Përgjegjësi i Gjendjes Civile tenton të përdhunojë një 20-vjeçare
Ngjarja është mbajtur e fshehur nga policia, ndërsa bashkëshorti i së resë ka shkuar dhe është grindur me agresorin
BURREL Një ngjarje e rëndë është regjistruar këto ditë në komunën e Derjanit, në rrethin e Matit. Burime të sigurta informacioni pohuan se protagonist i një skandali të pazakontë është përgjegjësi i Gjendjes Civile, Adem Doda. Mësohet se ai ka tentuar të përdhunojë në zyrën e tij një banore nga fshati Shëlli, komuna e Macukullit, në momentin kur ajo është ndodhur në zyrën e Gjendjes Civile për një certifikate familjare. Banorët e Derjanit që kanë parë nga afër skenën rrënqethëse, thanë se A.Gj. 20 vjeçe, i është drejtuar zyrës së Gjendjes Civile në katin e dytë të godinës së komunës, ndërsa bashkëshorti ndodhej më larg, në një lokal të fshatit. “Gruaja që erdhi nga Shëllia, doli nga zyra e Gjendjes Civile duke bërtitur me të madhe, ndërkohë që fëmija e saj e vogël ulërinte brenda. Ai faqezi më preku. Më tha “ma jep pak faqen xhaxhit”. Deshi t’më prekë me duar dhe ika me vrap”, - tha një dëshmitare në vendin e ngjarjes, e cila këto pohime i ka dhënë edhe për policinë, por kjo e fundit e ka mbajtur sekret ngjarjen, madje burime të besueshme sqarojnë se eksponentë të saj kanë ndërhyrë për ta mbyllur çështjen, duke i kërkuar gruas së dhunuar të mos bëjë kallëzim në polici. E pushtuar nga lotët dhe frika, ajo dridhej para zyrave të komunës, ndërkohë që shumë njerëz kureshtarë e shihnin me dhimbje. Kur mbërrin bashkëshorti, situata tensionohet. Ai tenton ta dhunojë Dodën, por ai largohet nga vendi i punës dhe mbyllet në shtëpi për disa ditë. A. Gj. nuk ka bërë denoncim në policinë lokale, pasi kjo i është kërkuar nga efektivë të policisë së Burrelit dhe nga drejtues të komunës Derjan. Muaj më parë, po ky zyrtar i Gjendjes Civile të Derjanit është kallëzuar në prokurori për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe shpërdorim detyra, ndërkaq çështja nuk ka mbërritur ende në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat. P. HASA