Milani në alarm, Botafogo, ofertë Ronaldinjos
Botafogo kërkon Ronaldinjon. Klubi nga Rio de Zhanejro synon t‘i paraqesë lojtarit të Milanit një ofertë mjaft serioze. Kjo, pavarësisht faktit se mesfushori është nën kontratë me klubin kuqezi deri në vitin 2011. Lajmi është bërë publik nga Mauro Azevedo, ortak në biznes (duke përfshirë këtu edhe fushën sportive) me Roberto Asis, vëllain-menaxher të futbollistit. "Drejtuesit e Botafogos janë shprehur zyrtarisht se dëshirojnë të afrojnë Ronaldinjon", shpjegoi ai për "Globoesporte". "Ata kanë një projekt afatgjatë, mjaft ambicioz dhe konkret. Gjithçka nisi në momentin kur klubi më kërkoi që të bëhesha ndërmjetës për Asis dhe u takuam në Porto Alegre. Ata kanë përgatitur një projekt të madh, i cili do të pëlqehej nga të gjithë yjet e futbollit. Çdo gjë, çdo detaj është e shkruar e zezë mbi të bardhë, pra nuk kemi të bëjmë thjesht me hipoteza. Asis u shfaq mjaft i lumtur dhe entuziast për këtë propozim dhe mendoj se ka shanse të mira që marrëveshja të realizohet".
Blerja e Ronaldinjos do të bëhej e mundur falë ndërhyrjes së disa sponsorëve, të cilët do ta përdornin lojtarin si imazhin e tyre. për momentin dihet vetëm se pavarësisht interesimit të shfaqur nga Korinthiasi disa muaj më parë, "Botafogo është klubi i vetëm që ka paraqitur një ofertë konkrete dhe jo thjesht spekulime". "Ëndrra jonë vazhdon, ishte komenti i presidentit të skuadrës, Asumpçao, edhe pse për momentin ai është shtyrë për më vonë. Të gjithë sponsorët tanë janë të gatshëm të na mbështesin, menjëherë sapo bisedimet me përfaqësuesit e Ronaldinjos të rifillojnë". Gjithsesi, duket e vështirë që Milani të lejojë largimin e fantazistit, i cili është rikthyer në formën më të mirë dhe aktualisht është lojtari më i mirë i kontingjentit të Leonardos.