E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salla e re operative, Basha: Modernizimi s’do të ndalojë

Ministri i Brendshëm: Funksionimi i platformave të reja operacionale do t’i vijë në ndihmë Policisë së Rendit dhe Policisë Kriminale në kryerjen e detyrave të tyre si dhe do të përmirësojë procesin...

I pranishëm në përurimin e sallës operative të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka shprehur vendosmërinë për të bërë modernizimin e Policisë së Shtetit. Duke e cilësuar si një nga faktorët kyçë që ka ndikuar në vendimmarrjeve të mëdha, siç është heqja e vizave, kjo është edhe arsyeja se pse duhet që të vazhdohet e të konsolidohet puna për modernizimin e policisë.

 “E kemi thënë dhe po e përsëris edhe sot, ditë pasi heqja e vizave është realitet i prekshëm për çdo shqiptar, se ne nuk e nisëm këtë proces si një fushatë me fillim dhe fund, por të bindur se duke ecur përpara me modernizimin e policisë shqiptare, me rritjen e efiçencës së saj në luftën kundër krimit, u bëjmë shërbimin më të mirë qytetarëve shqiptarë dhe të ardhmes evropiane të vendit tonë”, - u shpreh ministri Basha.

Funksionimi i platformave të reja operacionale do t’i vijë në ndihmë Policisë së Rendit dhe Policisë Kriminale në kryerjen e detyrave të tyre si dhe do të përmirësojë procesin e parandalimit dhe të goditjes, por edhe të evidentimit të aktivitetit kriminal, duke çuar në një shkallë edhe më të lartë të ndjekjes penale dhe të dënimit të kontingjentit kriminal. Gjatë përurimit, ,inistri Basha, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesit të misioneve policore që e asistojnë atë, së bashku me oficerët e kontaktit të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së kanë qenë të pranishëm gjatë improvizimit të realizimit të një operacioni nga kjo sallë operative.

Në përfundim të përurimit dhe të realizimit me sukses të operacionit të improvizuar, ministri Basha ka bërë edhe një prononcim për mediat. Gjatë prononcimit për mediat, ministri Basha u shpreh: “Nuk mund ta fsheh mbresëlënien për demonstrimin që sapo kemi vëzhguar në prani të drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, të Policisë Kriminale dhe oficerëve të kontaktit të vendeve të BE-së dhe SHBA-ve për shkallën e lartë të profesionalitetit me të cilën agjentët ekzekutuan një operacion në terren”. Duke shuar edhe kuriozitetin e mediave, të cilat për arsye se përmbajta e këtyre sallave operative cilësohet si sekrete, ministri Basha shtoi: “Jam i sigurt që për shumëkënd, ndoshta kjo që po them unë duket pak abstrakte, fatkeqësisht për shkak të natyrës sekrete të këtyre operacioneve, media nuk mund të ketë akses në këtë dhomë operative”. Ministri i Brendshëm e ka cilësuar këtë investim të qeverisë shqiptare në këtë dhomë operative si një nga investimet që justifikojnë më së miri fondet e taksapaguesve shqiptarë dhe se për shkallën e profesionalitetit me të cilën ky investim po trajtohet nga Policia e Shtetit, duhet të bëjë krenar çdo taksapagues dhe çdo qytetar shqiptar. Për këtë arsye, sipas ministrit Basha, investime të mëdha janë planifikuar edhe për vitin e ardhshëm buxhetor, edhe për vitet e tjera. Ministri siguroi: “Investimet tona janë të mëdha, produkti i tyre janë platforma nga më modernet që përdoren sot në Evropë dhe të njëjtën gjë do të bëjmë edhe për sa i përket projektit pilot për Tiranën dhe që do të shtrihet në të gjitha qytetet e vendit, por edhe në akset kryesore rrugore”, - tha Basha për kamerat e vendosura në rrugët e kryeqytetit, të cilat përmes fokusit të zmadhuar bëjnë të vëzhgueshme rrugët e kryeqytetit si dhe ngjarjet që mund të cenojnë jetën e qytetarëve, duke i shërbyer kështu edhe policisë në ndjekjen e kriminelëve apo të kundravajtjeve ligjore. Praktika e suksesshme e një policie me mjete të modernizuara, e cila dallohet tërësisht tek shengenizimi i Policisë Kufitare Shqiptare, sipas ministrit të Brendshëm, do të transferohet në praktikën e modernizimit total të hallkave të tjera të Policisë së Shtetit me theks të veçantë te Policia Kriminale, Policia e Rendit dhe duke i shërbyer kështu luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër krimit ordiner dhe sigurimit të rendit dhe sigurisë për gjithë shoqërinë shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›