E Diel, 1 Nëntor 2026

"Koha e konsujve"

Bën dimër i acartë. Asgjë nuk pipëtin. Vetëm disa karvanë të lodhur vazhdojnë të ecin nëpër një humbëtirë që mban emrin e përgjithshëm "Ballkan". Kasolle, servilë të panumërt rreckamanë, të prirë drejt parasë apo posteve të pamerituara, djaj të shtrembër në formë qeniesh njerëzore, zakone të harruara që vijnë që nga thellësia e shekujve, pastaj shumë dreqër, dreqër pa anë e pa fund që ia prishin qetësinë "imperiale" atyre: konsujve. Kjo është panorama me të cilën përgjithësisht, të dërguarit e anës tjetër të botës i kanë pasqyruar anët tona në momentin e parë të takimit në kohët moderne. Ishte fillimi i shekullit XIX. Sot, në dekadën e parë të mijëvjeçarit të ri, nuk duket se kanë ndryshuar shumë gjëra.
Këta të fundit përshëndritin nën mantelet e tyre, të veshur me xhingla lloje-lloje. Shumë syresh nuk janë gjë tjetër veçse çirakë që mjeshtri i madh i ka dërguar ose të mësojnë, ose të venë mend në këtë anë të botës, ku rregullat janë të ndryshme nga ato me të cilat janë rritur e janë mësuar. Ku zakonet nuk janë si ato të tyret. Ku pas një buzëqeshjeje dashamirëse fshihet krejt e kundërta, një e "hedhur vënçe".
Jemi në Ballkan, madje në Shqipëri, në Ballkanin e Ballkanit, atje ku dy botë përplasen fort. Njëra është ajo e servilizmit anadollak, e syve përmbys, e fjalëve që nuk thonë asnjë gjë, që premtojnë por që vazhdojnë të kenë në mendje një gjë të vetme: interesin vetjak. Në këtë vorbull a del gjë për mua? Tjetra është ajo e një morali tjetër, ajo që vjen nga një tjetër dimër, ajo që ka në themel interesin e ftohtë e global dhe jo hamendësimet, sheqerin me shumicë të bakllavasë tonë dhe ekzotikën e maleve dhe zakoneve tona. Ky moral tjetër është ai që na quan ende sot e kësaj dite, si kushërinjtë e pandreqshëm. Si njerëzit që jetë e mot, deri pafundësisht, kanë nevojë të mësohen. Për disa nga diplomatët e sotëm, kjo është një fazë me rëndësi e karrierës. Kanë të drejtë të thonë se u morëm me një racë që vinte nga disa shekuj që ne nuk i njihnim. Sa kemi vuajtur me ata njerëz deri sa i sollëm në binarë!?
Letërsia më e njohur ballkanike, kujtoni këtu Ivo Andriç dhe Ismail Kadarenë, secilin sipas mënyrës së tyre, ka ndritur fort pikërisht kur ka vënë përballë këto dy botë. Pikërisht nga këta letrarë të shquar ka lindur termi apo koncepti "koha e konsujve". Ne jemi tkurrur gjithherë përballë peshës dhe përgjegjësive të mëdha të progresit dhe jemi treguar të vegjël përballë detyrimeve tona. A nuk ishim ne që vite më parë, janë ca dekada, por sido që të jenë jo edhe aq të largëta, ua mbyllëm kufijtë të tërëve, majtas, djathtas, anash? Frika nga një botë që do të na përlante ishte shumë e madhe, aq e madhe sa që u ngërtësuam deri në palcë. Tani ne kalojmë në ekstremin tjetër. Atë të të priturit çdo gjë "prej konsujve". E thanë ata, do bëhet. Nuk e thanë ata, nuk bëhet. Nuk besoj se ka vend në botë ku ambasadorët të citohen aq shpesh si te ne. Ka shumë lexues e shikues që njohin më shumë ambasadorët e huaj se sa vetë politikanët tanë. Sikur një "x" apo "y" ambasador të marrë pjesë në një inaugurim kopshti, atëherë kjo gjë, në mos qoftë lajmi i parë në të gjitha edicionet e lajmeve, atëherë do të jetë se s‘bën në krye të faqeve apo të edicioneve tona televizive. Duket sikur gjërat, që nuk kemi mundësi t‘i zgjidhim vetë, ua varim të tjerëve, "konsujve", në qafë, të cilët sigurisht që bëjnë fjalë për dialog, maturi, tolerancë, respekt. Të gjitha fjalë që vijnë erë demagogji dhe nuk u prishin punë atyre aspak. Kanë të drejtë të flasin kështu. Ne vetë jetojmë akoma në "kohën e konsujve" njësoj si këtu e afër 200 vjet më parë.
Pjesa më e bukur është që pak nga pak, këta diplomatë të sotëm, ish-konsujt e dikurshëm, fillojnë ta besojnë vërtet se janë pikërisht ata që i "vënë pikat mbi i" - edhe në rastin kur kjo germë është e zënë tashmë - për problemet tona kardinale. Kjo vazhdon që prej shumë vjetësh. Për shembull ata thonë gjëra të tilla të panjohura prej nesh: gjyqësori duhet të jetë larg politikës, ose dialogu është themeli i demokracisë, ose më keq akoma, zgjedhjet demokratike dhe të lira, ose vullneti i popullit janë alfa e problemit, e kështu me radhë. Mundohuni të mbani shënim herët që ambasadorët e sotëm - konsujt e dikurshëm - dalin ndër gazeta a ndër tv rreth e qark nesh. Imagjinoni se sa vetë ua dinë emrat ambasadorëve të SHBA, OSBE, apo BE-së në Itali, Greqi, Mal të Zi, apo në ndonjë vend tjetër krejt të afërt me ne. "Konsujt" sigurisht që edhe atje janë fort të rëndësishëm, porse nuk janë "vedetta" televizive dhe as nuk mbushin faqet e para të gazetave, sikurse ndodh përditë te ne.
Pikërisht kjo ulje e kokës, kjo mënyrë të dëgjuari të fjalëve nga matanë detit, është një udhë që, në fakt, na e heq ne, shqiptarëve përgjegjësinë tonë nga vetja dhe ua delegon atë të tjerëve. Pastaj kjo lloj mënyre e të sjellurit dhe të të bërit informacion çon në lloj-lloj hamendësimesh: Jo ky ambasador është me këtë palë, jo ky tjetri është me atë palë. Jo ky ka simpati me këtë lider dhe tjetri nuk e duron dot e kështu me radhë.
Për sa kohë nuk i marrim vetë gjërat tona në dorë, për sa kohë do rrimë me veshët ngrehur dhe me buzëqeshjen servile tashmë të famshme të atyre që nuk rregullojnë asnjë gjë për vete, për sa kohë do të jenë "konsujt" dhe jo ne vetë që t‘i zgjidhim hallet tona, për sa kohë do të shkojmë të qahemi tek ata njësoj si një qullash që e ka rrahur një më i hedhur i klasës, për aq kohë do të kemi në krye të lajmeve dhe në krye të listës së njerëzve të njohur ambasadorët e sotëm, pasardhësit e "konsujve" të kohës së Ali Pashë Tepelenës. Ndonjë edhe mund të thotë: E ç‘të keqe ka? Nganjëherë edhe ndeshjet tona finale të futbollit i kanë gjykuar gjyqtarë të huaj? Këtij të fundit sigurisht që nuk do të kemi gojë t‘i përgjigjemi. Edhe sporti ka "konsujt" e vet. Por deri në një fare mase ama…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›