E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Berisha e refuzoi komisionin sepse synon ti vjedhë prapë zgjedhjet”

Kryesocialisti reagon pas rrëzimit të kërkesës së PS-së në Komisionin e Ligjeve

Eljona Ballhysa
Kryesocialisti Rama ka reaguar dje fill pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku maxhoranca refuzoi kërkesën e PS-së për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë një deklarate për mediat, Rama e akuzoi Berishën për refuzimin e kërkesës, ndërsa theksoi se arsyeja e këtij refuzimi është vjedhja e zgjedhjeve të ardhshme. Sipas Ramës, Berisha nuk dëshiron të bëjë transparencën e procesit të kaluar zgjedhor pasi po përgatit manipulimin e procesit të ardhshëm të zgjedhjeve. Kryesocialisti tha gjithashtu se Berisha refuzoi një projektvendim që kishte pranuar kohë më parë. Me këtë qëndrim, sipas Ramës, kryeministri Berisha refuzon të zbatojë atë që shkruhet në Rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë.
Akuzat
“Tani është mëse e qartë se Saliu s’ka pranuar as ato që ka pranuar deri sot, duke refuzuar atë çka është e shkruar e zeza mbi të bardhë në Rezolutën e Parlamentit Europian. Duke refuzuar atë çka është e shkruar e zeza mbi të bardhë në opinionin e Komisionit Europian. Duke refuzuar atë çka është e shkruar e zeza mbi të bardhë në propozimin e opozitës për t’i hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve, duke garantuar transparencën dhe zgjidhur një krizë politikë që sot Saliu ka dëshmuar se nuk do që ta zgjidhë. Ka refuzuar të zgjidhë krizën sepse synon të vjedhë prapë zgjedhjet”, - është shprehur kreu i selisë rozë. Sipas tij, argumentet e përdorura nga maxhoranca nuk janë gjë tjetër veçse një tërësi shpifjesh që synojnë të mbajnë varur krizën politike në vend. “Ka refuzuar të zgjidhë krizën duke u mbështetur mbi një tërësi argumentesh që s’janë argumente dhe shpifjesh e fyerjesh që nuk e ndihmojnë zgjidhjen e krizës e as nuk i bëjnë nder Shqipërisë për kryeministrin që ka. Sot Saliu ka provuar se i ka vjedhur zgjedhjet dhe se do që t’i vjedhë ato përsëri. Sot në komision u refuzua gjithçka, madje edhe shumica dhe drejtimi i komisionit nga opozita, pa diskutim edhe hetimi i materialeve zgjedhore po e po dhe vënia në dispozicion e kutive të këtyre materialeve për një transparencë që me të njëjtën kushtetutë, në të njëjtën sallë, një mandat më parë ishte e mundshme dhe sot nuk qenka e mundshme”, - është shprehur Rama. Ai tha se transparenca do të nxirrte në dritën e diellit dhe do të zhbënte mekanizmin e manipulimit që fshihet në kutitë e mbyllura të materialeve zgjedhore. Ai tha se opozita do të vazhdojë të kërkojë edhe në seancën e ditës së enjte transparencën e zgjedhjeve. Ai bëri thirrje për reflektim deri të enjten.
“Ka ende disa ditë kohë dhe të enjten Kuvendi e diskuton këtë çështje bashkë me mocionin për debat, të kërkuar prej nesh, për t’i dhënë një mundësi të re Shqipërisë në rrugën e integrimit, duke adresuar ‘mot a mot’ të gjitha ato që çështje që në opinionin e KE-së trajtohen si probleme që kanë penguar hapjen e dyerve të BE-së për Shqipërinë. Ka ende disa ditë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim për domosdoshmërinë e transparencës së zgjedhjeve nga njëra anë dhe të adresimit të të gjitha problemeve që i bëjnë mirë Shqipërisë”, - është shprehur Rama. Sipas liderit të opozitës, synimi i PS-së është të ndërtojë një Shqipëri me standarde europiane. “Ne jemi në shërbim të interesave të vendit, ne jemi në ndjekje të ëndrrës së Shqipërisë si gjithë Europa. Duam ta ndërtojmë Europën këtu dhe duam që Shqipëria të ulet në tryezën e familjes europiane, siç ulen qytetarët shqiptarët si individë në tryezën e familjeve të tyre në emigracion. Saliu i ka lënë në baltë shqiptarët, ka lënë në baltë Shqipërinë, ka dështuar dhe mban fajin e madh qoftë për transparencën e zgjedhjeve, qoftë për mbylljen e kutive, qoftë për mbylljen e derës së BE-së dhe refuzimin dramatik të Shqipërisë në kërkesën për statusin kandidat dhe çeljen e negociatave dhe akoma më keq, qoftë edhe përreth mungesën dramatike të refuzimit”, - është shprehur Rama.

Berisha: “Propozimi i Ramës për komisionin hetimor, i denjë për spitalet psikiatrike”

Kryeministri Berisha e ka cilësuar propozimin e fundit të Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor të denjë për spitalet psikiatrike. Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha tha se asnjë institucioni në vend nuk i lejohet të hetojë dyshimet, por vetëm provat. “Ky propozim është i denjë për personazhe të Franc Kafkës, ose të spitaleve psikiatrike. Nga 9 nene, në 8 prej tyre thuhet të hetohet dyshimi dhe në asnjë fjalë që, siç kërkon rregulli i demokracisë, siç kërkon Kushtetuta e çdo vendi të lirë, të hetohet dyshimi i bazuar në prova, fakte dhe grup-fakte, është i autorizuar në një shoqëri të lirë. Askujt dhe askurrkujt, asnjë institucioni nuk i lejohet të ndërmarrë dyshim pa fakte, prova ose grup-faktesh”, - është shprehur Berisha. Sipas tij, “në qoftë se ti pretendon të ndërmarrësh hetim mbi dyshime pa fakte, pa prova dhe grup-fakte, ti tregon se boshti themelor i psikologjisë është vetë dyshimi. Kjo përbën sëmundje psikike”. Më tej kryeministri e akuzoi Ramën se ka bërë dhe bën përpjekje për të rrënuar votën e shqiptarëve. Ai tha se nëse Rama formulon kërkesën në përputhje me Kushtetutën, PD-ja është e gatshme të miratojë ngritjen e komisionit. “Edvin Kristaq Rama u përpoq dhe bëri çdo gjë që të rrënojë votën e shqiptarëve. Gjeti dhe ndonjë mik dhe aleat në këtë përpjekje, qoftë para zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve apo pas zgjedhjeve, por dështoi së bashku me ta. Ne jemi dhe do të mbetemi të hapur ndaj opozitës. Që nesër, në qoftë se zotëria e tij pranon që kërkesën ta formulojë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, ne do ta votojmë në unanimitet. Unë i bëj thirrje Grupit Parlamentar të PS-së që të shqyrtojnë kërkesën e paraqitur në dritën e ligjeve, në dritën e Kushtetutës, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dhe e garantoj se nuk do të ketë asnjë kufizim për asnjë proces”, - është shprehur Berisha.

Ambasadori Montoboi përfundon misionin diplomatik në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti dje në një takim ambasadorin e Spanjës në Tiranë, Emanuel Montobio, me rastin e përfundimit të detyrës. Kryeministri Berisha vlerësoi lart punën e ambasadorit Montobio si ambasadori i parë i Spanjës në Shqipëri. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi rëndësinë e intensitetit të zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale midis Shqipërisë dhe Spanjës gjatë kësaj periudhe. Në takim u theksua, ndër të tjera, nevoja e vazhdimit të forcimit dhe konsolidimit të marrëdhënieve dypalëshe. Nga ana e tij, ambasadori Montobio theksoi rëndësinë e madhe që Spanja u kushton marrëdhënieve me Shqipërinë edhe në kuadër të NATO-s, bashkëpunimit mesdhetar, si dhe në të ardhmen, në gjirin e Bashkimit Europian. Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin Montobio për rolin e tij aktiv dhe për arritjet shumë pozitive që ai lë pas, në marrëdhëniet bilaterale. Ndër të tjera, kryeministri vuri në pah rëndësinë e madhe që kanë për Shqipërinë marrëdhëniet me Spanjën, si në planin dypalësh dhe në atë shumëpalësh. Ambasadori Montobio u shpreh se do të mbetet mik i shqiptarëve dhe se do të kontribuojë në promovimin e vlerave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Haxhinasto: “Anëtarësimi në NATO rrit mundësinë e ndikimit në arenën ndërkombëtare”

“Pas anëtarësimit në NATO, mundësitë e Shqipërisë për të ndikuar në arenën ndërkombëtare janë më të mëdha”. Kështu është shprehur dje ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, gjatë fjalës së mbajtur në takimin me ambasadorët e huaj në Tiranë, ku ka paraqitur objektivat dhe synimet për politikën e jashtme. “Diplomacia shqiptare është e gatshme që të japë më shumë kontribut në politikën e jashtme ndërkombëtare, tani në pozicionin e një anëtareje me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Do të mbështesim organizimin dhe forcimin e diasporës atje ku ajo ndodhet, me ruajtjen e gjuhës, kulturës si dhe do të garantojmë kontributet që emigracioni i ri ka bërë në sistemet e sigurimeve shoqërore të Shqipërisë dhe vendeve ku ata aktualisht jetojnë”, - është shprehur Haxhinasto. Shefi i Diplomacisë shqiptare tha më tej se Shqipëria do të rritë kontributet e saj për të përballuar sfidat e sigurisë globale. “Ne do të rritim kontributin tonë në përballjen e sfidave të sigurisë, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit etj.”, - shtoi Haxhinasto, duke vënë në dukje se do të rivitalizohen marrëdhëniet dypalëshe me vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, “ky rivitalizim do të përfshijë forcimin e Diplomacisë shqiptare me plotësimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit, duke nënshkruar marrëveshje dhe rritur shkëmbimet tregtare si dhe bashkëpunimin politik, si në planin dypalësh, ashtu dhe në atë shumëpalësh”. Gjithashtu, ministri i Jashtëm, Haxhinato, bëri të ditur se roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare ka marrë një dimension të ri zhvillimi falë përkushtimit dhe gatishmërisë për të kontribuuar me seriozitet dhe përgjegjshmëri në sfidat dhe çështjet madhore, që përbëjnë edhe prioritetet kryesore të politikës ndërkombëtare.

Opozita e Bashkuar: “Berisha s’heton zgjedhjet, vazhdojmë protestat”

Ka përfunduar mbrëmë rreth orës 19:15 takimi i opozitës me aleatët. Kordinatori i Opozitës së Bashkuar Preç Zogaj u shpreh pas takimit se situata është e rënduar, pasi siç tha ai, Berisha refuzoi të hetojë zgjedhjet. “Jemi të alarmuar pasi Berisha refuzoi gjithçka. Refuzoi Parlamentin Europian dhe Komisionin e Europës. Berisha refuzoi të hetojë zgjedhjet”, - tha Zogaj. Ai gjithashtu theksoi se “duke u nisur nga një situatë e tillë, ku mungon transparenca e zgjedhjeve, opozita do ta vazhdojë betejën e saj, në sheshe e parlament”. Në përfundim të fjalës së tij Zogaj tha se Opozita e Bashkuar do të vazhdojë të kërkojë deri në fund transparencën e procesit zgjedhor. “Do t’i shkojmë deri në fund transparencës. Opozita e Bashkuar do vazhdojë betejën në sheshe. Do bashkohemi në protesta bashkë me popullin”- është shprehur koordinatori i Opozitës së Bashkuar.

21 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›