Mijëra ish-policë, asnjë kacidhe për festat e fundvitit
Në këtë fundviti 2009, kur edhe qeveria më në fund pranoi se jemi në krizë si gjithë vendet e rajonit të Europës, qindra mijëra shqiptarë që punojnë, në rastin më të keq do marrin rrogën. Ministri Bode me këtë rast përgënjeshtroi Kryeministrin Berisha për pagat e atyre që punojnë në administratën shtetërore. Tradita e vjetër (sipas së cilës paga e dhjetorit jepet në ditët e fundit të këtij muaji), do rifunksionojë. Pra qindra mijëra nëpunës të shtetit nuk do tërheqin pagat në fillim të janarit, siç u tha fillimisht, por vetëm pak ditë para Vitit të Ri. Lajm i mirë sepse do kenë çfarë të shpenzojnë për të mbushur tryezën e aq shumëpritur. Tashmë dihet që nuk do ketë rroga të trembëdhjeta, por do ketë besoj drejtorë "nikoqirë", sidomos në arsim, që nga fondi i tyre i njohur me ligj do japin ndonjë shpërblim, të paktën sa për gjelin tradicional. Edhe te privatët, pavarësisht se dihet që janë në atë pikë të krizës që shkon deri në mbijetesës, edhe po nuk pati premio si vitet e tjera, paralajmërohet se për punonjësit do të shpërndahet ndonjë "thërrime" për festat e këtij viti, qoftë kjo edhe në mall. Pensionistët, pavarësisht se gjelin jua bënë këtë vit gjysmë-gjel, prapë diçka do marrin. Edhe invalidët, talasemikët... ata që marrin asistencë etj., do numërojnë diçka sa për të gëzuar të vetmen natë ku nuk gëzojnë vetëm fëmijët. Por ka një kategori njerëzish, që në këtë fundvit s‘do marrin asgjë. Asgjë fare, edhe pse me ligj u takon një pension. Janë mbi 3000 policë në reformë me gjithë familjet e tyre, që Vitin e Ri do ta "kullandrisin" kushedi se si, por pa asnjë qindarkë të marrë nga sigurimet që kanë paguar gjatë punës e karrierës së tyre. Ata që kanë "menaxhuar" protestat e shumta të shqiptarëve në vite, këtë herë kërcënojnë se do dalin vetë të protestojnë... Pikërisht për këto probleme jo të vogla (në radhë të parë sociale), flet për gazetën "Shqip" drejtori ekzekutiv i Punonjësve të Policisë në Lirim, Besnik Bakiu.
Zoti Bakiu, sapo kaluan Krishtlindjet dhe pas pak ditësh është festa e Vitit të Ri, kurse ju vazhdoni akoma të jeni ende pa pensione dhe shpërblime.
Faleminderit për pyetjen dhe konstatimin. Vërtet kemi që në muajin 1 korrik të këtij viti që një pjesë e madhe e anëtarësisë sonë, e cila i kalon 3 mijë persona, nuk paguhet, megjithëse shteti ka detyrimin ligjor të kryejë pagesat. Këto pagesa nuk janë lëmoshë, por detyrim për punën e kryer dhe sigurimet e paguara. Si ndihemi? Çfarë të them. Nëse na fyen profesionalisht, na dhunuan moralisht, tani kërkohet të na rrënojnë edhe ekonomikisht. Të më mirëkuptoni për fjalorin që po përdor, por kjo gjendje është më shumë se sa e turpshme. Pa frikë do ta quaja kriminale.
Si është "historia" që ju ka çuar në këtë situatë?
Kjo ka ardhur nga urrejtja që segmente të caktuara të politikës shqiptare kanë ndaj zbatuesve të ligjit. Nuk dua të besoj se inkriminimi mediatik dhe verbal i tyre (i papërgënjeshtruar) është në bazë të kësaj urrejtjeje dhe këtij keqtrajtimi. Në të gjithë botën (jo vetëm të qytetëruar), ish-punonjësit e policisë vlerësohen si vlera dhe resurse për punën që kanë kryer dhe për asistencën që japin në vazhdim. Te ne ndodh e kundërta, ata (ish-"punëtorët" e policisë), shikohen me një sy, në mos armiqësor, mospërfillës dhe fyes. Kjo është e pafalshme. Kjo situatë të kujton tablotë migjeniane te "Bukuria që vret": Merreni këtë shtatore dhe vendoseni në një shesh dhe si përmendore kushtojani ndokujt, ndonjë ministri apo deputeti...
Ju jeni të organizuar. Çfarë keni bërë për ta zgjidhur situatën?
Si gjithmonë, edhe në këtë rast veprimtaria e organizatës sonë ka qenë ligjore e bashkëpunuese. Kemi kontaktuar me instancat më të larta të Ministrisë së Brendshme dhe organizmave ndërkombëtare së cilës i kemi parashtruar situatën. Dhe faktikisht nga ata kemi marrë mbështetje për zgjidhjen e situatës. Kemi kontaktuar edhe me përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore, të cilat kanë qenë edhe inspiruese të ndryshimeve antikushtetuese të legjislacionit për trajtimin ekonomiko-financiar të punonjësve të policisë, por kemi hasur në një qëndrim jo vetëm jo etik, por edhe jonjerëzor. Madje dikujt nga këta syresh që po i shpjegoja domosdoshmërinë e zbatimit të detyrimeve ligjore ndaj kësaj kategorie me teorinë e Kullës (kur ndodh një fatkeqësi apo ngjarje e rrezikshme, kur të gjithë njerëzit largohen me shpejtësi nga vendngjarja për të shpëtuar, policia vrapon në drejtim të kundërt të njerëzve për në epiqendër të ngjarjes), zotëria filloi të më bënte moral se kullat janë simbol i komunizmit. E kuptova që ishte e kotë të vazhdoje të flisje me të dhe më e bukura ishte se shoku në fjalë (i kthyer në zotëri) kishte qenë një komunist i devotshëm.
Zoti Bakiu, më konkretisht, pse nuk paguheni? Cili është argumenti që ju paraqisni se duhet të paguheni?
Po. Flasim pa retorikë. Siç jeni në dijeni, në sekondat e fundit të jetës së dushkparlamentit, u miratua me procedurë antikushtetuese një ligj antikushtetues për trajtimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Në zbatim të këtij ligji Këshilli i Ministrave duhej të nxirrte një vendim për ta bërë të zbatueshëm këtë ligj (nëse mund ta quajmë ligj). Por edhe sot e kësaj dite nuk e ka kryer këtë detyrim ligjor. Kështu që pa dalë ky vendim, ne nuk paguhemi, megjithëse në mungesë të tij, institucionet përgjegjëse shtetërore janë të detyruara ta zbatojnë kryesisht ligjin.
Ju e keni hedhur këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. Në çfarë faze ndodhet ky gjykim?
Ka mbaruar hetimi gjyqësor ku ne paraqitëm kërkesat tona për shfuqizimin e ligjit dhe pala qeveritare bëri mbrojtjen e ligjit. Paraqitja e palës mbrojtëse në këtë gjykim të dëshpëronte, nëse e këndvështron si taksapagues i këtij vendi. Aq flagrante ishte kakofonia e tyre, sa e detyruan disa herë trupin gjykues t‘u kërkonte të ishin më të saktë e konkretë, si dhe të përcaktonin mendimin përfundimtar të tyre për çështjen. Aktualisht, pritet të jepet vendimi përfundimtar i kësaj gjykate, për të cilin unë kam bindjen që do të jetë shfuqizimi i ligjit.
Zoti Bakiu, cilët do të jenë hapat tuaj për zgjidhjen e këtij problemi?
Fillimisht dua të shpreh dyshimin tim të bazuar se ka segmente të caktuara që duan të ekstremizojnë qëndrimin e organizatës sonë, duke keqinformuar instancat e larta shtetërore dhe duke na vënë në kushtet e mbijetesës ekzistenciale, tonën dhe të familjeve. Por u bëj me dije se nuk kanë për t‘ia arritur kësaj dite, sepse ne jemi punonjës të ligjit dhe ligji për ne ka qenë dhe është i shenjtë. Nëse do të vazhdohet me ketë gjendje, jemi të detyruar t‘u drejtohemi rrugëve të tjera demokratike, duke filluar nga protestat në të gjitha mënyrat demokratike.
Në përfundim...?!
Meqenëse jemi në ditë Krishtlindjesh dhe në prag të Vitit të Ri, t‘i lutemi Zotit t‘i fal shkaktarët e kësaj situate. Ata që na kanë detyruar të përjetojmë këtë revoltë, edhe pse nuk e bëjnë nga padija por nga urrejtja, gjithsesi kanë nevojë për falje.