E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betohet Obama: Shpejt, SHBA më e fuqishme se më parë

Uashington - Presidenti i SHBA-së Barak Obama, përballë krizës së rëndë ekonomike, i ka dhënë kurajo qytetarëve të vendit të tij.

Ekonomia do ta marrë veten përsëri dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë të fuqishme si më parë, sa po të dalin nga kriza, tha Obama në fjalën e tij të parë si president, para dy dhomave të Kongresit në Uashington. Vendi duhet të qëndrojë së bashku për të përballuar sfidat.

"Ju nuk kishit nevojë që ta mësonit nga të tjerët që ekonomia jonë është në krizë, sepse ju atë e jetoni çdo ditë. Tani është koha që të marrim mbi vete përgjegjësinë për të ardhmen. Unë dëshiroj t'i them çdo amerikani se Shtetet e Bashkuara do të rimëkëmben dhe do të bëhen më të forta se më parë."

Zoti Obama tha se ndërsa ekonomia amerikane është dobësuar dhe besimi i popullit amerikan ështe lëkundur, vendi megjithatë do të del nga kjo situatë edhe më i fortë.

Presidenti Obama tha se buxheti të cilin po e përgatiste do të kishte tre prioritete të investimit - energjinë, kujdesin shëndetësor dhe arsimin.

Është koha, tha Presidenti Obama, që t’i jepet një shtytje krijimit të vendeve të punës, që bankat të rifillojnë të japin hua dhe që të investohet në aspekte të tilla si energjia, kujdesi shëndetësor dhe arsimi të cilat do të ndikojnë në rritjen e ekonomisë.

Presidenti Obama tha se plani i tij i stimulimit të ekonomisë i miratuar nga Kongresi dhe i nënshkruar prej tij në ligj javën e kaluar, do të krijojë ose shpëtojë 3.5 milion vende pune. Ai tha se më shumë se 90 përqind e vendeve të reja të punës do të jenë në sektorin privat – rindërtim rrugësh dhe urash, ndërtim turbinash me erë dhe panelesh diellore, instalim i linjave të shpejta të internetit dhe zgjerim i sistemeve të transportit masiv.

Në pjesën e politikës së jashtme, presidenti Obama gjatë fjalës tij, paralajmëroi një frymë të re në fushën e diplomacisë. Qeveria e tij dëshiron të vendosë një klimë ndërkombëtare të besimit. Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të hartojnë një strategji të re për Afganistanin dhe Pakistanin, për të mposhtur al-Kaidën dhe luftuar ekstremizmin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›