Biberaj: PD imponoi me mesazhe anëtarët e Këshillit Kombëtar
Zgjedhja e 100 anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike po vazhdon të gjenerojë akuza të ndërsjella mes atyre që e konsiderojnë votimin dhe numërimin si të manipuluar dhe palës që i kundërshtojnë këto pretendime. Anëtari aktual i Kryesisë së Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, i cili nuk arriti të zgjidhej si anëtar i Këshillit, publikoi dje një mesazh për të cilin pretendon se i është shpërndarë delegatëve të Kuvendit përpara se të niste procesi i votimit për anëtarët e Këshillit. Në mesazh, sipas Biberaj, jepen qartë emrat që drejtuesit e PD-së kanë kërkuar të votohen. Por dërgimi i mesazheve të tilla është mohuar në mënyrë kategorike nga deputetët dhe të zgjedhurit e PD-së edhe në Këshill, si Jemin Gjana dhe Tritan Shehu. Sipas tyre, Kuvendi i PD-së është zhvilluar brenda të gjithave standardeve demokratike, të një partie e cila ka fituar zgjedhjet parlamentare dhe po reformon dhe rifreskon strukturat e saj drejtuese.
Akuzat
Anëtari aktual i Kryesisë së PD-së, ish-deputeti demokrat, Aleksandër Biberaj, vijoi edhe dje me akuzat e tij për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar. Biberaj, i cili nuk arriti dot të ishte pjesë e këtij forumi të lartë drejtues, theksoi dje se drejtuesit e PD-së iu kanë kërkuar delegatëve demokratë të të gjitha rretheve që të votojnë një listë të hartuar prej tyre. Demokrati Biberaj theksoi se përpara procesit të votimit, delegatëve i është dërguar një mesazh në celularët e tyre, ku jepen qartë emrat dhe numrat që ata duhet të votonin në fletën me 400 kandidatura. Biberaj tregon një mesazh sipas të cilit, drejtuesit e PD-së kishin kërkuar që delegatët të votonin emra të përzgjedhur. Nga ana tjetër, ai thekson se përveç mesazheve në telefon, gojarisht delegatëve i është kërkuar që të mos votojnë emrin e tij, emrat e ministrave Lulzim Basha, Arben Imami, Genc Pollo dhe Majlinda Bregu. Po kështu, sipas Biberajt, nga ana e drejtuesve të PD-së është kërkuar që të mos votohen as emrat e deputetëve demokratë Gazmend Oketa dhe Gerti Bogdani.
Reagimi
Deputetët dhe anëtarët e forumeve drejtuese të Partisë Demokratike kanë reaguar dje për "Shqip" në lidhje me akuzat e ardhura nga Biberaj. Anëtari i Kryesisë së PD-së, njëkohësisht deputeti Jemin Gjana, theksoi se ai personalisht, gjatë ditës së votimit për anëtarët e këshillit nuk kishte marrë asnjë mesazh i cili rekomandonte emra. Madje, Gjana theksoi se ai ishte i gatshëm të bënte publike edhe tabulatet e telefonit të tij celular për të parë të gjithë se çfarë mesazhesh i kishin ardhur ditën e Kuvendit të PD-së. "Unë personalisht jam i gatshëm që me firmën time, t‘ju lejoj që të shikoni tabulatet e telefonit tim në lidhje me mesazhet që kam marrë ditën e Kuvendit. Ju mund të shikoni vetë se nuk kam marrë asnjë mesazh të tillë", deklaron në një prononcim për "Shqip", Gjana. Sipas tij, askush nuk duhet të dëshpërohet dhe të hedhë akuza të tilla vetëm për faktin se emri i tij nuk është zgjedhur mes 400 kandidaturave për Këshillin Kombëtar. "Nëse emri yt nuk zgjidhet mes 400 kandidaturave, atëherë do të thotë se ti nuk je i preferuar për ta", thekson Gjana. Sipas tij, procesi i votimit të kandidaturave për Këshillin Kombëtar ka shkuar qetë dhe pa asnjë lloj problemi. I të njëjtit qëndrim ka qenë edhe deputeti i PD-së, Tritan Shehu, i cili pak kohë më parë ka qenë përfaqësuesi i Partisë Demokrate të Re. Sipas Shehut, ai nuk kishte asnjë dijeni për shpërndarjen e mesazheve të tilla gjatë punimeve të Kuvendit të PD-së. Por sipas tij, përzgjedhja e kandidaturave të Këshillit Kombëtar ishte bërë në mënyrë transparente dhe nuk kishte pasur asnjë problem gjatë procesit të votimit dhe të numërimit. "Unë i mbështes forumet e dala nga Kuvendi i PD-së dhe besoj se ato të ndihmojnë në përmbushjen e objektivave që ka përpara vendi", deklaroi Shehu. Sipas tij, ky Kuvend mund të konsiderohet si normal për sa i përket përzgjedhjeve që bëri si në rastin e kryetarit të PD-së, po ashtu edhe të Këshillit Kombëtar.