Në sulm!

Mijëra trupa ushtarake do të zbarkojnë në qytetet italiane duke nisur nga dita e hënë, për të ndihmuar policinë të luftojë krimin. Ishte vetë qeveria italiane që njoftoi me këtë aksion, që sipas mediave në vend, përbën zbarkimin më të madh ushtarak në Itali që pas Luftës së Dytë Botërore. Rreth 2 mijë trupa do të ruajnë vendet “sensitive”, si stacionet e trenave dhe ambasadat, ndërsa 1 mijë të tjerë do të dalin nëpër patrullim me policinë. Zbarkimi 6-mujor do të përfshijë Romën, Napolin, Milanon dhe Torinon. Ndërkohë që disa trupa do të ruajnë qendrat e pritjes së emigrantëve. Ministri i Mbrojtjes, Ignazio La Russa, tha se pas 6 muajsh, qeveria do të bëjë një vlerësim mbi situatën, për të parë nëse plani funksionon dhe a mund të shtrihet në qytete të tjera. “Ky nuk është një militarizim i qyteteve, por një përgjigje e qartë ndaj kërkesës së perceptuar për më shumë siguri”, - tha ai. Lideri i krahut të djathtë, Silvio Berluskoni, erdhi në pushtet pas fitores në zgjedhjet e prillit me një platformë të ashpër mbi ligjin dhe rregullin, duke premtuar masa të reja për të zvogëluar emigracionin e jashtëligjshëm dhe për të luftuar krimin. Ministri i Brendshëm, Roberto Maroni, tha se trupat do të patrullojnë me uniforma, duke mbajtur armë të lehta. Por sipas tij, ata që do të jenë nëpër vendet “më delikate”, do të kenë armatim të rëndë, madje dhe mitraloza. Ushtarët që marrin pjesë në këtë plan do të jenë nga ushtria, forcat ajrore, marina dhe policia paramilitare, e njohur ndryshe si Karabinieria. Një zbarkim i fundit i ngjashëm ndodhi në Sicili në vitet 1992-1998, gjatë një operacioni kundër mafies pas vrasjeve të gjykatësve Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino. Por opozita italiane e ka kundërshtuar këtë plan, duke e cilësuar si mjaft negative për imazhin e vendit. “Ushtarët që patrullojnë qendrat e qyteteve, që janë atraksionet tona më të mëdha për turistët, nuk është një kartë e mirë për Italinë në kulmin e sezonit turistik”, - tha ministri hije i Mbrojtjes, Marko Miniti. Vetëm një ditë më parë, në një shkrim të publikuar në faqen e internetit të DW, thuhej se deri më tani subvencionet e BE-së për luftën kundër krimit të organizuar kanë përfunduar në realitet në duart e mafies italiane. Ekspertët financiarë thonë se nga viti 2000 deri në 2006-ën për Jugun e Italisë janë derdhur 50 miliardë euro subvencione nga Brukseli, që përbëjnë 3 për qind të prodhimit bruto të vendit. Shuma të jashtëzakonshme, të cilat sipas pikëpamjes së ekspertëve nuk kanë sjellë ndonjë lloj përfitimi. Sipas tyre në ato rajone ku është e përqendruar mafia, ekzistojnë sisteme mashtrimi të kriminalitetit të organizuar për të përfituar para nga ndihmat e Brukselit. Ky problem natyrisht që është i njohur edhe në BE. Për këtë si kusht për akordimin e subvencioneve është transparenca. Por administratat rajonale nuk u përmbahen atyre. Ekspertët thonë se e domosdoshme është fillimisht që qeveria italiane ta pranojë se e ka humbur kontrollin ndaj një pjese të territorit të vendit, të cilin e kanë në dorë grupimet kriminale. Pas kësaj, BE-ja duhet ta marrë vetë në dorë kontrollin e projekteve që financon.