E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Kryetari i PD me "një anëtar, një votë"

Pak ditë para zhvillimit të Kongresit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, anëtari i kryesisë, Aleksandër Biberaj, ka depozituar pranë strukturave drejtuese një projektstatut ku kërkohet implementimi i parimit "një anëtar, një votë", si dhe rikthimin e të larguarve. "Kam parashikuar që në statut, drejtuesit e të gjitha niveleve duhet të zgjidhen me parimin ‘një anëtar, një votë‘. Ky është një parim më se demokratik dhe rrit ndjeshëm demokracinë brenda partisë. Pra, në një farë mënyre i jep fuqi bazës së partisë dhe natyrisht edhe kandidatëve të cilët marrin përsipër përgjegjësinë e përfaqësimit të PD-së në nivele të ndryshme. Rritet pesha e forumeve dhe vendimmarrjes së tyre, pasi drejtuesit kryesorë të partisë do të jenë funksionalë, çfarë presupozon se nuk do të ketë funksione të tjera", tha Biberaj.

Biberaj deklaroi më tej se në propozimet e tij parashikohet që drejtuesit kryesorë të partisë duhet të zgjidhen vetëm dy herë, ndërsa bën përjashtim kryetari i partisë që, sipas këtij projektstatuti, largohet vetëm në rast se partia humb zgjedhjet.

"Një drejtues i PD-së nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë. Kujtoj se këtë kriter e kemi pasur edhe në vitet e para të krijimit të PD-së. Është një kriter që u hap rrugë elitave të reja demokratike dhe rotacioneve brenda partisë. Kryetari nëse dëshiron të kandidojë duhet të zgjidhet me 2/3 e votave, ndërsa nivelet e tjera nuk mund të zgjidhen më shumë se 2 herë. Nëse partia humb zgjedhjet elektorale, kuptohet që kryetari dhe sekretari i përgjithshëm ndërpresin mandatin e tyre", tha Biberaj. Anëtari i Kryesisë së PD-së, i cili nuk është më deputet, ka kërkuar që të "institucionalizohet diversiteti, debati dhe mendimi ndryshe, qoftë edhe nëpërmjet ekzistencës së fraksioneve, apo rrymave në parti". Një tjetër pikë e propozimit është që të "institucionalizohet dhe bëhet efektiv funksionimi i partisë, pasi të mandatuarit në drejtimin e partisë do të jenë funksionalë, si dhe rritet e fuqizohet ndjeshëm vendimmarrja dhe pesha e forumeve të partisë, siç janë Këshilli Kombëtar, grupi parlamentar apo kryesia e partisë".

Y.P.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›