E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, 500 familje të përmbytura nga ujërat e zeza

Fondi për ndërtimin e rrugës, sipas Bashkisë duhet të jepet nga ALUIZNI, ndërsa Bashkia ka vendosur që të bëjë një investim në këtë zonë informale

VLORË Rreth 500 familje të zonës së ish-Fushës së Aviacionit në lagjet “Kushtrimi” e “24 Maji” janë prej disa muajsh të ‘mbytura’ nga ujërat e zeza, që në shumë raste bashkohen dhe me ato të bardha. Banorët kërkojnë ndihmën e Bashkisë së Vlorës për të vazhduar ndërtimin e rrugës dhe lidhjen e saj nga rruga “Hysni Lepenica” në formën e unazës me rrugën “Hysni Shehu”, një segment që nuk i kalon të 400 metrat. E tërë zona është e përmbytur nga ujërat e zeza, ku shumë banorë edhe fëmijë të zonës, për të vajtur në shkollë kacavirren nëpër muret që rrethojnë shtëpitë. Zona dhe ky segment rrugor prej 400 metrash është i tëri nën ujë, ku niveli arrin rreth 40 cm, ndaj fëmijët, si dhe banorë të ndryshëm të kësaj zone nuk mund të kalojnë dot. Ata thonë se hera-herës, për të bërë pazarin e për të dalë nga shtëpia janë të detyruar që të veshin çizme, kurse në dimër ka gjasa të jenë të detyruar të mos dalin fare. Kjo lidhet me frikën për ndonjë përmbytje të mundshme, ndaj këto kushte detyrojnë banorët të shprehen se, nëse Bashkia nuk vë dorë në këtë lagje e segment, "do të hidhemi në protestë". Mëngjeset këtu nuk janë aspak të këndshme, ku shikon prindër që "transportojnë" fëmijë për të kaluar pengesat që vijnë prej ujit e baltës, e sidomos fëmijë të pashoqëruar nga të rriturit, që mundohen të gjejnë mënyrën për të kaluar. Një prej tyre thotë se, “imagjinoni në dimër kur kjo zonë do të përmbytet plotësisht e ne nuk kemi ku të kalojmë. Për të ndjekur shkollën varemi mureve të shtëpive, që të mund mos të lagemi, për shkak se në shkollë qëndrojmë nga 6 orë e mund të ftohemi. Ndaj, i bëjmë thirrje Bashkisë që të na shtrojë rrugën e të na bëjë të mundur sistemimin e lagjes ku banojmë".

Bashkia

Pyetur për problematikën e krijuar në lagjen “Kushtrimi” e “24 Maji” në zonën e ish- Fushës së Aviacionit, shefi i shërbimeve pranë Bashkisë Vlorë, Ardian Musta, shprehet se "bëhet fjalë për segmentin rrugor, i cili ishte i parashikuar për t’u ndërtuar me fondet e Bashkisë së Vlorës për të gjithë sistemin rrugor të ish-Fushës së Aviacionit. Unë iu rikujtoj banorëve, që të gjitha investimet në zonat informale, si kjo që ne po flasim aktualisht, këto lekë ishin parashikuar që do të dilnin nga 0.2 përqindëshi i taksës së infrastrukturës i ALUIZN- it. Ne si bashki, dhe sot e kësaj dite nga ALUIZNI nuk kemi marrë asnjë lek dhe ky është i vetmi problem. Për të vazhduar implementimin e plotë të segmentit rrugor, Bashkia e Vlorës me aq fond sa kishte në dispozicione ka zbatuar vetëm fazën e parë të punimeve në këtë segment rrugor. ALUIZNI kishte parashikuar të derdhte në buxhetin e Bashkisë së Vlorës rreth 800 milionë lekë, por deri tani në buxhetin e Bashkisë së Vlorës, ALUIZNI ka derdhur zero lek dhe për këtë arsye nuk është mbyllur unaza rrugore në këtë zonë. Ndërkohë, nëse flitet për përmbytje, në këtë zonë ne kemi kaluar ujësjellësin e ri, kemi bërë disa prerje të paligjshme në këtë zonë me tubacionin e tubave të vjetër, pasi kjo zonë është e lidhur me ujësjellësin e ri”. Ndërkohë që për ujërat e zeza, sipas tij, do të hapet një kanal i ri, që do të sjellë dhe prishjen e disa nga muret rrethuese të këtyre familjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›