika nga Florini
Partia e Hashim Thaçit është e shqetësuar shumë për dhëmbët e kryetarit të saj. Deputetët e PDK-së, të premten janë shprehur të brengosur në lidhje me deklaratat e një kolegu të tyre, nga një parti rivale.
Florin Krasniqi, deputet nga Vetëvendosja, dy ditë më herët është trimëruar kur ka deklaruar se mundet dhe ka guxim t’ia thyejë dhëmbët Kryeministrit të Kosovës. Kjo deklaratë, duket se nuk e ka shqetësuar vetë Kryeministrin Thaçi, sa i ka shqetësuar të tjerët në parti.
Derisa Kryeministri gjendet në një udhëtim zyrtar në Kroaci, deputeti nga radhët e PDK-së, Berat Buzhala, në seancën e së premtes në Kuvendin e Kosovës, tha se partia është shumë e shqetësuar me “gjuhën kërcënuese të Florin Krasniqit”. Këto deklarata, deputeti Buzhala i ka quajtur si formën më primitive të reagimit njerëzor e politik, të bërë ndaj institucioneve dhe liderëve shtetërorë. “Ky ka arritur të jetë deputet në formën siç ka ardhur, në mënyrë të turpshme e kërcënoi Kryeministrin se do t’ia thyejë dhëmbët. Çfarë ndodh me një shoqëri? Ne si grup parlamentar kërcënimet i konsiderojmë si formë më primitive, akt i pashembullt. Ne si grup parlamentar duam t’i garantojmë qytetarët se as grushtet, e as thyerja e dhëmbëve nuk do të tejkalojnë votën e lirë. Ne besojmë se nuk ka asnjë grusht që do ta thyente vullnetin e popullit”, ka thënë Buzhala gjatë seancës. Ai kërkoi nga drejtuesit e Vetëvendosjes dhe lideri i saj, Albin Kurti, që të japë sqarime nëse kërcënimet e Florin Krasniqit janë qëndrime të tij personale apo të gjithë partisë.
Pavarësisht kësaj, duket se nuk janë vetëm deputetët e PDK-së që e kanë marrë me shqetësim deklaratën e Florin Krasniqit. Edhe Policia e Kosovës i ka marrë seriozisht deklaratat për dhëmbët e Kryeministrit Thaçi. Nga burime të brendshme në Polici, mësohet se janë rritur masat e sigurisë për shefin e ekzekutivit, edhe pse një gjë e tillë nuk konfirmohet zyrtarisht.
Në Polici, shpjegojnë se si bëhet sigurimi i një personaliteti nga njësitë e mbrojtjes së afërt. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë, sqaron se ata bëjnë sigurimin permanent të Kryeministrit dhe objekteve ku rri ai, në bazë të vlerësimit të rrezikshmërisë që i bën njësiti për vlerësim të rrezikshmërisë. “Policia ka forcë policore të mjaftueshme, e cila është nën përcjellje të vazhdueshme të Kryeministrit të Kosovës”, tha Kelani për Express. Kelani nuk jep asnjë sqarim nëse nga zyra e Kryeministrit është bërë ndonjë kërkesë për shtim të masave të sigurisë, mirëpo bëhet e ditur se pas çdo deklarate “kërcënuese”, ndaj zyrtarëve të lartë, Policia në bazë të rregullave të funksionimit merr masa, duke ua rritur sigurinë atyre.
Një burim brenda në polici ka thënë se deklarata e Krasniqit është bërë publike dhe nuk paraqet ndonjë problem të madh. Me gjithë këto deklarata, policia ka ndërmarrë masa shtesë, edhe pse një zyrtar i lartë në Polici ka thënë se deklarata e Krasniqit nuk mund të quhet kërcënim. Njëjtë mendon edhe “kërcënuesi” Florin Krasniqi.
Ai sqaroi të premten për Express se deklarata e tij nuk ka lidhje me kurrfarë kërcënimi. “Me pas dashtë unë, moti ia kisha ba ashtu qysh kam thënë. Por unë e kam gjetë rrugën, e ajo është nëpërmjet gjykatës”, tha Krasniqi për Express. Ai tha se deklaratën e tij dikush po e përdor për spektakël në seancat e Parlamentit.
Ndërkohë, Krasniqi sqaron se deklarata e tij nuk ka të bëjë asgjë me Lëvizjen Vetëvendosje, e as me PDK-në. Sipas tij, Thaçi nuk ka shpifur për gratë e askujt në Vetëvendosje, por vetëm për gruan e Florin Krasniqit. “Kjo ka të bëjë me Hashim Thaçin, me bandën e tij dhe me mua personalisht.
Madje shumë deputetë të PDK-së më kanë kërkuar falje për ato çka ka shpifur Hashim Thaçi për mua dhe familjen time ”, tha Krasniqi për Express. Ai edhe një herë deklaron se rruga e vetme që ai ka zgjedhur është ajo nëpërmjet gjykatave, e jo e qërimit të hesapeve fizikisht.