Biberaj: “Mungesa e Shqipërisë gjatë miratimit të raportit të Dik Martit, përgjegjësi direkte e Topallit
Ish-zëvendëspresidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës, njëkohësisht ish-kryetar i delegacionit shqiptar në KiE, Aleksandër Biberaj, fajësoi kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetarin e delegacionit shqiptar në këtë delegacion, Ilir Rusmali, në lidhje me mospjesëmarrjen në Strasburg gjatë kohës kur diskutohej dhe miratohej raporti i Dik Martit për Kosovën. Biberaj theksoi se çfarëdo pretendimi të ngrinin Topalli dhe Rusmali, mospjesëmarrja e delegacionit të Shqipërisë në KiE është e pafalshme dhe e kritikueshme. “Delegacioni ynë duhet të shkonte dhe të merrte pjesë aktivisht në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut në Strasburg për të folur në lidhje me akuzat e Dik Martit ndaj drejtuesve të UÇK-së dhe po kështu të mbante qëndrimin e tij nëpërmjet votës”, - thekson Biberaj. “Mospjesëmarrja është përgjegjësi e qartë e spikeres së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetarit të delegacionit, Ilir Rusmali”, - theksoi Biberaj. Sipas tij, Këshilli i Europës është tepër korrekt përsa u përket ftesave që dërgon në lidhje me veprimtaritë e tij dhe këto njoftime i shkojnë në dy kopje; kryetares së Kuvendit dhe kryetarit të delegacionit. “Nuk mund të pretendohet se Kuvendi nuk kishte dijeni për zhvillimin e kësaj mbledhjeje, sepse përveç korrespodencës zyrtare, Këshilli i Europës nxjerr në websitin e tij çdo aktivitet që do të zhvillohet”, - theksoi ish-zëvendëspresidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj.
21 Dhjetor 2010