E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon greva në burgun e Fushë-Krujës

FUSHË –KRUJË Ka hyrë në ditën e pestë greva e urisë e 300 të burgosurve në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë. Ndërsa deri tani as drejtuesit aktualë, por edhe asnjë përfaqësues i Drejtorisë së Burgjeve në vendin tonë dhe as nga Avokati i Popullit nuk kanë kryer takime me të burgosurit e këtij burgu, për të parë me kujdes kërkesat e tyre tashmë të bëra publike. Të burgosurit duket se kanë kombinuar grevën e urisë, me lidhjet që kanë pasur ata me avokatët si dhe të afërmit e tyre, ku edhe kanë zhvilluar takimet ditë më parë. Në kërkesat që ata kanë ngritur dhe që kërkojnë zgjidhje janë: “Mosfunksionimi i dusheve e ujë të ngrohtë apo të ftohtë, po kështu dhomave të burgut sipas të dënuarve nuk iu funksionin sistemi i ngrohjes. Ndërsa nga autoritetet e burgut, sipas të dënuarve, u është ndaluar vendosja e rrobave për tharje në dritare, në një kohë që nëpër dhoma ka shumë lagështirë. Po kështu, dyqani i brendshëm i burgut nuk është korrekt, pasi shumë artikuj mungojnë dhe çmimet janë më të shtrenjta se jashtë burgut. Dhomat e burgut janë të mbipopulluara, ku nga 4 vete që kanë kapacitetin ato janë populluar me nga 6 persona. Ndërsa lidhur me ushqimin që vjen nga familjaret, atyre nuk u lejohet të fusin më shumë se 5 kg për njeri në 7 ditë, ndërkohë që ushqimi i burgut, sipas tyre nuk është higjenik dhe i shëndetshëm, por ka edhe një cilësi të dobët. Dhomat nuk kanë aspirim ajri dhe shpesh mungon energjia elektrike. Po kështu, lejet shpërblyese nuk funksionojnë sipas ligjit në çdo 3 muaj, por gjithashtu edhe shërbimi mjekësor nuk është në nivelin e duhur”, kanë bërë të ditur të burgosurit me anë të një letre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›