Betonohet barrikada mbi urën e Ibrit, s’ka incidente
Banorët serbë hedhin beton mbi barrikadën në Mitrovicë, por policia e Kosovës dhe zyrtarët e KFOR-it e cilësojnë situatën të qetë
Disa banorë serbë betonuan barrikadën mbi urën kryesore që lidh dy brigjet e lumit Ibër, por zyrtarë të policisë së Kosovës thonë se nuk ka pasur incidente, të cilat do të rrezikonin sigurinë e përgjithshme. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti thotë se përmes veprimeve të tilla, grupet ekstremiste të serbëve po përpiqen ta provokojnë situatën. “Kemi pasur një aktivitet, me qëllim më tepër provokues nga grupet ekstremiste, të cilat kanë vendosur një masë të betonit përmbi barrikadën ekzistuese në urën kryesore mbi lumin Ibër. Kjo ka ngjarë në orët e mbrëmjes, menjëherë pas një ndeshjeje sportive, në të cilën ka marrë pjesë vetë reprezentacioni i Republikës së Serbisë”. “Është e qartë se grupet ekstremiste kërkojnë një partner për të provokuar situatën apo për ta eskaluar atë. Por, fatmirësisht, nuk kemi reagim nga qytetarët nga pjesa jugore e qytetit”, thotë Hoti. Sipas tij, pavarësisht bllokimit të urës kryesore mbi lumin Ibër, nëpër të cilën është pamundur qarkullimi i automjeteve, qarkullimi i qytetarëve nga të dyja anët e këtij lumi vazhdon të jetë i lirë. “Të gjitha mundësitë e qarkullimit janë, ekzistojnë rrugë, përveç kësaj urës kryesore, për të cilën trafiku rrugor është i penguar. Do të thotë, nuk mund të qarkullohet në komunikacionin e trafikut rrugor. Ndërsa këmbë, qytetarët këmbësorë mund të kalojnë edhe përmbi urën kryesore, pa telashe”. “Rrugët tjera, përmes Lagjes së Boshnjakëve, fshatit Suhodoll, pjesës Tre Rrokaqiejt, të gjitha këto janë të hapura. Do të thotë, nuk ka telashe në këtë drejtim”,- shpjegon Hoti. Ai thotë se në mjediset me popullatë të përzier në veriun e Kosovës, është e pranishme Policia e Kosovës, ndërkohë që ajo e shoqëron edhe qarkullimin e autobusëve, që bartin udhëtarët nga Kodra e Minatorëve në veri të Mitrovicës, për në pjesën jugore të qytetit. Edhe zyrtarët e KFOR-it e përshkruajnë të qetë situatën në vendkalimet kufitare në Jarinë dhe Bërnjak. Zëdhënësi i kësaj force, Frenk Martin, thotë se gjatë orëve të fundit nuk ka pasur ndonjë lëvizje që do të cenonte situatën e sigurisë në vendkalimet kufitare në veri të vendit.