E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Lauda te Shumi, të gjithë kampionët që e provojnë sërish

Prozhektorët, gjithnjë të fiksuar mbi ty. Turma e madhe që të pret në hyrjen e pistës dhe duartrokitjet për sukseset e tua. Gazetarë dhe tifozë që të ndjekin kudo, për të të rrëmbyer një deklaratë çfarëdo, një autograf, një buzëqeshje. Për të mos folur për sponsorët, që i ngjisin emrin tënd dhe imazhit të tyre falë milionave. Pastaj heshtja dhe boshllëku. Prozhektorët fiken, turma të zëvendëson shpejt me një idhull të ri, sponsorët të harrojnë fare. Ka pak dyshime mbi faktin, se gjëja më e vështirë e karrierës së një sportisti është të thotë "mjaft!", dhe var në gozhdë këpucët, raketa, doreza, timon... Ai i Majkëll Shumakerit është pra vetëm i fundit i një serie rikthimesh surprizë, që janë regjistruar gjithmonë në historinë e sportit. Në Formula 1, Shumaker ka goxha shoqëri. Niki Lauda, dy herë kampion bote me Ferrari, lajmëroi tërheqjen në 1979, për t‘iu dedikuar krijimit të kompanisë së tij ajrore, por pas 3 vitesh u mërzit duke luajtur vetëm më aeroplanë të vegjël dhe vendos të kthehet, duke arritur të fitojë titullin e tretë kampion në 1984, nën drejtimin e MekLaren. Shoku i tij i skuadrës, atë vit, ishte i riu Alen Prost, i cili në klasifikimin e pilotëve kalohet nga austriaku për vetëm një gjysmë pike. Francezi ringjallet vitin e ardhshëm, duke fituar titullin e tij të parë nga katër, i fundit prej të cilëve do të vinte në ‘93, pas një largimi nga garat prej një viti të vetëm. Dhe nëse ajo e "kaiser" Shumi është gjithashtu një nga rikthimet më surprizë në historinë e këtij sporti, emri tjetër mund të jetë tashmë gati. Nuk mungojnë zërat se protagonist i botërorit të ardhshëm mund të jetë edhe Zhak Vilenëv, kampioni i botës në 1997, i cili mund të impenjohet me një prej veturave të skuadrës së re USF1. Me lajmin e Shumakerit, 2009 rrezikon të kalojë në histori si viti i rikthimeve të mëdha: nga Lance Armstrong, që ka demonstruar se është sërish shumë kompetitiv, te Kim Clijsters, që pas 22 muajsh inaktivitet mundi të fitonte menjëherë US Open. Shpesh rikthimet e mëdha sjellin triumfe të mëdha, për të demonstruar se zgjedhja për t‘u tërhequr shpesh është e lidhur me faktorë psikologjikë (Stresi? Mërzia? etj.) më shumë sesa një rënie fizike. Majkëll Xhordan, lojtari më i madh i basketbollit në historia, u largua në 1993, pasi kishte fituar trofeun e tretë me Bullsat. Tentoi të kalonte te bejsbolli, me pak kënaqësi, para se të rikthehet të dominojë në NBA, duke udhëhequr Çikago me tre tituj të tjerë radhazi. I pakënaqur, e riprovoi sërish në 2001, në moshën 38 vjeç, pas 3 vitesh pushim, duke luajtur dy sezonet e tij të fundit me Uashington Uizards. Por ka pasur rikthime të tjera, që kanë edhe dështime surprizë: Bjorn Borg në tenis, legjenda e notit, Mark Spitz. Përveç F1, ka sporte të tjera ku moda e rikthimit është e vjetër. Mjafton të përmendim Pelen. Emra të tjerë kampionësh të rikthyer vijnë nga boksi, si Xhorxh Foreman e Sugar Ray Leonard.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›