Ksera: Omonia nuk mund të pengojë procesin
Një nga ministrat që përfaqëson minoritetin grek në qeverinë Berisha, Spiro Ksera, është shprehur kundër qëndrimeve të “Omonias”, e cila ka ftuar minoritarët të mos i bashkohen procesit të censusit në vendin tonë, që filloi dy ditë më parë. “Jetojmë në një shoqëri demokratike dhe organizatat mund të shprehen. Por jo një përfaqësues t’u bëjë thirrje gjithë të tjerëve për të refuzuar regjistrimin”, - ka deklaruar Ksera. Sipas ministrit të Punës, Spiro Ksera, formulari i përgatitur për këtë proces është sipas EUROSTAT-it. Sipas tij, procesi i vetëdeklarimit nuk do të ketë mundësi abuzimi për askënd. “Procesi i vetëdeklarimit u lejon personave që të gjykojnë se si duhet të sillen, prandaj rezultatet do të tregojnë se çfarë do të bëhet. Çështja e debatuar e gjobës ka më shumë të bëjë me çështjen e biznesit, të shtëpive dhe regjistrimin e tyre”, - ka sqaruar ai. Ksera thotë më tej se pyetësori, të cilin duhet të plotësojnë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga debatet e shumta, është konfirmuar dhe nga ana e qeverisë, edhe nga INSTAT-i, që i ka të përfshira të tria pyetjet e debatuara, çka është një nga kërkesat e hershme të shoqatave të minoritarëve. Ndërsa për kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, “etnia dhe feja nuk duhet të ishin përfshirë në censusin e popullsisë dhe e dëmtojnë këtë proces. Megjithatë, sipas kreut të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, amendamentet e forcës politike që ai kryeson do të jenë mjeti për të ndaluar abuzimin me regjistrimin e popullsisë. Për këtë arsye, thotë Idrizi, për cilindo që do të deklarojë kombësi të rremë, INSTAT-i është i detyruar ta korrektojë vetëdeklarimin e lirë, me të dhënat zyrtare që gjenden në regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile. Sa i përket deklaratave për tërheqje të qytetarëve nga ky proces, Shpëtim Idrizi thotë se përmes këtij veprimi u zvogëluan shumë mundësitë që nëpërmjet procesit të censusit, të krijohej hapësira për të dhëna të rreme të minoriteteve në vendin tonë.