E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betohen dy anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë

Betohen sot dy anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë të cilët morën miratimin e Kuvendit të Shqipërisë disa ditë më parë. Edmon Islamaj dhe Shkëlzen Selimi janë betuar përpara trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë.
 

Anëtarët më të rinj të Gjykatës së Lartë, u betuan solemnisht se do t`i qëndrojnë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi duke respektuar rregullat e etikës profesionale.
 

Gjatë fjalës së mbajtur me rastin e kësaj ceremonie solemne në ambientet e Gjykatës së Lartë, Kryetarja e kësaj gjykate znj. Shpresa Beçaj theksoi ndër të tjera se: "Krahas kënaqësisë, ne ndjehemi disi të çliruar, pasi kjo Gjykatë për një kohë shumë të gjatë është lënë me vende vakante (4 e më pas 3, dhe tani 1 vend vakant), që e konsideroj një situatë të rëndë e aspak normale, pasi në këtë Gjykatë gjykohen çështje të rëndësishme, të vështira, delikate, që për qytetaret kanë rëndësi jetike. Në qoftë se vendet vakante do të ishin plotësuar në kohën e duhur, nga numri total i çështjeve të mbetura për shqyrtim deri tani do të ishin rreth 2500 çështje më pak.
 

Duke vlerësuar maksimalisht rolin e Gjykatës së Lartë, si shkalla më e lartë e dhënies së drejtësisë, kërkoj angazhimin e Presidentit të Republikës e dy pushteteve të tjera për të mos lejuar të përsëriten raste të tilla me mbarimin e mandateve të gjyqtarëve të kësaj gjykate. Gjithashtu, ka vazhduar më tej znj. Beçaj, vlerësoj të kërkoj nga politika shqiptare e deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ndërmarrjen e hapave konkretë për çuarjen përpara të reformave në Gjykatën e Lartë si një proçes kompleks që kërkon angazhimin e të gjithë pushteteve për të propozuar, shqyrtuar dhe miratuar një kuadër ligjor që i përgjigjet kërkesave për një proçes gjyqësor të drejtë, të paanshëm e që realizohet brenda afateve të arsyeshme".
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›