E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurrë nuk më kanë braktisur

Këngëtarja simpatike Valentina Rama sjell hitin e saj të ri, si një bashkëpunim muzikor me të vëllanë, Valonin. Një stil ndryshe, një album në përfundim dhe një biznesmene e suksesshme me vizione të qarta për të ardhmen

-Kënga juaj e fundit titullohet “Mos më lër”. Duket si një lutje që ju ia drejtoni dikujt, apo jo?

“Nga titulli ashtu ngjason, por në realitet kjo nuk është një lutje prej së vërteti. Teksti i këngës është shkruar nga Arsim Bunjaku, një nga tekstshkruesit më të njohur në Kosovë, por edhe më gjerë. “Mos më lër” nuk ka të bëjë me asgjë personale me mua apo Valonin. Nuk i jam lutur kujt që të mos më lërë në një lidhje dashurie, sepse kjo situatë nuk ka pasur gjasa të ndodhë kurrë. Thjesht është një subjekt shumë i qëlluar dhe të dy e kemi pëlqyer shumë, që herën e parë kur e kemi lexuar”.

-Si lindi ky hit i ri, që për momentin është më i transmetuari në stacionet muzikore këtu në Shqipëri?

“Neve na u ofrua nga kompozitori maqedonas Maki që të dëgjonim fillimisht muzikën, dhe ajo na pëlqeu pa më të voglën mëdyshje. Pastaj, kur muzikës e kompozimit iu bashkëngjit edhe teksti, doli një këngë thuajse e kompletuar dhe mjaft e këndshme për veshin dhe për sezonin e verës”.

-Pse vendosët të sillnit këtë herë një bashkëpunim me vëllanë tuaj, Valonin?

“Fillimisht kjo këngë kërkonte një zë mashkulli, pastaj edhe teksti përshtatej më së miri, dhe i pari në listën e kandidaturave mashkullore ishte Valoni. Besoj se kam qëlluar në shenjë kur e kam zgjedhur tim vëlla, sepse bashkëpunimi doli mjaft i lezetshëm. Mund të them se ka qenë një nga eksperiencat më të bukura në karrierën time muzikore”.

-Kënga ka vetëm pak ditë që është lançuar, mund të më thuash si është pritur ajo?

“Në Kosovë ka vetëm një javë që ka dalë dhe është pritur shumë, shumë mirë deri tani. Ka shumë komente pozitive në lidhje me këngën, me mua gjithashtu dhe për tim vëlla, Valonin, si nga adhuruesit, ashtu edhe nga kolegët e kritika në Kosovë. Gjithashtu edhe në Tiranë ka dalë në transmetim pak a shumë në të njëjtën kohë dhe shpresoj se edhe atje publiku shqiptar do ta presë po aq mirë sa në Kosovë”.

-Ndërkohë, hite të tjera tuajat duket sikur i kushtohen më së shumti dashurisë e tradhtisë. Pse kjo zgjedhje?

“Nuk di të të jap një shpjegim të saktë për këtë pikë. Ndoshta te ky zhanër e kam gjetur veten më mirë, pasi ky i përgjigjet edhe stilit tim. Megjithatë, asnjë tekst nga këngët e mia nuk kanë të bëjnë me jetën time personale. Ka shumë të ngjarë që  këto tekste janë thjesht jeta e përditshme e shumë njerëzve”.

-Mos ndoshta në këtë zgjedhje tuajën ndikoheni nga komercializmi?

“Më pëlqen t’u përshtatem shijeve të shumicës së njerëzve. Besoj se kur t’ia arrish të bësh për vete pjesën dërrmuese të publikut me një tekst apo këngë, atëherë pak rëndësi ka a është komercializëm apo diçka tjetër, për mua është sukses mbi të gjitha. Gjithmonë mundohem të zgjedh si bashkëpunëtor të mitë kompozitorët më të mirë dhe të famshëm, si Arash, Ilir Berani, Genc Prelvukaj, Maki, Arsim Bunjaku, Memli Krasniqi etj...”

-Valentina, me çfarë merreni tjetër në jetë përveç muzikës?

“Përveç muzikës merrem edhe me një biznes timin personal. Bëhet fjalë për një butik veshjesh ekskluzive “Valentina Rama Fashion”, biznes të cilin mendoj ta zgjeroj edhe më shumë në të ardhmen. Ditët e mia janë shumë të ngjeshura me angazhime në muzikë e biznes dhe atë pak kohë të lirë që kam në dispozicion, përpiqem ta shfrytëzoj në maksimum”.

-Po në koncerte jeni e ftuar këto kohë?

“Deri tani koha ime ka qenë totalisht e përkushtuar për përfundimin e albumit të ri, i cili del shumë shpejt në tregun kosovar, shqiptar dhe në Maqedoni. Kam qenë e angazhuar edhe me median, si atë vizive edhe atë të shkruar, dhe tani ka ardhur koha që t’u kushtoj pak më tepër vëmendje ofertave të ndryshme që kanë ardhur në adresën time. Kjo do të thotë se shumë shpejt do të filloj të këndoj edhe në mbrëmjet muzikore që bëhen në Kosovë apo edhe jashtë saj”.

-Kaq e zënë sa jeni ju, me siguri që nuk keni menduar për pushimet verore?

“Në qoftë se do ta gjej koha për pushime, definitivisht bregdeti shqiptar do të jetë destinacioni primar, pasi edhe Valoni shpesh më thotë: “Ti akoma nuk i ke vizituar Karaibet shqiptare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›