E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bode-Basha të takohen me kryebashkiakët e PS-së"

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së ka bërë thirrje për një marrëdhënie të mirë mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Pas protestave të krerëve të bashkive socialiste, Kryeministri u ka kërkuar ministrit të Financave dhe atij të Brendshëm që të takohen menjëherë me shoqatat e bashkive për të zgjidhur kërkesat e tyre. "Ministri i Financave dhe ministri i Brendshëm të thërrasin në një tryezë të rrumbullakët shoqatat e bashkive dhe komunave të vendit. Le të ulen me këta përfaqësues dhe t‘u japin garanci të plotë se çdo zvogëlim, çdo qindarkë e munguar për shkak të politikës së taksave të ulëta të qeverisë, do t‘u kompensohet nga buxheti i shtetit". Kryeministri bëri të ditur se "partneriteti ynë me qeveritë vendore do të vazhdojë, pavarësisht nga ngjyrat partiake. Për këtë nuk mund të ketë asnjë dyshim. Sikundër unë u bëj thirrje zotërinjve të nderuar, të majtë e të djathtë dhe të çdo force politike, të mos harrojnë se jemi votuar për administratë të vogël, për qeveri të vogël". Kur ne erdhëm në pushtet, tha Berisha, gjetëm një administratë me 115 mijë punonjës, ndërkohë që në sajë të reformave të thella dhe të gjithanshme, sot jemi me 89 mijë punonjës. "Në mënyrë absolute, kjo nuk është bërë për ndëshkim të askujt, por në interesin më të mirë të shoqërisë shqiptare dhe të qytetarëve shqiptarë. Ndaj, edhe njëherë, zoti Bode dhe zoti Basha, ju do të organizoni një tryezë të rrumbullakët me shoqatat e bashkive e komunave. Le të jetë një mbledhje e zgjeruar. Le t‘u dërgohen edhe ftesa individuale", theksoi Berisha. Ata le të paraqesin dokumente të qarta, shtoi ai, ose të ketë marrëveshje që mbi bazën e dokumenteve të qarta dhe të ligjit për politikën e deklaruar për të cilën kjo qeveri është votuar, atyre do t‘u kompensohet qindarkë për qindarkë humbja. "Ne nuk mund të kemi asnjë lloj qëllimi tjetër, përveç investimeve të mëdha në të gjitha komunat e bashkitë e vendit", siguroi Berisha. Ndërkaq, ai ka përsëritur kërkesën ndaj deputetëve të PS-së për t‘u kthyer në Kuvend, por nuk ka folur për kërkesat e socialistëve. "Në axhendën e Parlamentit dhe të qeverisë kanë pasur e do të kenë përparësi të gjitha reformat që lidhen me integrimin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Jam sot këtu për të ftuar opozitën të marrë rolin e saj. Oferta e bërë prej nesh është jashtëzakonisht serioze, e ndershme, dinjitoze", këmbënguli Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›