E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions, tetë "bileta" në ankand

Juve-Bajern, supersfida e mbrëmjes. Real, Milan e OM luajnë për kualifikimin në Grupin C
Me fitoret e arritura përpara dy javëve, Fiorentina dhe Arsenali iu bashkuan gjashtë skuadrave që kishin siguruar kalimin në turin e 1/8-ave. Tetë "biletat" e tjera do të përcaktohen vetëm në ndeshjet e fundit në grupet e Ligës së Kampioneve.

Grupi A
Bordo është e kualifikuar. Kampionët e Francës siguruan vendin e parë në grup pas fitores me Juventusin, ndërsa lufta për vendin e dytë është ende e hapur. Sot në Torino do të luhet një finale e vërtetë, ku Bajernit të Mynihut i nevojitet me patjetër fitorja për të vazhduar aventurën në Champions. Në anën tjetër, bardhezinjtë e drejtuar nga Çiro Ferrara luajnë për dy rezultate (fitore ose barazim), duke qenë se kanë një pikë më shumë se bavarezët. Njëra nga dy skuadrat, që në fillim shiheshin si favorite, do të përfundojë në Europa League, ndërsa izraelitët e Makabi Haifa janë plotësisht jashtë gare.

Grupi B
Mançester Junajtid është i kualifikuar, ndërsa humbja 2-1 e Volfsburgut në fushën e CSKA-së së Moskës rihapi garën për vendin e dytë në grup. Aktualisht gjermanët renditen përpara rusëve për shkak të ndeshjeve direkte. Për t‘u kualifikuar, CSKA-ja duhet të marrë në fushën e Beshiktashit më shumë pikë nga sa do të mund të arrijë Volfsburgu në transfertën në "Olld Traford". Situata komplikohet edhe prej faktit që Mançesterit i duhet 1 pikë për të siguruar vendin e parë, pasi në takimin e fundit u mposht në shtëpi 1-0 nga Beshiktashi i eliminuar. Turqit kanë ende shpresa që të luajnë në Europa League: ata duhet të mposhtin CSKA-në dy gola diferencë dhe të shpresojnë që Volfsburgu do të barazojë në Angli.

Grupi C
Reali i Madridit kryeson dhe nuk do të kualifikohet vetëm nëse humbet 3-0 ose më thellë në fushën e Olimpik Marsejës dhe Milani fiton me Zyrihun. Milani, që ka dy pikë më pak se spanjollët dhe një më shumë se OM, e ka të qartë se me tri pikë në Zvicër do të kualifikohet. Marseja, në anën tjetër, duhet të mposhtë Realin dhe të shpresojë që kuqezinjtë e Leonardos do të gabojnë me Zyrihun, pasi Milani është më mirë në përballjet direkte. Nëse Milani fiton dhe madrilenët barazojnë, italianët do ta mbyllin grupin si kryesues, për shkak të rezultateve më të mira në sfidat direkte me "galaktikët".

Grupi D
Çelsi dhe Porto janë kualifikuar: anglezët kryesojnë grupin. Gara vazhdon ndërmjet Atletikos së Madridit dhe APOEL-it, për vendin në Europa League: spanjollët janë në vendin e tretë me një pikë më shumë se qipriotët. APOEL duhet të fitojë në fushën e Çelsit dhe të shpresojë që Atletiko nuk do të marrë tri pikët me Porton.

Grupi E
Fiorentina është kualifikuar, ndërsa Liverpuli është jashtë Champions-it. "Reds" nuk mund të kapin dot as Lionin, për shkak të përballjeve direkte, por të paktën ata do të vazhdojnë aventurën në Europa League. Fiorentinës i nevojitet fitorja në "Anfilld" për t‘u kualifikuar si kryesuese e grupit, në rast të kundërt këtë vend mund ta marrë Lioni me një fitore kundër Debrecenit.

Grupi F
Barcelona kryeson grupin, Interi dhe Rubin Kazan janë dy pikë prapa, ndërsa Dinamo e Kievit ka tri pikë më pak se katalanët. Gjithçka është e hapur: të katërta skuadrat kanë shanse të kualifikohen. Barça kalon me çdo humbje me dy gola diferencë, përveç rezultatit 2-0. Ukrainasit duhet të fitojnë 2-0 ose me tri gola diferencë për të vazhduar aventurën, gjithsesi ata kualifikohen me çdo fitore, nëse Interi dhe Rubin barazojnë. Si zikaltërve ashtu edhe kampionëve të Rusisë u nevojiten vetëm tri pikët. Por, nëse Dinamo nuk fiton me "blaugranat", barazimet 0-0 dhe 1-1 kualifikojnë Interin, nëse barazimet me më shumë gola i shërbejnë Rubin Kazanit.

Grupi G
Sevilja është kualifikuar, ndërsa debutuesit e Unirea Urzicenit ëndërrojnë kualifikimin. Rumunët janë në vendin e dytë, me dy pikë më pak se kryesuesit dhe dy pikë më shumë se Shtutgarti. Unireas i nevojitet një barazim në Gjermani që të kalojë në 1/8-at. Shtutgarti kërkon vetëm fitore, pasi çdo rezultat tjetër do ta linte në Europa league. Sevilja kërkon të paktën një pikë në fushën e Rejnxhërsit (pa objektiva), për ta mbyllur grupin në vendin e parë.

Grupi H
Arsenali u kualifikua si fitues i grupit. Kjo mund t‘i shërbejë Olimpiakosit të vendit të dytë. Me një barazim në shtëpi përballë "topçinjve", grekët do të sigurojnë kalimin më tej. Me një humbje, ata do të kaloheshin në klasifikim nga Standardi (prej përballjeve direkte), nëse belgët mposhtin AZ Alkmarin. Holandezët, nga ana e tyre, mund të sigurojnë një vend në Europa League, nëse fitojnë me Standardin e Liezhit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›