Drejtoresha e INSTAT: Procesi po vazhdon normalisht
TIRANË Drejtoresha e INSTAT-it ka falënderuar të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë hapur dyert për anketuesit e procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Sipas saj, në ditën e dytë ky proces ka ecur normalisht. “Deri tani puna është kryer me shumë profesionalizëm. Qytetarët shqiptarë u kanë hapur dyert anketuesve dhe procesi po shkon shumë mirë. Për këtë proces, INSTAT-i ka printuar rreth 40 milionë faqe materialesh, janë në terren 12 mijë anketues, 2500 kontrollorë dhe një numër i madh mbikëqyrësish. Janë hapur 374 zyra, të cilat funksionojnë në çdo cep të Shqipërisë dhe punojnë në çdo orë e minutë për të kryer me sukses këtë proces. Ky census do të mbledhë të dhëna për vetë ne, për të ardhmen tonë, ndaj gjej rastin këtu për të falënderuar qytetarët shqiptarë dhe mediat për hapësirën që i ka kushtuar këtij procesi”, - tha ajo. Sipas saj, janë hapur shumë zyra në çdo cep të Shqipërisë, me qëllim kryerjen në mënyrë sa më profesionale të këtij procesi, për të cilin mblidhen të dhëna për të ardhmen e Shqipërisë”. “Falënderojmë qytetarët shqiptarë për bashkëpunimin dhe i ftoj ata që të mbështesin anketuesit gjatë punës së tyre në terren”, - theksoi ajo.