Biberaj: “PD-ja duhej të shënonte fillimin e një epoke të re”
Anëtari i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ndonëse ka qenë i pranishëm në sallën e Kuvendit të 9-të të Partisë Demokratike, nuk e ka votuar projektstatutin e PD-së, të propozuar nga grupi i punës, i drejtuar nga Ridvan Bode. Në përfundim të procesit të votimit Biberaj u shpreh për mediat se ndryshimet e propozuara në Statutin e PD-së janë thjesht formale, ndërsa shton se nuk janë përfshirë propozimet e tij, mes të cilave dhe mënyra e zgjedhjes së kryetarit të partisë në bazë të parimit “një anëtar, një votë”, si dhe ndarja e posteve partiake nga ato në qeveri. “Ndryshimet në projektstatut janë të karakterit formal. Më vjen keq që nuk u morën në konsideratë propozimet e mia”, - theksoi Biberaj, i cili shtoi se në Statutin aktual të PD-së nuk janë bërë ndryshime thelbësore. “Partia Demokratike duhej të shënonte fillimin e një epoke të re dhe mendoj që pas 19 vitesh PD-ja kishte nevojë për një statut që të ishte më afër partive europiane, të SHBA-ve dhe ato angleze. Duhej të ishte implementuar parimi ‘një anëtar, një vot뒔, - është shprehur Biberaj. Deputeti demokrat shtoi më tej se mundësia e tij për të folur në Kuvendin Kombëtar do të krijohej nëse mblidhte firmat e 15 për qind të delegatëve, por duke parë atmosferën festive, nuk ka dashur të vërë në vështirësi askënd. “Doja të paraqisja vizionin tim, sepse ky kuvend festiv nuk është i përshtatshëm për momentin”, - është shprehur Biberaj. Duke shprehur besimin se do të rizgjidhet bindshëm si anëtar i Kryesisë, Biberaj theksoi se propozimet e tij nuk prekin drejtuesit aktualë, por shërbejnë për një afat më të gjatë kohor për brezat që do të vijnë.
Aleksandër Biberaj ishte i vetmi që hartoi dhe depozitoi pranë grupit të punës një projektstatut. Në projektin e tij Biberaj propozoi vendosjen e parimit “një anëtar, një votë” për zgjedhjen e drejtuesve kryesorë të partisë, por edhe kandidatëve për deputetë apo për postet drejtuese në pushtetin vendor. Gjithashtu, Biberaj propozoi kufizimin e mandatit të kryetarit, nënkryetarëve dhe sekretarit të Përgjithshëm. Në projektstatutin e tij Biberaj propozoi ndërprerjen e mandatit të kryetarit dhe sekretarit të Përgjithshëm në momentin kur partia humb zgjedhjet. Propozimet e Biberajt nuk u përfshinë në Statutin e ri të PD-së. Kryeministri Berisha, i pyetur nga mediat për mospërfshirjen e parimit “një anëtar, një votë”, u shpreh se nuk është i përshtatshëm për PD-në. Sipas PD-së, ky parim funksionon në ato raste ku partia është në krizë.
15 Dhjetor 2009