E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bezhani: Dopingu s’i njollos medaljet tona

Dopingu duket se ka tronditur sërish sportin shqiptar, sidomos peshëngritjen shqiptare. Në momentin kur po bëhej bilanci i fundit për Lojërat Mesdhetare të zhvilluara në Mersin të Turqisë, ku Shqipëria mori 10 medalje, si asnjëherë më parë, ka ardhur goditja, ku peshëngritësi Briken Calja ka rezultuar pozitiv në testin e antidopingut. Calja kishte marrë dy medalje bronzi, teksa në shtangisti në peshën 69 kg, në shtytje dhe shkëputje, kishte arritur të renditej i treti. Më shumë sesa medaljet, hija e dopingut është rikthyer si problem në peshëngritjen shqiptare. Peshëngritësi ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë substancë të ndaluar, por mediat turke kanë lëshuar tashmë “bombën”. “Nuk kam përdorur substanca të ndaluara dhe jam gati të kryhet edhe analiza B për ta vërtetuar këtë gjë”. Kështu ka deklaruar peshëngritësi Briken Calja për përfaqësuesit shqiptarë në takimin me komisionin e dëgjimit, pas pozitivitetit të shtangistit kuqezi në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”. Gjatë paradites së djeshme, mjeku i ekipit olimpik shqiptar, Mel Ostreni dhe përfaqësuesi zyrtar, Kliton Muça kanë qenë në një takim me Komisionin e Dëgjimit të WADA (Agjencia Botërore Antidoping), duke përfaqësuar Calen. Ata kanë mohuar se shtangisti shqiptar të ketë përdorur substanca të ndaluara. Për pasojë, është kërkuar që të kryhen edhe analizat e dyta, të cilat do të vulosin përfundimisht fatin e peshëngritësit shqiptar.
BEZHANI
Kryetari i Komisionit Teknik në KOKSH, Viron Bezhani, i cili për shkak të angazhimit politik me zgjedhjet nuk ishte në Lojërat Mesdhetare, për “Gazetën shqiptare” ka deklaruar: “Jam njohur me rastin në fjalë dhe kam komunikuar edhe me sportistin. Ai pohon se bëhet fjalë për substanca të lejuara dhe që i ka marrë 4 ditë para garës. Pala shqiptare dhe vetë peshëngritësi e ka apeluar këtë dhe ne presim tashmë rezultatet e testit të dytë. Duke mos paragjykuar asgjë për momentin, mund t’ju them se kjo nuk mund të njollosë medaljet e marra në Turqi. Nuk duhet të fokusohemi vetëm te kjo çështje, por edhe tek arritjet e disa nga sportistët që morën pjesë. Ka vend për përmirësime dhe kjo do të analizohet. Për Caljen do të flasim pas rezultatit të testit B”. 
(e.m/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›