E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret kunatin, e akuzonte për rrëmbim

Shefki Lila, i sapodalë nga burgu, masakron me gurë vëllanë e gruas. Policia merr në mbrojtje familjen e autorit të ngjarjes, për shkak të frikës nga ndonjë hakmarrje primitive. Djali dhe vajza për të cilën ndodhi vrasja kanë sipas dokumenteve diferencë në moshë

BULQIZË - Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur rreth mesnatës së të martës në fshatin Çerenec të rrethit Bulqizë, ku Shefki Lila, 40 vjeç, mbyti me sende rrethanore, gurë, leva, shkopinj etj., kunatin e tij, Vladimir Licën, 50 vjeç. Autori i ngjarjes, i cili u prangos më pas nga policia, tha se vëllai i gruas e akuzonte se i kishte ndërruar fëmijën e tij pas lindjes, pasi pretendohet se të dyja kunatat kishin lindur në të njëjtën kohë, që bie poshtë nga certifikatat e lindjes së dy fëmijëve 10-vjeçarë. I gjithë fshati nuk ka vënë gjumë në sy, pasi ka mësuar se dy kunetër ishin përleshur mes tyre, madje për një ngjarje të pazakontë dhe të pabesueshme. Burime të sigurta nga grupi hetimor i ngjarjes thonë se Vladimir Lica, i cili njihet si person me pak probleme mendore, në momentin e ngjarjes ka qenë në gjendje të dehur.

Tërheq djalin me forcë, “je i imi”

Dëshmitarë okularë thanë se rreth orës 20:00, Vladimir Lica i ka dalë përpara djalit 10-vjeçar të Shefkiut, duke i thënë: “Je djali im”. Fëmija është frikësuar teksa ai i thoshte, duke e kapur prej krahu: “Hajde me mua, ti je djali im. Të kanë ndërruar në spital kur linde. Nuk do të lë të vuash në atë familje”. Duke shfrytëzuar errësirën dhe gjendjen anormale të Vladimirit, djali ka arritur t’i largohet dhe të drejtohet me vrap drejt shtëpisë. Ashtu i tmerruar me çfarë kishte parë e dëgjuar, 10-vjeçari informoi të atin. Shefki Lila doli nga shtëpia me nxitim për të sqaruar vëllanë e gruas së tij, e për t’i thënë të mos guxonte më t’i dilte fëmijës përpara. Fjalët dhe fyerjet u lanë vendin kacafytjeve dhe përdorimit të mjeteve rrethanore. Shefkiu gjeti një gur dhe e goditi kunatin në kokë, duke e lënë përtokë në gjendje kome. Banorët e lagjes që kishin dëgjuar sherrin dhe zhurmën e madhe janë ndodhur në vendin e ngjarjes. Ata kanë marrë Vladimirin dhe e kanë dërguar në spitalin e qytetit. Goditja fatale pas koke, humbja e madhe e gjakut, gjendja e trupit nën efektin e alkoolit etj., kanë bërë që 50-vjeçari të ndërrojë jetë në spitalin e qytetit. Ndërkohë, në të gdhirë të ditës së djeshme policia e Bulqizës arriti të prangosë Shefki Lilën, nën akuzën e “vrasjes me dashje”. Punonjës të policisë kriminale në Komisariatin e Bulqizës thonë se prej kohësh Vladimir Lica kishte shfaqur dyshimet e tij se djali që kishte rritur për 10 vjet Shefki Lila, ishte fëmija i tij dhe se spitalin e qytetit dy gratë e tyre, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë bërë ndërrimin e fëmijëve.

Dëshmia e Licës para vdekjes

Në grahmat e fundit të jetës, teksa po jepte shpirt në ambientet e spitalit, Vladimir Lica është shprehur se gruaja e Shefkiut nuk lindte djalë, dhe për këtë arsye gruaja e tij e kishte ndihmuar, duke i dhënë asaj djalin e vet. Lica ka pretenduar se lindjet e fëmijëve të tyre janë bërë brenda pak ditësh dhe ndërrimi është më se i sigurt. Ndërkohë, autoritetet e policisë së Bulqizës e mohojnë kategorikisht këtë gjë. Ata shprehen se diferenca e lindjeve të fëmijëve që pretendohet se janë ndërruar në maternitet është e madhe, pasi sipas certifikatave të lindjes, nuk ka përputhje me akuzat e hedhura nga viktima, kur ai ishte gjallë. Shefkiu tregoi për policinë se e kishte kryer krimin pas akuzave të herëpashershme të kunatit të tij. “Prej tre vitesh ne nuk hynim e dilnim me njëri-tjetrin, sepse Ladi na akuzonte publikisht se i kishim ndërruar fëmijën kur ai kishte qenë bebe e sapolindur. Pas akuzës së rëndë dhe të pavërtetë, ne vendosëm bashkë me gruan të mos merreshim me të”, tha ai.

Precedenti

Burimet policore shtuan se dy personat e përfshirë në konflikt kanë qenë persona me precedentë penalë. Tre vite më parë, Vladimir Lica ka shtënë me çifte mbi nusen e xhaxhait dhe e ka lënë atë sakat. Lica u dënua për ngjarjen me vetëm disa muaj burg. Policia dyshon se Vladimiri ka pasur probleme mendore, sidomos vitet e fundit. Ndërkaq, autori i ngjarjes është liruar nga policia vetëm pak ditë më parë, pasi ishte ndaluar për kontrabandë viçash.

Nëna e 10-vjeçarit: “Të gjithë e dinë se djali është i imi”

Shadija, nëna e 10-vjeçarit Fation Lila, është shprehur para grupit hetimor, se nuk ishte aspak e vërtetë që ajo kishte ndërruar fëmijën me gruan e Vladimir Licës. “As nëpër mend nuk na ka shkuar të ndërrojmë fëmijët. Natyra mua më fali djalë dhe asaj vajzë. Unë kam lindur tri javë para saj dhe të gjithë njerëzit tanë të afërm e dinin se djalin e kisha lindur unë, e jo nusja e Ladit. Pikërisht se vëllai im tha këtë gjë të pavërtetë, ne nuk kemi hyrë e dalë me njëri-tjetrin prej tre vjetësh. Nëse akuzat do të vazhdojnë, le të bëhen analizat e ADN-së që do të zbardhë të vërtetën e akuzës së pazakontë”, është shprehur Shadije Lila, e cila nuk ka qenë dje e pranishme në varrimin e vëllait të saj, pasi ndodhej në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Policisë të Rrethit Bulqizë. Policia lokale tha se kishte marrë në mbrojtje familjen Lila dhe të afërmit e tjerë të saj, për shkak të ndonjë hakmarrjeje primitive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›