E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rastet e përfitimit nga ish-pronarët

Pronarët e tokës fitojnë të drejtën e parablerjes së objekteve që shkojnë drejt privatizimit, vetëm në rast se ai është shpronësuar për truallin

Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë kanë nxjerrë kriteret e reja që do të ndiqen për shitjen e pronës të objekteve shtetërore që do të privatizohen. Udhëzimi i përbashkët i dy ministrive përcakton procedurat që do të ndien për shitjen e objekteve, kompensimin e ish-pronarëve për trojet dhe rastet kur këta të fundit përfitojnë të drejtën e parablerjes së objekteve. Sipas udhëzimit, përcaktohet që për ato raste ku ish-pronari është dhe pronar i objektit shtetëror, pasi ka përdorur të drejtën e parablerjes, trualli kalon në favor të tij pa shpërblim. Kurse në rastet ku ish-pronarët e truallit nuk kanë përfituar objekt, atyre iu lind e drejta e kompensimit fizik. Po ashtu, për rastet kur objektet shtetërore, të cilat do të privatizohen kanë pronar, udhëzimi përcakton që shitja e pronës të bëhet në bazë të çmimeve të tokës së publikuara nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave. Kurse në rastet që objekti ka bashkëpronarë, pagimi i truallit do të kryhet në bazë të sipërfaqes së objektit që i takon të privatizojë secili, e shumëzuar kjo me koeficientin e vlerës së pronës për metër katror. Pra, kjo do të jetë mënyra e shitjes së pronës për këto objekte, ku pavarësisht numrit të pronarëve dhe sipërfaqes që ata kanë, koeficienti i vlerës së pronës do të jetë i barabartë. Përveç kësaj, mjaft nga ndërmarrjet ish-shtetërore kanë ende në dispozicion makineri dhe pajisje. Vlerësimi i këtyre pasurive do të përgatitet nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike. Në rast se vërtetohet se ky objekt ka pronar trualli, atëherë ky i fundit ka të drejtë të bëjë procesin e privatizimit. Por sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, ish-pronari i truallit do të përfshihet në procesin e shitjes vetëm në rast se ai vërteton pagesën për 20 për qind të vlerës së aseteve të kësaj ndërmarrjeje, që përfshin makineritë dhe pajisjet. Kërkesa për blerje duhet të paraqitet brenda 20 ditësh nga shpallja e afishimit nga ana Ministrisë së Ekonomisë. Në rast se pronari i truallit nuk paraqitet, shtyhet afati i shitjes edhe për 30 ditë të tjera, ndërsa në rast se pronari i truallit nuk paraqitet sërish, objekti shitet në ankand dhe kjo shumë kalon në llogarinë e pronarit për kompensimin e pronës. Një nga çështjet më të përfolura të këtij procesi ka qenë edhe e drejta e parablerjes së objektit nga ish-pronarët e truallit. Nëpërmjet udhëzimit të saj, qeveria i jep të drejtë pronarit të pronës të kryejë parablerjen e objektit që shkon drejt privatizimit, vetëm në rast se ai është shpronësuar për truallin. Sakaq, pak ditë më parë presidenti Bamir Topi miratoi aktin normativ të qeverisës për privatizimin. Nëpërmjet aktit normativ qeveria parashikon që kalimi i pronës shtetërore në pronë private të kryhet nëpërmjet formave të ndryshme të privatizimit, duke nisur që nga shitja nëpërmjet ankandit, tenderit dhe mënyra të tjera. Kurse për privatizimin dhe për vlerësimin e pronës shtetërore që privatizohet, procedurat do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Po ashtu, qeveria parashikon që privatizimi i pasurisë shtetërore të kryhet nga organet përkatëse që administrohen. Akti normativ parashikon edhe dhënien me qira të pronës shtetërore, por kontratat do të miratohen nga Këshilli i Ministrave.

Mënyrat e kalimit të pronësisë

*Për ato raste ku ish-pronari është edhe pronar i objektit shtetëror, pasi ka përdorur të drejtën e parablerjes, trualli kalon në favor të tij pa shpërblim

*Për ato raste ku ish-pronarët e truallit nuk kanë përfituar objekt, atyre iu lind e drejta e kompensimit fizik. Po ashtu, për rastet kur objektet shtetërore të cilët do të privatizohen kanë pronar, udhëzimi përcakton që shitja e pronës të bëhet në bazë të çmimeve të tokës së publikuara nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave

*Për ato raste kur objekti ka bashkëpronarë, pagimi i truallit do të kryhet në bazë të sipërfaqes së objektit që i takon të privatizojë secili, e shumëzuar kjo me koeficientin e vlerës së pronës për metër katror

*Për ato raste ku vërtetohet se objekti që do t’i nënshtrohet privatizimit ka pronar trualli atëherë ky i fundit ka të drejtë të bëjë në procesin e privatizimit.

*Por ish-pronari i trualli do të përfshihet në procesin e shitjes, vetëm në rast se ai vërteton pagesën për 20 për qind të vlerës së aseteve të kësaj ndërmarrjeje, që përfshin makineritë dhe pajisjet. Kërkesa për blerje duhet të paraqitet brenda 20 ditësh nga shpallja e afishimit nga ana Ministrisë së Ekonomisë. Në rast se pronari i truallit nuk paraqitet, shtyhet afati i shitjes dhe për 30 ditë të tjera, dhe në rast se pronari i truallit nuk paraqitet sërish, objekti shitet në ankand dhe kjo shumë kalon në llogarinë e pronarit për kompensimin e pronës.

*Pronari i pronës fiton të drejtën e parablerjes së objektit që shkon drejt privatizimit, vetëm në rast se ai është shpronësuar për truallin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›