E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betohen anëtarët e KQZ-së

Autori i Lajmit: red.
Shtatë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë betuar dje para Kuvendit. Pas leximit të tekstit të betimit nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, anëtarët e rinj të KQZ-së u betuan në një ceremoni publike para Kuvendit të Shqipërisë, ashtu sikurse parashikohet edhe në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. Kuvendi miratoi në seancën plenare të ditës së hënë përbërjen e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas propozimeve të bëra nga partitë politike. Kuvendi miratoi tri kandidaturat e propozuara nga PD, Arben Ristani (ish-anëtar i KQZ-së), në postin e kryetarit të KQZ-së, dhe anëtarët Hysen Osmanaj dhe Vera Shtjefni si dhe kandidaturat e propozuara nga PS, Dëshira Subashi, aktualisht anëtare e KQZ-së dhe Artan Laze. Në të njëjtën kohë, deputetët miratuan edhe propozimin e PSD-së për kandidaturën e Pandeli Varfit, si dhe kandidaturën e Klement Zgurit, propozuar nga PR. Por të gjitha këto vendime të ligjvënësve shqiptarë janë marrë në limite kohore, duke vështirësuar seriozisht punën e KQZ-së. Një fakt i tillë pohohet nga anëtarja e rizgjedhur e këtij institucioni. Dëshira Subashi pohon se KQZ duhet të fillojë urgjentisht punën, sepse ka shumë vonesa. “Gjëja e parë që do të bëjmë është fillimi i përgatitjes së zgjedhjeve që janë me vonesë në kohë. Ka shumë risi, ka shumë akte të rëndësishme që duhet të marrë KQZ-ja dhe besoj se që në ditët e para do të fillojë nga kjo punë”, - tha ajo. Ndërsa përfaqësuesi i republikanëve, edhe ky i rizgjedhur, Klement Zguri, pohon se pavarësisht sensibilitetit që ka politika, media apo edhe opinioni publik, KQZ është brenda të gjitha afateve ligjore. Ai kujton se ligjërisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte afat konstituimi deri në fund të janarit, nga i cili kanë kaluar vetëm pak ditë. Kjo, thekson Zguri, nuk pengon përgatitjen e një procesi të plotë për zgjedhje të lira e të ndershme. Mbledhja e parë e KQZ-së, e cila do të jetë sot do të zgjedhë dhe nënkryetarin e këtij institucioni dhe pas këtij procesi do të nisin procuedurat për përgatitjen e zgjedhjeve. “Pas zgjedhjes së nënkryetarit, KQZ sipas procedurave, duhet të merret me riorganizimin, pastaj aktet ligjore dhe nënligjore që KQZ ka si kompetencë për të normuar procesin”, - sqaroi Zguri. Ngritja e KQZ-së është përshëndetur dhe nga demokristiani Anton Gurakuqi. “Ngritja e KQZ-së së re, si institucioni qendror ku varen edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, shënon një angazhim të ri për administrimin e votës dhe shpalljen me kujdes të vullnetit politik të qytetarëve shqiptarë”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 06/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›