E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: FRD forcë e tretë politike në vend. Komisioni për Ramën, qesharak

TIRANË- Nënkryetari i FRD Aleksandër Biberaj i ftuar në rubrikën Opinion në "News 24", komentoi komisionin hetimor të ngritur sot ndaj kryesocialistit Edi Rama për rrethanat dhe kushtet e incidentit të 24 prillit në Vjenë mes Ramës e diplomatit Egin Ceka.

Biberaj tha se ky është një zhvillim qesharak, ndërsa shtoi se asnjëherë komisionet e ngritura në Shqipëri nuk kanë dhënë rezultat.

“Ky një zhvillim qesharak dhe i denjë për atë grup të pseudomazhorancës e cila nuk është një mazhorancë reale. Ky është një model shqiptar. Historia ka treguar që shumë komisione janë ngritur por nuk ka pasur një produkt final dhe janë shtyrë pafundësisht nga parlamenti pa asnjë lloj sensi politik dhe juridik, nuk kanë dhënë rezultat”, tha ai.

Biberaj në prag të 1 vjetorit të krijimit të Frymës së Re Demokratike, tha se, “Ky ka qënë një vit sfidash, sot ndjehemi mirë jemi parti që e kërkoi koha dhe qytetarët shqiptarë. Ka qënë një vit sfidash, por kemi një përkrahje të jashtëzakonshme. Ne zgjodhëm moralin përballë mocalit që përfaqësojnë partitë e vjetra”, tha ai.

Biberaj sqaroi më tej se FRD ka pasur oferta për koalicion parazgjedhor nga të dyja partitë e mëdha, që siç tha ai FRD i ka refuzuar.

“Po kemi pasur oferta, të dyja i kemi refuzuar. I kemi refuzuar, pasi me PS na ndan ideologjia dhe programi, nuk mund të kalonim majtas. Ne vijmë nga e djathta tradicionale. Ndërsa Rrugët tona me PD janë ndarë për arsye parimore. Ne jemi forcë e qendrës së djathtë refuzuam aleancën me PD dhe PS, ne jemi në të drejtën tonë dhe kemi përkrahje të jashtëzakonshme. Jam i bindur që asnjë nga koalicionet nuk do ketë 71 vota, ne na nxjerrin zgjedhjet me një grup parlamentar”, tha ai.

Duke u ndalur tek zgjedhjet, Biberaj u shpreh i bindur se FRD-ja do jetë forca e tretë politike, bazuar kjo në sondazhe, sic përmendi numri dy i kësaj partie.
“Sondazhet na nxjerrin forcë të tretë politike në vend. Nuk jemi përqendruar tek shifrat, kontratën e kemi me qytetarët shqiptarë”, tha ai.

Nënkryetari i kësaj force tha më tej se, “Ne do kemi listë dinjitoze kandidatësh, që të maksimizojmë votën, do kemi listë me 140 kandidatë. Përpjekja jonë që të kemi një numër sa më të madh votash. Qytetarëve ju themi nëse doni të vazhdoni me tranzicion, me korrupsion e varfëri, me probleme në shëndetësi, arsim e drejtësi vazhdoni me forcat e vjetra, nëse doni dicka tjetër keni FRD. Di të them që të djathtët po vijnë cdo ditë me FRD”, tha ai. 

Biberaj më tej u shpreh se ai bashkë me kreun e FRD-së Bamir Topin do kandidojnë si deputetë në qarkun e Tiranës.

Ai më tej, la të hapur mundësinë për një bashkëpunim me PS pas zgjedhjeve.
“Më 24 qershor ne do kemi një numër mandatesh, do konsultohemi për çdo koalicion, i cili do bashkohet mbi interesat e qytetarëve”.

Mbrojtja e votës, për Biberaj ishte një tjetër problem madhor në këto zgjedhje, por siguroi se FRD-ja do bëjë të pamundurën për mbrojtjen e votave të saj.
“Mbrojtja e votës problem madhor, PD dhe PS e kanë bërë kodin që të mbrojnë votat e tyre dhe të tjetërsojnë edhe të të tjerëve, në do mundohemi të garantojmë votat, duke pasur vëzhgues në zgjedhje. PD ka vullnet për të manipuluar zgjedhjet, ne besojmë më shumë tek mbrojtja e votës nga PS. Nuk ka shance që kryeministri të dalë fitues në këto zgjedhje, i ka ikur koha me kohë”, nënvizoi Biberaj.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›