E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimorët nisin shembjen e pallatit të kunatit të Dash Pezës

Qeveria shemb një pallat në qendër të Tiranës, i cili rezultonte në pronësi të kunatit të një deputeti të PS-së. Dje pasdite, Inspektorati i Lartë i Ndërtimit ka nisur aksionin për shembjen e pallatit në qendër të Tiranës, por shumë shpejt ka ndërprerë punën, duke shkatërruar vetëm një pjesë të fasadës. Pallati që ndodhet pas hotel "Tiranës" mësohet se është në pronësi të Ilir Matës, kunatit të deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza. Fadromët kanë ndërhyrë në tre katet e para të ndërtesës 12-katëshe, ndërsa dëmtimi nuk ka rrezikuar ndërtesat e tjera ngjitur me të.
Por brenda ndërtesës nuk ka pasur banorë që mund të rrezikoheshin, pasi 12-katëshi ka pasur leje ndërtimi për hotel, edhe pse ende nuk është përfunduar. Në lidhje me këtë pallat ka akuza se është ndërtuar pa leje dhe pengon kalimin e banorëve që jetojnë në pallatet e tjera pas tij.
Rreth orës 14:45, një fadromë është instaluar përballë pallatit 12-katësh, i cili është destinuar për hotel dhe është ngjitur me një tjetër pallat po 12-katësh, që aktualisht është i banuar. Sapo kanë dëgjuar zhurmën, banorët e pallatit ngjitur kanë dalë në ballkone për të parë se çfarë po ndodhte, ndërkohë që përreth fadromës janë afruar pronarët e pallatit që po prishej.
Fadroma, duke u ndihmuar edhe nga forcat e policisë, që ruanin rendin dhe që lejonin zbatimin e një vendimi, ka prishur fasadën e tre kateve të para të ndërtesës dhe më pas ka pezulluar punën. Në atë kohë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe politikanë të shumtë të majtë, të cilët kanë hedhur akuza se kjo po shkaktohet për arsye politike, pasi pallati ishte me leje të rregullt.
Ndërsa banorët që kanë ndjekur gjithë skenën, shprehen se fillimisht janë ndjerë të frikësuar nga zhurma e madhe e shkaktuar. Gjithashtu, ata frikësohen se prishja e pallatit të destinuar për hotel, do nxjerrë probleme edhe për pallatin ngjitur, ku ata banojnë dhe që mund të shkaktohet ndonjë tragjedi. Por, për këtë, specialistët e Inspektoratit të Ndërtimit, u kanë shpjeguar se nuk do të ketë probleme me pallatin tjetër. Madje, edhe për ruajtjen e lokaleve në katet e para ngjitur me pallatin që do prishet, ndërtimorët kanë marrë masa që të mos t‘u dëmtohet asgjë, pavarësisht se janë shkaktuar disa probleme të vogla.
Gjendja ka vijuar e qetë deri në orët e vona të natës, pasi edhe përfaqësuesit e Inspektoratit të Lartë të Ndërtimit, ishin larguar nga vendi i ngjarjes, duke lënë aty vetëm fadromën. Ndërkaq, punonjësit e policisë kishin marrë masa për ruajtjen e rendit, duke mbajtur distancën e duhur, për të mos u përzier në përplasjet mes palëve.
Disa ditë më parë, Kryeministri Berisha hodhi akuza për afera korruptive ndaj Ilir Matës. Sipas Kryeministrit, kuanti i deputetit Peza ka përfituar në mënyrë të paligjshme leje ndërtimi në bashkëpunim me Edi Ramën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›