E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Ka ministra që nuk shohin jashtë kolltukut të tyre

Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, njëkohësisht Zv/President i Asamblesë Parlamentare të KE flet për ndryshimet në qeveri dhe situatën brenda PD-së

TIRANË- Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, njëkohësisht Zv/President i Asamblesë Parlamentare të KE-së, ka deklaruar dje në një intervistë për “Shekullin” se qeveria ka nevojë për ndryshime të thella. Ai shpreson se kryeministri Berisha do ta bëjë një gjë të tillë, pasi të bëhet analiza e secilit prej dikastereve në vjeshtë. Biberaj evidenton në intervistën e tij edhe faktin se ka ministra që nuk kanë dalë ende në bazë, madje edhe nga ata që kanë humbur bashkitë në zgjedhjet e fundit vendore. Në të njëjtën kohë, ai shprehet se është koha që PD të nxjerrë në fushën e lojës, ekipin më të mirë që ka, pasi nesër mund të jetë tepër vonë.

Zoti Biberaj, dy ditë më parë, Kryetarja e Kuvendit deklaroi se sesioni i fundit parlamentar ishte sesion i konsensusit dhe reformave. Në këndvështrimin tuaj, si ka qenë ky sesion parlamentar që sapo përfundoi, a ndani të njëjtin opinion?

Është e vështirë që në një përgjigje të bësh bilancin e sesionit të fundit parlamentar, por në një gjykim të shpejtë do të thosha se volum pune është bërë shumë gjatë këtyre 6 muajve, ndërsa për të gjykuar për cilësinë e kësaj pune, duhet kohë për të parë efektet e zbatimit të këtyre reformave apo ligjeve të miratuara në Parlament.

Sapo janë betuar në Presidencë dhe kanë filluar punë ministrat e rinj, Beja dhe Godo, si edhe Zv/kryeministri Pollo. Në PD ka pasur zëra që kërkonin riformatim më të plotë të qeverisë, por me këtë lëvizje duket se u zgjidhën vetëm problemet me aleatët. A përbëjnë këto ndryshime pikërisht atë që kërkohet nga deputetët e PD-së?

Lëvizjet e fundit në qeveri mendoj se më shumë janë plotësime vendesh dhe riformatim i raporteve me aleatët, sesa riformatim i mirëfilltë i qeverisë. Natyrisht që Arsimi dhe Shëndetësia mbeten dy sektorë prioritarë dhe shumë të rëndësishëm, për të cilët ne kemi pasur edhe një vëmendje të veçantë në programin elektoral të vitit 2005. Fatkeqësisht, sektori i Shëndetësisë vazhdon të mbetet në një gjendje të mjerë, ndërsa sektori i Arsimit, duke vlerësuar reformën në Maturën Shtetërore, mendoj se akoma ka probleme jo të vogla. Me ndryshimet e fundit, Arsimi kalon nga PDR tek PD, ndërsa Shëndetësia nga PDK tek PR, gjithsesi, është shumë shpejt për të folur, kështu që le të presim rezultatet e punës së ministrave të rinj. Në një këndvështrim më të gjerë mendoj se qeverisja ka nevojë për përmirësime dhe për ndryshime më të thella dhe shpresoj që Kryeministri, në bashkëpunim me kryesinë e PD-së dhe grupin parlamentar, pasi të bëhen edhe analizat përkatëse në vjeshtë, të vendosë edhe për ndryshime të tjera. Futemi në vitin e fundit elektoral, jemi përpara zgjedhjeve të përgjithshme, dhe mendoj që përmirësimi i qeverisjes është jo vetëm i nevojshëm por edhe i domosdoshëm, me qëllim që PD të fitojë edhe një mandat të dytë qeverisës.

A duhet të ishte Zv/kryeministri nga radhët e PD-së dhe a i duhet lënë kaq shumë hapësirë aleatëve, duke marrë parasysh elektoratin që kanë?

E kemi filluar dhe me sa duket, do ta përfundojmë këtë mandat qeverisës me një zemërgjerësi të madhe me aleatët. Duke respektuar aleatët, mendoj se pesha e tyre në qeverisje gjatë këtyre 3 viteve ka qenë më e madhe sesa pesha e tyre reale në elektorat. Vitin tjetër në fushatë do të dalë PD, e cila do të japë edhe llogari për qeverisjen 4-vjeçare, kështu që edhe raporti me aleatët mund të rishikohet me qëllim përmirësimin dhe vendosjen e raporteve më të drejta.

A keni kritika konkrete për punën e qeverisë, pasi ka politikanë të maxhorancës që e cilësojnë thjesht një protagonizëm politik, shqetësimin e deputeteve për kabinetin qeveritar?

Shqetësimi për qeverinë është një shqetësim normal jo vetëm për deputetët, por edhe për çdo qytetar të këtij vendi, dhe është mëse normale që deputetët të kenë kritika për qeverinë. Shpresojmë dhe aspirojmë për të jetuar në një sistem demokratik, ku çdo njëri ka mendimet e veta, të cilat mund t’i shprehë lirisht. Kjo të paktën teorikisht është fituar që me 8 dhjetor 1990. Duke u kthyer tek pyetja juaj, do të thosha se këto opinione që jepen nga poltrona qeveritare, më kujtojnë atë lojën e rrethit, lojë në të cilën ata që janë brenda rrethit, duke u ndjerë mirë aty brenda, por edhe duke mos parë se çfarë ndodh jashtë, mundohen me çdo kusht të rrinë brenda rrethit. Ndërsa ato që janë jashtë rrethit, jetojnë jashtë, por shohin edhe ç’ndodh brenda rrethit. Në bazë të rregullave të lojës, ata që janë brenda rrethit, duhet të dalin jashtë tij kur digjen, për t’iu lënë vendin atyre që janë jashtë rrethit, por që janë më të zotë sesa ata që janë brenda. A njihen dhe zbatohen në Shqipëri këto rregulla loje, ky pastaj është një problem tjetër.

Në shtator nis edhe viti elektoral. A është koha për reformë në strukturat e PD-së, e premtuar prej kohësh, por që vetëm është shtyrë?

Nëse dëshirojmë të fitojmë zgjedhjet e vitit 2009, në Shtator është koha për të ndezur motorët e reformimit të PD-së, me qëllim ripërtëritjen dhe rivitalizimin e PD-së, si dhe përgatitjen e saj për fushatën elektorale të vitit 2009.

A është kjo qeveria që PD dhe aleatët duhet të shkojnë në zgjedhjet e vitit 2009?

Mendoj se ka vend për përmirësime të mëtejshme në qeverisje, të cilat janë jo vetëm të nevojshme por edhe të domosdoshme. Qeverisja ka nevojë për një përfaqësim më politik të PD-së, sikurse ka nevojë për ruajtjen e disa densiteteve, ekuilibrave dhe balancave, si dhe të raporteve që lidhin PD-në me elektoratin e vet dhe votat që fiton. Natyrisht, duke qenë viti i fundit i mandatit është i nevojshme një përshpejtim i reformave qeverisëse, një ritëm më i lartë i këtyre reformave, si dhe një zgjerim, thellim dhe ashpërsim i luftës kundër korrupsionit, me qëllim që të përballohen sfidat e kohës, por edhe të fitohen zgjedhjet e vitit 2009. Ndërkohë që Kryeministri zbret vazhdimisht në bazë, ka ministra të qeverisë që për 3-vjet nuk kanë zbritur akoma në bazë, ndërkohë që një pjesë e tyre edhe kanë humbur bashkitë apo komunat në zonat e tyre elektorale, në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007. Në përfundim, do të thosha se PD dhe grupi parlamentar ka kapacitete dhe personalitete që mund të jenë qeveritarë shumë të mirë dhe se është koha që PD të nxjerrë në fushën e lojës, ekipin më të mirë që ka, pasi nesër mund të jetë tepër vonë.

Për ndryshimet e reja

Në një këndvështrim më të gjerë mendoj se qeverisja ka nevojë për përmirësime dhe për ndryshime më të thella dhe shpresoj që Kryeministri, në bashkëpunim me kryesinë e PD-së dhe grupin parlamentar, pasi të bëhen edhe analizat përkatëse në vjeshtë, të vendosë edhe për ndryshime të tjera.

Për zgjedhjet e ardhshme

Futemi në vitin e fundit elektoral, jemi përpara zgjedhjeve të përgjithshme, dhe mendoj që përmirësimi i qeverisjes është jo vetëm i nevojshëm por edhe i domosdoshëm, me qëllim që PD të fitojë edhe një mandat të dytë qeverisës.

Për aleatët

Duke respektuar aleatët, mendoj se pesha e tyre në qeverisje gjatë këtyre 3 viteve ka qenë më e madhe sesa pesha e tyre reale në elektorat. Vitin tjetër në fushatë do të dalë PD e cila do të japë edhe llogari për qeverisjen 4-vjeçare, kështu që edhe raporti me aleatët mund të rishikohet me qëllim përmirësimin dhe vendosjen e raporteve më të drejta.

Për ministrat

Duke u kthyer tek pyetja juaj, do të thosha se këto opinione që jepen nga poltrona qeveritare, më kujtojnë atë lojën e rrethit, lojë në të cilën ata që janë brenda rrethit, duke u ndjerë mirë aty brenda, por edhe duke mos parë se çfarë ndodh jashtë, mundohen me çdo kusht të rrinë brenda rrethit. Ndërsa ato që janë jashtë rrethit, jetojnë jashtë, por shohin edhe ç’ndodh brenda rrethit.

Për reformimin e PD-së

Nëse dëshirojmë të fitojmë zgjedhjet e vitit 2009, në shtator është koha për të ndezur motorët e reformimit të PD-së, me qëllim ripërtëritjen dhe rivitalizimin e PD-së, si dhe përgatitjen e saj për fushatën elektorale të vitit 2009.

Për ministrat

Ndërkohë që Kryeministri zbret vazhdimisht në bazë, ka ministra të qeverisë që për 3-vjet nuk kanë zbritur akoma në bazë, ndërkohë që një pjesë e tyre edhe kanë humbur bashkitë apo komunat në zonat e tyre elektorale, në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007.

Për zgjedhjet e ardhshme

Në përfundim, do të thosha se PD dhe grupi parlamentar ka kapacitete dhe personalitete që mund të jenë qeveritarë shumë të mirë dhe se është koha që PD të nxjerrë në fushën e lojës, ekipin më të mirë që ka, pasi nesër mund të jetë tepër vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›